Shefi i diplomacisë polake vizitë zyrtare në Shqipëri

Bushati në fjalën e tij u shpreh se Polonia është një prej vendeve qartësisht pro zgjerimit të BE-së.

Ministrin i Jashtëm i Polonisë, Witold Waszczykowski, sot ka mbërritur në Shqipëri në kuadër të një vizite zyrtare. Ai fillimisht është takuar me homologun shqiptar, Ditmir Bushati, ndërsa në përfundim të takimit të dy ministrat kanë mbajtur një konferencë për mediat, raporton Anadolu Agency (AA).

Bushati në fjalën e tij u shpreh se Polonia është një prej vendeve qartësisht pro zgjerimit të BE-së, ndërkohë homologu i tij polak ka shprehur mbështetjen për Shqipërinë për procesin e integrimit europian.

“Shpreha mirënjohjen për mbështetjen që Shqipëria ka marrë në mënyrë të vazhdueshme nga Polonia në procesin e integrimit europian. Siç dihet Polonia është një prej vendeve kyçe të Bashkimit Europian me eksperiencë të pasur në tranzicionin demokratik dhe është njëra prej vendeve që Shqipëria ka patur dhe ka raporte shumë miqësore. Është një prej vende qartësisht pro zgjerimit të BE-së. Vitet e fundit ka patur një rritje të numrit të turistëve polk që kanë vizituar bregdetin shqiptar”, u shpreh Bushati.

Bushati dhe Waszczykowski u shprehën se gjatë takimit kanë diskutuar edhe për pritshmëritë rreth Samitit të Varshavës, sipas tyre duke patur në konsideratë edhe sfidat me të cilat përballet siguria europnae.

Waszczykowski u shpreh më tej se vendi i tij synon dhe kërkon të zgjerojë marrëdhëniet me Shqipërinë, si në aspektin politik ashtu edhe ekonomik.

”Jemi bashkë në NATO dhe shpresoj që gjithashtu do të jemi bashkë edhe në një institucion të dytë siç është Bashkimi Europian. Përveç çështjeve që lidhen me sfidat e sigurisë, kemi biseduar edhe për disa çështje që lidhen me historinë dhe përvojën e vendeve tona”, u shpreh kryediplomati polak.

Waszczykowski pritet të realizojë gjatë vizitës së tij në Shqipëri disa takime me zyrtarë të lartë të vendit.

Artikulli paraprakSulm ajror në Halep, 15 të vdekur dhe 20 të plagosur
Artikulli vijuesKështu duket Mitrovica në kohën e Iftarit