Shërbimi sekret i Maqedonisë perceptohet nga shqiptarët e këtij vendi si institucioni, prej nga e kanë burimin të këqijat më të mëdha ndaj tyre.
Kështu është shprehur deputeti i PDSH-së, Ernad Fejzullahu, në Komisionin parlamentar për Mbikëqyrjen e punës së Shërbimeve Inteligjente dhe Policisë.
Siç u shpreh udhëheqësi i PDSH-së, Menduh Thaçi, ai është ndjekur ndër vite nga shërbimet sekrete maqedonase, vetëm pse është angazhuar për avancimin e të drejtave të shqiptarëve.
“Shërbimi sekret maqedonas është i brumosur nga brenda me antishqiptarizëm. Në mendjen kolektive të shqiptarëve, ashtu si edhe MPB-ja, këto dy institucione perceptohen si burimi i së keqes dhe raprezaljeve që përjetojnë shqiptarët”, tha Ernad Fejzullahu, deputet i PDSH-së, raporton Tch.
Gjatë debatit lidhur me raportin e ekspertëve evropianë mbi sundimin e së drejtës në vend dhe rekomandimeve, që ata propozojnë për hetimin e materialeve të përgjuara, deputetët e opozitës maqedonase akuzuan kryeministrin Gruevski se, ka rrënuar sistemin kushtetues duke shpërdoruar pushtetin.
“Qeveria dhe VMRO-DPMNE-ja kanë shkelur parimet bazë të Kushtetutës, duke përgjuar politikanët e qeverisë dhe pushtetit, por edhe gazetarët dhe aktivistët e shoqërisë civile”, tha Goran Misovski, deputet i PRSD-së.
Me vlerësime krejtësisht të ndryshme dolën deputetët e partisë maqedonase në pushtet, VMRO-DPMNE, të cilët shprehën rezerva për raportin e përgatitur nga ekspertët e Komisionit Evropian.
“Jam i detyruar të shpreh rezervat që kam, ndaj të gjitha vërejtjeve, sepse nuk është e mundur që në një afat prej 7 ditësh të bëhet një analizë për situatën në vend. Bëhet fjalë për raport subjektiv”, tha Pavle Sazdov, deputet i VMRO-DPMNE-së.
Deputetët e opozitës theksuan nevojën për reforma të thella në Drejtorinë për Sigurinë dhe Kundërzbulimin. Ata kërkuan që kontrolli parlamentar mbi shërbimet inteligjente në vend të mos mbetej vetëm në letër.