“Të gjithë prokurorët, përfshirë atë të Përgjithshëm, dhe anëtarët e Gjykatës Kushtetuese do të jenë subjekte të vettingut”, pohon kryetarja e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, Genoveva Ruiz Calavera.
Në një intervistë të dhënë “Deutsche Welle”-s, spanjollja që do të skanojë drejtësinë shqiptare e bën po kështu të qartë se, përpara shpejtësisë së procedurave, përparësi do t’i jepet cilësisë së verifikimit.
“Vettingu lidhet me të ardhmen e njerëzve, – argumenton ajo, – ndaj duam të jemi të sigurtë që e gjithë puna e bërë nga institucionet të jetë shumë rigoroze, e ndershme dhe e ekuilibruar”.
Arsyetimi i Calaverës është i thjeshtë. Zyrtaren ndërkombëtare e kënaq fakti që sita e verifikimit ka nisur dhe së bashku me progresin në 5 prioritetet kyҫe do të hapë derën për hapin tjetër, që Shqipëria do të hedhë në procesin e integrimit europian.
Kur vjen fjala te afatet kohore, ajo preferon të mos e thotë se kur do të ndodhë kjo, pranverën apo verën e ardhshme, pasi varet vërtet nga përparimi në procesin e vettingut dhe 5 fushat prioritare.
Por që vettingu të funksionojë siç duhet, në bindjen e Calaveres, cilësia duhet vendosur përpara shpejtësisë.
“Është një proces kyç që kërkon vlerësim në thellësi të ҫdo gjyqtari dhe prokurori. Për ne, – shpjegon Calavera, – nuk është e rëndësishme që procesi i vettingut të përfundojë me qëllimin që Shqipëria të kalojë në fazën tjetër të procesit të anëtarësimit në bllokun europian.
Për ne e rëndësishme është që procesi i vettingut të kryhet ashtu siç duhet”.
Gjatë intervistës u prek edhe rasti i ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. E pyetur nëse mund të ҫojë procesi hetimor në gjykim të ndershëm, kur prokurorët e Tahirit nuk e kanë kaluar testin e vettingut, Calavera u përgjigj se në këtë skaner do të kalojnë të gjithë, me shoresën se në fund të procesit do të jene të aftë të identifikojnë gjykatësit dhe prokurorët e lidhur me krimin e organizuar.
Top Channel