Shembulli i Edi Ramës, përjashton deputetin bandit nga Partia

Partia Socialiste përjashton nga grupi parlamentar deputetin tashmë të arrestuar Armando Prenga, pas ngjarjes së ndodhur në Laç ku mbetën të plagosur 7 persona. Lajmi konfirmohet nga burime për A1 Report.
Më herët nëpërmjet një deklarate zyrtare nga selia rozë, deputetja socialiste, Olta Xhaçka, tha se PS-ja nuk është strehë ku mund të gjejë mbrojtje cilido person që shkel ligjin, qoftë ai edhe deputet. Ajo tha se deputeti Prenga ka humbur të drejtën morale për të qenë pjesë e PS-së.
“Partia Socialiste e dënon me ashpërsinë më të madhe si plotësisht të papajtueshme me kulturën e saj të ligjit dhe me normat e veta të bashkëjetesës, përfshirjen e Armando Prengës në këtë ngjarje. Si shkelës i këtyre normave Armando Prenga ka humbur çdo të drejtë morale të jetë pjesë e Partisë Socialiste, ndërsa si i dyshuar nga Policia e Shtetit për shkeljen e ligjit ai duhet të japë llogari përpara drejtësisë për çdo akuzë që rëndon mbi të. Në emër të Partisë Socialiste përshëndes Policinë e Shtetit për një tjetër prove bindëse të standartit të ri moral dhe profesional që ka vendosur në 21 muajt e fundit. Sepse me ndalimin, pa asnjë lloj dallimi, të asnjë natyre, të kujtdo që u gjet i përfshirë në këtë ngjarje të shëmtuar, Policia e Shtetit tregoi qartë se forca e ligjit është për të mbi çdo forcë politike apo imunitet politik”, – u shpreh deputetja Xhaçka.

Më tej ajo tha se kultura e pandëshkueshmërisë që Sali Berisha ngriti në sistem për familjen dhe klanin e tij politik, ka vdekur bashkë me pushtetin e tij vrastar e të korruptuar

“Me përgjegjësinë e plotë politike dhe publike Partia Socialiste dhe qeveria jonë e kanë shpallur të mbyllur kapitullin e shëmtuar të historisë së pandëshkueshmërisë, qysh në ditën e parë të mandatit tonë qeverisës. Po ashtu për çdo anëtar të partisë sonë është e qartë se Partia Socialiste nuk është strehë ku mund të gjejë mbrojtje nga agjencitë ligjzbatuese cilido që shkel ligjin. Kjo është jo vetëm e qartë edhe për çdo deputet, po çdo deputet ka detyrë parësore ta mbrojë dhe promovojë me fjalë, sjellje dhe veprime, faktin se kultura e pandëshkueshmërisë që Sali Berisha ngriti në sistem për familjen dhe klanin e tij politik, ka vdekur bashkë me pushtetin e tij vrastar e të korruptuar”, tha deputetja para mediave në selinë rozë.

Xhaçka u bëri thirrje Bashës dhe Berishës që të mos e shfrytëzojnë ngjarjen për kapital politik, pasi sipas saj ata janë vetë dy persona që duhet të japin llogari përpara drejtësisë për një sërë akuzash.

“Nga ana tjetër dy fjalë edhe për Lulzim Bashën dhe Sali Berishën, që prej kohësh duhet të kishin dhënë llogari përpara organeve të drejtësisë për shumë më tepër shkelje të ligjit, se sa ato prej të cilave duan sot të nxjerrin kapital politik. Lulzim Basha ka ende, jo një, por disa akuza me të cilat duhet të përballet. Mbi Lulzim Bashën peshon akuza e mbetur pezull e vrasjes së 4 qytetarëve të pafajshëm në 21 Janar, në mes të bulevardit, kur ai shërbente si Ministër i Brendshëm i Sali Berishës. Mbi Lulëzim Bashën peshon akuza e mbetur pezull e grabitjes në bashkëpunim të qindra milionë eurove nga ndërtimi i rrugës Durrës -Kukës. Pa llogaritur më shumë, po vetëm këto dy çështje, mjaftojnë që Lulëzim Basha të konsiderohet jo vetëm subjekt po edhe objekt i dekriminalizimit që e kërkon me kaq force”, tha Xhaçka.

Prokuroria tha Xhaçka nuk duhet të ndalet deri në zbardhjen dhe ndëshkimin e plotë të ngjarjes së Laçit, por të hetojë edhe Lulzim Bashën dhe Sali Berishën, dosjet e të cilëve duhet të dalin njëherë e mirë në dritë.

“Prandaj siç i bëjmë sot thirrje prokurorisë që të mos ndalet deri në zbardhjen dhe ndëshkimin e plotë të veprave penale të konsumuara në katrahurën e Laçit, të gjejë forcën morale dhe profesionale të hetojë deri në fund edhe Lulzim Bashën apo Sali Berishën veprat penale të të cilëve janë konsumuar ditën për diell, si edhe një sërë ministrash apo ofiqarësh të qeverisë Berisha, dosjet e të cilëve duhet të dalin nga sirtarët e prokurorisë. Megjithatë kjo është dita për të përsëritur se në pritje të ndëshkimeve të plota për krimet e veprat penale të së shkuarës së afërt, çdo krim dhe vepër penale e të sotmes nuk amnistohet më nga Policia e Shtetit si deri dje. Lejomëni ta mbyll me lajmin e mirë të përsëritur edhe sot, se koha kur bodigardët e Çunit të Kryeministrit plagosnin me plumb kamarierë në mes të lokalit dhe policia u mbyllte gojën dëshmitarëve, apo kur nipat e kryeministrit punonjës policie shkrehnin kallashnikovët të dehur në mes të bulevardit, dhe axha kryeministër i fshihte në kryeministri derisa policia të bënte letrat, ka vdekur e nuk ka shans të rikthehet”, – përfundoi deputetja socialiste.

Artikulli paraprakArrestohet pasi që policia ia gjen 53 qese me marihuanë në trupin e tij
Artikulli vijues1462 refugjatë hynë në Maqedoni në 24 orët e fundit