Shërbimet sekrete e mbajnë në tension veriun

Ndryshe nga vitet e mëparshme, në muajt e fundit, në Mitrovicën e veriut nuk ishin shënuar shpërthime. Por, shpërthimi i së shtunës, ka nxitur reagimin e njohësve të rrethanave të sigurisë në vend.
 
Naim Maloku, ekspert për çështje të sigurisë, duke folur për Radion Evropa e Lirë, shpreh mendimin se incidenti i fundit në Mitrovicën e Veriut, nuk është befasues, madje as rezultati i incidentit, i cili, ka kaluar pa pasoja fatale për njerëz.
Sipas tij, e gjithë kjo është në vazhdën e atyre angazhimeve dhe përpjekjeve destruktive të palës serbe që ta mbajnë në tension situatën në veri.
 
“Është e ditur se janë shërbimet sekrete që e mbajnë të tensionuar situatën atje. Pala serbe është aty. Atë e dinë të gjithë, edhe faktori ndërkombëtar. Edhe ne e dimë, por edhe ata e dinë që ne e dimë. Asgjë këtu nuk është e re. Pra, mbahet situata e tensionuar aty. Ose, e kanë instrumentalizuar ndonjë grup radikal atje që përmes tij e mbajnë situatën e tensionuar atje”, thotë Maloku.
 
Maloku shton se të gjitha këto janë porosi se kinse nuk është bërë zgjidhja në veriun e Kosovës dhe se ata kërkojnë zgjidhje deri në përmbushjen e kërkesave maksimale që kanë serbët e veriut të Kosovës dhe vetë Serbia.
 
“Këto janë veprime shtyse për ta prurë dialogun në atë përfundim që Asociacioni i komunave serbe të marrë kompetenca ekzekutive dhe të krijohet ajo ‘mini-Republika Serbe’ në territorin e Kosovës. Ndoshta, me më pak kompetenca se sa që i ka ‘Republika Serbe’, por në njëfarë formë ta krijojnë ata një shtet brenda Kosovës”, thekson Maloku.
 
Ndryshe, shpërthimi i së shtunës në Mitrovicën e veriut ka ndodhur para një lokali afarist, me ç’rast janë dëmtuar edhe xhamat e veturave dhe banesave në afërsi. Tash për tash, sipas zyrtarëve të policisë, ende nuk ka persona të dyshuar dhe nuk dihen motivet e shpërthimit në Mitrovicën e veriut./REL/
Artikulli paraprakKëto janë super benefitet që gëzojnë deputetët
Artikulli vijuesMustafa: Trepça është e Kosovës, nuk diskutohet