Shtypi gjerman për korrupsionin në Kosovë dhe ndryshimin e qëndrimit të Beogradit ndaj Kosovës

Ndryshimi i pozicionit të Serbisë në lidhje me Kosovën dhe problemi i korrupsionit në Kosovë, janë tema të dy artikujve në shtypin gjerman.
Nën titullin “Gënjeshtra për Kosovën” gazeta “Frankfurter Allgemeine” analizon progresin e Serbisë në rrugën drejt integrimit, dhjetë vjet pas vrasjes së Zoran Xhinxhiç, arkitektit të idesë për një Serbi në BE:
“Dhjetë vjet pas vrasjes së ish-kryeministrit serb Zoran Xhinxhiç, në Serbi kanë ndryshuar shumë gjëra. Këtë e tregon qartë fakti që në revistën e përjavshme “Nin”, thur lavde për kryeministrin e vrarë, që dikur pati organizuar rënien e Millosheviçit, pikërisht Ivica Daçiç, zëdhënësi i dikurshëm i regjimit të Millosheviçit. Por edhe më e rëndësishme është ajo që Daçiç, sot kryeministër, thotë për Kosovën: Serbia “ende nuk e ka zgjidhur çështjen me të cilën merrej edhe qeveria Xhinxhiç. Ajo nuk e di se ku janë kufijtë e saj”, deklaron Daçiç. Më tej ai shton: “Për gati dhjetë vjet me radhë Kosova ishte temë tabu për të cilën në Serbi askush nuk mund të thoshte zyrtarisht të vërtetën. Janë treguar përralla, është gënjyer që Kosova ishte e jona, madje kështu përcaktohet edhe në kushtetutë. Sot kjo kushtetutë nuk na ndihmon aspak.” Fjalë të tilla nuk janë dëgjuar kurrë nga një kryeministër serb. Deklaratat e Daçiç lejojnë të duket e mundur një zgjidhje pragmatike mes Beogradit dhe Prishtinës, pesë vjet pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. BE-ja e josh Beogradin me shpërblim: Serbia shpreson në caktimin e një date për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE.”
“Süddeutsche Zeitung” në shkrimin “Jashtë kontrollit” tematizon problemin e korrupsionit në Kosovë. “Kosova është pas Shqipërisë vendi më i korruptuar në Evropë”, shkruan gazeta duke iu referuar të dhënave të Transparency International. Artikulli fokusohet në punën e një grupit gazetarësh, të cilët kanë objektiv të punës së tyre zbardhjen e rasteve të korrupsionit në politikë dhe ekonomi. Qendra kosovare për Gazetari Hulumtuese, nën drejtimin e gazetarit Avni Zogiani, në një punë të gjatë dhe këmbëngulëse disamujore, hulumtoi lidhjet mes dhënies së tenderave publikë dhe financimit të fushatës elektorale të partisë qeverisëse PDK të kryeministrit Thaçi. Rezultati: një rreth prej 43 firmash, të cilat i përkasin ish-këshilltarëve të kryeministrit, e patën mbështetur me gjithsej 280.000 euro fushatën elektorale. Më vonë ato morën tendera publikë për më shumë se 100 milionë euro edhe pse ofertat e tyre ishin dhjetëra herë më të shtrenjta se çmimet e tregut. Por puna hulumtuese e gazetarëve mbetet pa pasoja për shkak të mosfunksionimit të drejtësisë dhe të një parlamenti të dobët, konstaton “Süddeutsche Zeitung”. Në shënjestër të punës së qendrës është edhe puna e Eulex-it, që sipas Zogianit “i shmanget sistematikisht trajtimit të korrupsionit në nivelet më të larta të politikës”. Në përgjithësi Zogiani bazuar në rezultatet e punës investigative të qendrës që drejton, arrin në përfundimin se “ndërkombëtarët shpesh kanë luajtur dhe luajnë një rol të palavdishëm në Kosovë”.

Artikulli paraprakJAPONI – TËRMETI, CUNAMI DHE KRIZA BËRTHAMORE
Artikulli vijuesKosova, mbështetësja më e madhe e SHBA-së në botë