Yavuz thekson se FETO është strukturuar dhe ka shpërndarë aktivitetet e saj veçanërisht në Afrikë
Zëvendëspresidenti i Fondacionit Maarif të Turqisë (TMV), Ambasadori Dr. Hasan Yavuz, thekson se organizatën terroriste FETO shtetet e Afrikës e shohin si rrezik për sigurinë e brendshme dhe se shumë shtete kanë marrë masa kundër kësaj strukture.
Anëtari i kryesisë përgjegjës për aktivitetet e fondacionit në Afrikë dhe ish-ambasadori i Turqisë në Xhibuti, Yavuz, duke folur për Anadolu Agency (AA) në lidhje me aktivitetet e fondacionit në Afrikë, shprehet se marrja përsipër e shkollave të FETO-s jashtë Turqisë nuk është synimi i vetëm i organizatës, porse fondacioni është themeluar me qëllime të ndryshme, si hapja e shkollave, objekteve dhe qendrave të ndryshme edukative dhe kulturore. Ai ka shtuar se kontinenti i Afrikës është njëri ndër rajonet më të rëndësishme për aktivitete në këto sfera.
Yavuz thekson se FETO është strukturuar dhe ka shpërndarë aktivitetet e saj veçanërisht në Afrikë.
Duke treguar se është nënshkruar marrëveshje me shumë shtete për transferimin e institucioneve të FETO-s në emër të fondacionit, ai deklaron në shtete si Guinea, Nigeri dhe Somalia ka filluar arsimi nën çatinë e TMV-së.
-“Kanë filluar iniciativat për vendosjen e organizatës në listat e organizatave terroriste”
Yavuz rikujton se shtetet si Angola, Gambia dhe Maroku kanë mbyllur shkollat e organizatës duke e konsideruar FETO-n si “kërcënim për sigurinë e brendshme”. “Shtetet e Afrikës këtë organizatë e konsiderojnë si kërcënim për sigurinë e brendshme. Shumë shtete kanë marrë masa kundër kësaj strukture. Kemi filluar iniciativa që Unioni i Afrikës të vendosë FETO-n në listën e organizatave terroriste”, thotë ai.
“Ashtu siç mundohet të bëjë propagandë të zezë kundër Turqisë në këto shtete, FETO ka bashkëpunime edhe me inteligjencën e këtyre shteteve”, vlerëson Yavuz.
-“Fëmijët e politikanëve nuk do të kenë përparësi”
Yavuz ka theksuar se Fondacioni nuk ka bërë pauzë në arsimin nëpër shkollat të cilët i ka marrë përsipër dhe se nuk ka lejuar të keqpërdoren nxënësit dhe familjet e tyre. “Me shkollat dhe qendrat për arsim dhe kulturë që i kemi marrë përsipër kemi qëllim të bëjmë një diplomaci për forcimin e lidhjeve shpirtërore mes Turqisë dhe Afrikës”, ka theksuar ndër të tjera Yavuz, duke shtuar se shkollat e Fondacionit Maarif do të jenë ura shpirtërore mes Turqisë dhe Afrikës.
I pyetur në lidhje me politikën e bursave të Fondacionit, Yavuz ka nënvizuar se FETO gjatë shpërndarjes së bursave ka zgjedhur fëmijët e politikanëve dhe njerëzve të rëndësishëm. “Fëmijët e politikanëve dhe të njerëzve të cilët gjenden nëpër pozicione kritike nuk do të kenë përparësi nga TMV-ja, por përparësi do të jetë ndihma ndaj atyre që kanë nevojë dhe që kanë aftësi, pa marr parasysh se fëmijët e kujt janë ato. Si ka mundësi që një institucion i cili ka për qëllim formimin e urave shpirtërore të ketë kritere të tjera në shpërndarjen e bursave jashtë kritereve themelore të cilët janë nevoja dhe suksesi,” shprehet ai.
Yavuz gjithashtu njofton se në çdo sektor që do të ketë nevojë, në periudhën e ardhshme do të realizohen bashkëpunime edhe me Drejtorinë e Turqve të Diasporës dhe Komuniteteve Farefisnore (YTB), Agjencinë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) dhe me Institutin “Junus Emre” (YEE).
-Do të hapen edhe institucione të arsimit të lartë
Ai ka theksuar se Fondacioni është i autorizuar për hapjen e institucioneve arsimore prej arsimit parashkollor e deri në arsimin e lartë. “Fondacioni jonë, duke shtuar nga një aktivitet për çdo ditë, në gjithë këto troje do të hap institucione të arsimit parashkollor, arsimit të mesëm dhe të arsimit të lartë në periudhën e ardhshme, ndërsa në ato shtete ku do të hapen, do të ketë edukim të njerëzve në mënyrë etike, të sinqertë dhe të suksesshme, dhe do të përpiqen për pasurimin e këtyre shoqërive me individë të cilët do t’i shërbejnë së pari shteteve të tyre,” thotë Yavuz.
Gjithashtu ka tërhequr vëmendjen se Turqia nuk ka asnjë lloj axhende të fshehur në lidhje me Afrikën, Ballkanin, Azinë Qendrore ose rajonet e tjera të botës. “Ne jemi një popull i besueshëm, i cili përfaqëson paqen dhe drejtësinë në botë. Fatkeqësisht, FETO ka arritur të përhapet duke shfrytëzuar këtë imazh të Turqisë. Por, pas asaj doli në pah se kanë pasur axhenda të fshehta”, ka vlerësuar Yavuz.
-“Turqia ka një domethënie të madhe për Afrikën”
Ambasadori Yavuz është shprehur se Turqia ka një domethënie të madhe për Afrikën. “Dua të tregoj një kujtim. Në Sao Tome, ku popullata 99% janë të krishterë, kryeministri është musliman dhe ka ardhur në qeveri duke fituar zgjedhjet. ‘Dua që njerëzit të zhvillojnë njerëzit që do të ndërtojnë ardhmërinë e shtetit tonë, duke punuar me Turqinë në sektorët e arsimit dhe kulturës’ më tha ai,” është shprehur Yavuz.
Yavuz ka thënë se si Fondacion kanë nënshkruar marrëveshje për ndërtimin e një shkolle dhe një qendre kulturore në Sao Tome, shtet i cili nuk ka lejuar strukturimin e FETO-s ne vend.
-“Transferimi i shkollave në Etiopi është një shkallë e rëndësishme”
Ndërkaq, duke folur për efektin që mund të ketë në shtetet e tjera transferimi i kompetencave të shkollave në Etiopi, Yavuz shprehet: “Është e qartë se sa e rëndësishme është Etiopia për kontinentin e Afrikës… E vërtet është që transferimi i shkollave këtu është një shkallë e rëndësishme, por nuk duhet harruar se çdo shtet në Afrikë, lëvizjet i bën sipas dinamikave të brendshme. Për këtë shkak, duhet t’u japim informacione rreth nesh dhe të mundohemi edhe për shtetet tjera, aq sa mundohemi edhe për Etiopinë.”
Yavuz tha se transferimin i shkollave në Etiopi do ta përfundojnë në periudhat në vijim.
-Shkolla e Fondacionit Maarif në Xhibuti
Yavuz, ish-ambasador i Xhibutit, duke rikujtuar marrëveshjen e nënshkruar javën e kaluar mes ministrit të Arsimit të Turqisë, İsmet Yılmaz dhe homologut të tij nga Xhibuti, Mustafa Muhammed Mahmud, për hapjen e një shkolle të Fondacionit Maarif në Xhibuti, ka theksuar se lokacioni për hapjen e shkollës është caktuar në kohën kur ai vetë ka qenë ambasador në Xhibuti.
“Kemi caktuar tokë prej 4 hektarësh për qëllime arsimore dhe kulturore në Xhibuti në vitin 2013. Hapja e shkollave teknike për të cilat ka nevojë Xhibuti, ishte një gjë e kemi dëshiruar tërë kohën dhe është caktuar një tokë për këtë. Janë caktuar edhe 3 hektarë për qëllime të shëndetësisë, 1 hektar për qëllime fetare, 1 hektar për qëllime të ambasadës dhe gjysmë hektari për qëllime ekonomike. Tani, realizimi i gjithë këtyre dhe takimi i shteteve tona në një ardhmëri të përbashkët, me të vërtet paraqet lumturi për ne”, ka vlerësuar Yavuz.
Duke folur në lidhje me prezencën e FETO-s në Xhibuti, Yavuz ka thënë se ata nuk kanë qenë të pranishëm kur ai ka filluar me detyrë në Xhibuti dhe se janë deportuar nga shteti që nga ai moment kur është vërejtur se ata kanë filluar me aktivitete që do të dëmtojnë Turqinë.
Yavuz ka informuar edhe në lidhje me gjendjen e fundit në kontinent, duke treguar se vazhdojnë me arsimimin nëpër shkollat në Somali, Guine dhe Niger dhe se 18 shkolla, 12 ndërtesa dhe 10 internate janë marr përsipër gjithsej deri tani.
Duke theksuar se janë nënshkruar marrëveshje për proceset e transferimit të shkollave në Mauritani, Çad, Gabon, Burkina Faso dhe Sao Tome, Yavuz ka rikujtuar se në Guine, i cili është shteti i parë afrikan që ka dorëzuar shkollat, është hapur Shkolla e Mesme Şehit Ömer Halisdemir.
Fondacioni i cili takimet në këtë kontinent i vazhdon në Uganda, Tanzani dhe Mozambik, së shpejti do të realizojë vizitë edhe në 14 shtete tjera.