Shërbimi civil i politizuar dhe joprofesional

Me 38 vota për, 34 kundër dhe 3 abstenime deputetët kanë miratuar raportin vjetor mbi gjendjen në shërbimin civil të Kosovës për vitin 2012, ndonëse ky raport ka marr shumë vërejtje dhe kundërshtime nga opozita, e cila e ka vlerësuar këtë sektor të politizuar dhe joprofesionale.

Megjithatë, Ministri i Administratës Publike, Mahir Yagcilar, ka thënë se në administratën publike në çdo shtet ka nevojë të përmirësohet gjendja, derisa, në aspektin tjetër administrata publike nuk është brenda direktiva evropiane, por duhet të jetë e gatshme të zbatojë të gjitha direktivat apo standardet evropiane.

“Mendojmë që me ligjin e ardhshëm duhet të bëhet një raportim i obligueshëm për institucionet që deri në fund të marsit të dërgojnë raporte dhe pikat të cilat duhet t’i dërgojnë. Gjithashtu, gjendja në shërbimin civil që është vetë një pjesë e Administratës Publike ose administratës shtetërore. Unë nuk desha me këtë raportim të dalë në ligjin për procedurat administrative, i cili është në hartim. Shumë çështje, sidomos raporti i Këshillit të Pavarur dhe Shërbimit Civil ose Ministrisë së Administratës Publike do të rregullon edhe duhet ta rregullon sepse në këtë rast në qoftë se ekziston masa disiplinor, komisioni për ankesa më tutje shkon në këshill, pastaj pas këshillit ankuesi drejtohet në gjyq dhe gjyqi duhet ta zbatojë”, ka thënë ministri Yagcilar.

Ndërsa, nga ana strategjike, Yagcilar ka thënë se mendojnë të krijojnë një inspektim administrativ që të gjitha këto vendime edhe të këshillit edhe mangësitë eventuale të evitohen para se të bëhet vendimi nga këshilli apo institucioni gjetës.

Mirëpo, deputetët opozitarë kanë pasur kritika të shumta në këtë raport, për gjendjen e shërbimit civil të Kosovës, duke theksuar se ai po vuan nga politizimi dhe joprofesionalizimi, pasi po punësohen njerëz me intervenime.

Deputeti i LDK-së, Sadri Ferati ka thënë se nuk dihet ende se kah do të shkojë Kosova me ato reformime që janë paraparë për të sanuar një gjendje aq të rëndë, duke shtuar se familjarzimi dhe militantizmi është shndërruar një vështirësi.

“Ka kohë që të rinjtë tanë ngurrojnë për të konkurruar dhe nuk fillojnë të lexojnë para se të shkojnë në intervistë, por fillojnë të gjejnë ndonjë lidhje ngase i kanë humbur shpresat se në ndonjë konkurs do të kërkohet të punësohet më i miri. Edhe në këtë raport, ne nuk po shohim se cili është roli i Ministrisë në këtë çështje. Ministria nuk është agjenci, ka përgjegjësi dhe duhet ta ushtrojë këtë profesion kudo qoftë. Ne kemi rastin e aq abuzimeve të mëdha me konkurs. Kemi rastin e fundit minimum për komunën e Mitrovicës e di, pas shpalljes së konkursit për drejtorë, është anuluar dhe konkurrentëve për drejtorë iu ka thënë se aq sa vota fiton, aq do të përzgjidhet. Atyre nuk iu kërkohet që të jenë profesionistë, por se sa vota të PDK-së ata peshojnë”, ka thënë Ferati.

Mirëpo, krejt ndryshe mendon deputetja e PDK-së, Xhevahire Izmaku, e cila ka thënë se Administrata është dhe mbetet një arsye shumë e madhe që të gjitha institucionet të përkushtohen me profesionalizëm dhe përgjegjësi që dalin nga ky aparat shumë i rëndësishëm i shtetit.

Ajo tha se Qeveria e Kosovës ka hartuar edhe infrastrukturën ligjore në mënyrë që të avancohet shërbimi civil i Kosovës dhe të jetë sa më profesionale.

Ndërsa, deputeti i Vetëvendosjes, Afrim Kasolli ka thënë se nuk ka dyshim se administrata civile dhe shërbyesit civil përbëjnë njërën nga hallkat kryesore për mirë funksionimin e institucioneve të Kosovës dhe se analizimi i plotë për gjendjen në këtë sektor është mëse e nevojshme për të krijuar një pasqyrë me adekuate për funksionimin e këtij sektori institucional.

“Sipas tij, çështje tjetër që përben majën kulmore të dështimit edhe në këtë sferë mbetet kualifikimi në shërbimin civil, ku, siç dihet, më se 46 për qind të stafit të kësaj sfere janë vetëm me shkollë të mesme”, tha ai.

Edhe deputetët e AAK-së kanë dhënë vërejtje të shumta rreth këtij, raporti duke e cilësuar shërbimin civil të politizuar, jo profesional dhe jo efikas. Deputetja e AAK-së, Teuta Haxhiu ka thënë se ky raport shihet që ka shumë përshkrime që nuk i kontribuon rekomandimeve që kanë ardhur nga raporti i progresit për reformim në administratë. Ajo ka thënë se është politizuar pikërisht nga partia në pushtet.

Ndërsa, me kërkesë të LDK-së dhe e mbështetur nga grupet tjera të partive politike është hequr nga rendi i ditës dhe është shtyrë për një seancë tjetër raporti vjetor i Radiotelevizionit të Kosovës për vitin 2012. Ndërsa, me 35 vota për, 28 kundër dhe 2 abstenime deputetët votuan raportin e Agjencisë së Statistikave të Kosovës për vitin 2012.

Artikulli paraprakÇantat e stërngarkuara po sjellin deformime kurrizore te nxënësit
Artikulli vijuesBeogradi e emëron Panticin kryetar të Mitrovicës!