Shkup, polemika për bustin e Jasharit

Përmendorja e heroit Adem Jashari, e ngirtur ditë më parë në fshatin Radush të Shkupit me iniciativë të disa funksionarëve të BDI-së, ka shkaktuar polemika të ashpra mes deputetëve shqiptarë në Shkup.

Orhan Ibrahimi nga PDSH-ja tha se, BDI ka përbuzur figurën e Adem Jasharit pasi forma e përmendores është skandaloze. Sipas tij, busti i heroit shqiptar e ka vendin në mes të Shkupit dhe jo nëpër fshatra.

“Ju luani me figurën më emblematike të kombit, me atë të Adem Jasharit, duke e përbuzur këtë hero legjendar me atë shtatore skadandaloze dhe përbuzëse diletanteske. Ky hero kombëtar meriton të jetë në qendër të Shkupit, në mesin e dhjetra figurave historike të rajonit. Në këtë përvjetor të shenjtë, pse nuk vendosni përmendoret e heronjëve siç janë komandat Teli, Harun Aliu, etj, që dhanë shumë për kombin shqiptar, apo keni pasur misionin tjetër që të t’i likuidoni dhe vrisni ata”, deklaroi Ibrahimi.

Akuzave të Orhan Ibrahimit iu përgjigj deputetja e BDI-së, Ermira Mehmeti. “Ishte pikërisht PDSH ajo e cila para disa vitesh, proklamonte, premtonte dhe deklaronte se do të vendoste bustin e Adem Jasharit në Saraj. Pa hyrë në debat thelbësor mbi realizimin estetik apo artistik të bustit, ku me siguri përherë do ketë hapsirë për argumente, ajo çka është me rëndësi është se ka një iniciativë gjithshqiptare për të manifestuar 100-vjetorin dhe PDSH nuk është pjesë e këtij manifestimi gjithshqiptar apo gjithkombëtar”, replikoi Mehmeti.

Forma e bustit të Adem Jasharit është kritikuar edhe nga analistët shqiptarë në Shkup dhe Prishtinë. Përmendorja e këtij heroi shqiptar është ngritur mbi një tank të Armatës së Maqedonisë, të mbetur në fshatin Radushë nga konflikti i vitit 2001. Sipas mediave maqedonase, me këtë veprim shqiptarët kanë provokuar shtetin.

Artikulli paraprakGjendet i masakruar 23 vjeçari i zhdukur
Artikulli vijuesPalestinezët e Rripit të Gazës pushkatuan 6 persona për ndihmën e dhënë ushtarakëve izraelitë