Shpëtohen emigrantët që qëndronin 2 muaj në det të hapur

Të uritur, të dërrmuar dhe të lënë në mëshirë të fatit, 700 emigrantët që po vdisnin urie në det të hapur u shpëtuan ditën e sotme nga autoritetet indoneziane.
 
Këta njerëz të dëshpëruar ishin në ditët e fundit të jetës së tyre, pasi kishin dy muaj pa ushqim dhe ujë të pijshëm. Ata u braktisën nga ekuipazhi i anijes me të cilën po udhëtonin për një jetë më të mirë.
 
Bëhet fjalë për një grup etnik mysliman nga Birmania, të cilët lanë vendin budist për shkak të diskriminimit të tejskajshëm. Ata ëndërronin për një jetë më të mirë në Malajzi, por autoritetet malajziane nuk i pranuan dhe i lanë për dy muaj në det të hapur.
 
Anija e tyre u shty qëllimisht nga roja bregdetare malajziane drejt brigjeve të Indonezisë. Ndërsa autoritetet e kësaj të fundit ndërhynë për t’i shpëtuar.
 
Mes tyre ka edhe shumë fëmijë e gra, që janë në gjendje kritike për jetën. Ata janë kockë e lëkure dhe po trajtohen me serume. Por ky rast është një nga shumë raste të tjera të asaj që quhen “ping-pongu njerëzor”.
 
Birmania nuk i pranon as si shtetas këto grupe etnike myslimane, ndërsa Malajzia, edhe pse me shumicë myslimane, i lë emigrantët në det duke ua bllokuar ankorimin në brigjet e saj. E vetmja shpresë për ta është Indonezia, e cila është treguar e pakursyer në ndihmë të tyre, edhe pse është shumë kilometra më larg./mszh
Artikulli paraprakSi të veproni kur vuani nga shkuarja e barkut (diarreja)?
Artikulli vijuesEgjipt, Presidenti Muhamed Mursi dënohet me vdekje