Shteti ndau për Bujar Bukoshin 90 mijë euro

Ish-kryeministri i Kosovës në ekzil, ish-ministri i Shëndetësisë dhe ish-zëvendëskryeministri në Kosovën e pavarur, Bujar Bukoshi, është ndihmuar nga shteti me 90 mijë euro për shërim jashtë vendit.

Bukoshi, i cili ka udhëhequr për tri vite Ministrinë e Shëndetësisë në Kosovë, ka kërkuar shërim në një spital në Gjermani.

Në fillim të muajit dhjetor të vitit të kaluar, Qeveria e Haradinajt me një vendim ndau 30 mijë euro nga rezervat shtetërore për mbulimin e shpenzimeve për shërim jashtë vendit të Bujar Bukoshit. Para për Bukoshin kishte ndarë edhe Qeveria e Isa Mustafës gjatë muajit korrik, por ky vendim nuk ishte publikur asnjëherë.

E Bukoshi është ndihmuar edhe dy herë të tjera nga shteti për shërim jashtë institucioneve publike shëndetësore.

Ish-kryeministri në ekzil, ish-ministri i Shëndetësisë në vitet 2007-2010 në Qeverinë Thaqi 1 dhe ish-zëvendëskryeministri në vitet 2010-2013 në Qeverinë Thaqi 2 ku Bukoshi arriti nëpërmjet Listës “Ibrahim Rugova” së bashku me Dardan Gashin dhe Ukë Rugovën. I shumëpërfoluri për Fondin e 3 përqindëshit, Bukoshi, ka marrë para për shërim edhe dy herë të tjera nga ministria që ka udhëhequr.

Gazeta Shneta ka mësuar se Bukoshi është përkrahur financiarisht me 30 mijë euro në nëntor të vitit 2016 nga Ministria e Shëndetësisë në bazë të Udhëzimit Administrativ për Trajtim Mjekësor Jashtë Institucioneve Shëndetësore Publike.

Po aq, 30 mijë euro, ka përfituar sërish në gusht të vitit të kaluar. Kjo është konfirmuar edhe nga MSH në një përgjigje për Gazeta Shneta.

“Ju njoftojmë se Ministria e Shëndetësisë/Fondi për Sigurim Shëndetësor ka përkrahur financiarisht nëpërmjet Programit për TMJIShP dy herë personin në fjalë. Më 09.11.2016 është përkrahur me 30,000.00€ dhe më datë 07.08.2017 është përkrahur me 30,000.00€”.

 

Bukoshi, i cili ka udhëhequr Ministrinë e Shëndetësisë në Kosovë për tri vite me radhë në Qeverinë e parë pas shpalljes së Pavarësisë, ka kërkuar para nga po kjo ministri për t’u trajtuar në një klinikë në Evropë.

MSH ka konfirmuar se pagesat janë bërë në llogari të klinikës urologjike “Urologie Maximilianstrasse” në Gjermani, institucion ky ku është duke u trajtuar Bukoshi.

Herën e fundit si zëvendëskryeministër, Bukoshi ka deklaruar pasuri të paluajtshme në vlerë prej 720 mijë euro. Vetëm shtëpia e tij në Prishtinë kap vlerën prej 400 mijë euro. Poashtu ai posedon edhe banesë 72 metra katrorë në vlerë 60 mijë euro në Shqipëri.

Kujtojmë se kjo nuk është hera e vetme kur përveç MSH-së, edhe Qeveria ndan para për trajtim jashtë vendit të zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të shtetit.

Ndarja e 30 mijë eurove për Bukoshin nga Qeveria ka ngjallur reagime nga shoqëria civile duke e cilësuar atë si njërin nga përgjegjësit e shkatërrimit të shëndetësisë në vend.

Mbulimi i shpenzimeve nga Qeveria për zyrtarët ndodhë në kohën kur pacientët detyrohen të kërkojnë para nga qytetarët për t’i mbuluar shpenzimet e shërimit jashtë Kosovës. /Gazeta Shneta/

Artikulli paraprakVeseli i zotohet ambasadorit amerikan se nuk do ta zhbëjnë Specialen
Artikulli vijuesKëta janë njerëzit më me ndikim në botën e kriptovalutave