Shkup, dështimi i operacionit “Monstra”

Katër muaj pas aksionit policor “Monstra”, hetimet e Prokurorisë për vrasjen e pesë të rinjve maqedonas pranë liqenit të Smilkovcit, në afërsi të Shkupit, kanë ngecur tërësisht.

Naser Raufi, avokati që mbron të akuzuarit, sqaron se në bazë të ligjit atyre mund t’iu zgjatet paraburgimi edhe dy muaj. Në rast se në këtë afat nuk ngrihet aktakuzë ndaj tyre, ndërpritet paraburgimi dhe procedura për të akuzuarit.

“Më 30 gusht bëhen 4 muaj që personat e akuzuar për këtë rast ndodhen në paraburgim. Ende nuk kanë filluar hetimet nga ana e gjykatësit hetues, me arsyetimin që ende nuk janë kryer analizat forenzike nga ana e Ministrisë së Punë të Brendshme. Dje kontaktova me gjykatësin hetues, por ende nuk ka termin se kur do të prezantohen provat për këtë rast. Mendoj që arsyeja për këtë zvarritje është mungesa e provave. Të akuzuarit nuk janë të përfshirë në këtë rast penal”, u shpreh avokati.

Ndërkohë, lidhur me vrasjen e pesëfishtë, që ndodhi në muajin prill, javorja në gjuhën maqedonase ‘Fokus’ ka publikuar sot një shkrim ku kontestohen akuzat e policisë maqedonase se vrasja është kryer nga një grup “radikalësh islamikë”.

Duke analizuar njërin nga personat për të cilët dyshohet se ka kryer aktin makabër, kjo javore shkruan se motivi i vrasjes mund të ketë qenë një zënkë për legalizimin e një toke rreth liqenit të Smilkovcit, transmeton TCH.

Sipas kësaj javore, njëri nga personat që ngarkohet për vrasjen e pesëfishtë dyshohet se në vitin 2011 ka kërcënuar kryetarin e komunës së Ilindenit, Zhika Stojanovski, duke gjuajtur me armë në drejtim të makinës së tij për shkak të problemeve që kishte hasur gjatë legalizimit të tokës rreth liqenit të Smilkovcit, ku u krye vrasja.

Në mungesë të prononcimeve publike për rastin, mbetet të shihet se si do të arsyetojë ministrja e brendshme Gordana Jankullovska akuzat për terrorizëm nëse dëshmohet se vrasja është kryer vetëm për të treguar se kush është më i fortë, shkruan Fokus./kohaislame

Artikulli paraprakApple fiton betejën me Samsung
Artikulli vijuesOmbudspersoni paralajmëron kaos