Një shpërthim i fuqishëm ka tronditur Nju Jorkun. Mësohet se të paktën 29 persona kanë mbetur të plagosur nga kjo ngjarje, njëri prej të cilëve është në gjendje të rëndë.
Ndërsa është rritur frika për ndonjë sulm terrorist në qytetin që njihet si “kryeqyteti i botës”.
Kryebashkiaku i qytetit, Bill de Blasio, është shprehur se, bëhet fjalë për një veprim të qëllimshëm.
“Është një akt i qëllimshëm, por nga hetimet e deritanishme kjo ngjarje nuk ka lidhje me terrorizmin”,- është shprehur de Blasio.
Pas shpërthimit në lagjen e Çelsit, disa orë më vonë është gjetur edhe një bombë tjetër e pashpërthyer, e cila ishte lënë në një makinë “Dodge Caravan” e cila ishte parkuar në rrugën 27, mes bulevardit të 6 me atë të 7.
Sipas policisë, mjeti shpërthyes është i njëjtë me atë të përdorur në maratonën e Bostonit, një tenxhere e mbushur me eksploziv, ka bërë të ditur policia e Nju Jorkut.
Një video e re është bërë publike në mediat e huaja, në të cilën shikohet momenti i shpërthimit në Nju Jork, i cili la pas 29 persona të plagosur.