TIRANË (AA) – Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Italiane, gjeneral Claudio Graziano po zhvillon një vizitë dyditore në Shqipëri. Pas pritjes me truprojë nderi nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, gjeneralmajor Jeronim Bazo, Graziano u prit në një takim edhe nga ministrja e Mbrojtjes të Shqipërisë, Mimi Kodheli, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas informacioneve zyrtare të Ministrisë së Mbrojtjes të Shqipërisë, disa nga temat e diskutimit mes ministres Kodheli dhe gjeneral Grazianos ishin bashkëpunimi dypalësh, situata e sigurisë në Detin Mesdhe, pjesëmarrja e përbashkët në operacionin ushtarak “Resolute Support Mission” dhe misioni KFOR-it në Kosovë, etj.
Ministrja Kodheli e cilësoi KFOR-in si një histori suksesi të NATO-s dhe u shpreh e gatshme për rritjen e kontributit të Shqipërisë në këtë mision.
Ndërkohë në njoftimin zyrtar të Ministrisë së Mbrojtjes theksohet se Kodheli shprehu mbështetjen e Shqipërisë në luftën kundër terrorizmit dhe gjithashtu gatishmërinë e Forcave të Armatosura Shqiptare për të marrë pjesë në operacionin e trajnimit në Bagdad, përkrah karabinierëve italianë.
Gjeneral Graziano u njoh nga Kodheli edhe me kërkesën e Shqipërisë për ngritjen e një qendre ekselence të NATO për trajtimin e fenomenit të luftëtarëve të huaj.
Në njoftimin zyrtar gjithashtu theksohet se Graziano u shpreh i kënaqur për bashkëpunimin mes dy vendeve dhe e cilësoi Shqipërinë si një partner strategjik dhe jetësor të vendit të Italisë.