Si do e rregulloj çështjen e bartjes së shamisë në shkolla Avokati i ri i Popullit?

Nga Donat Maloku

Avokati i ri i Popullit në Kosovë, Hilmi Jashari, në një intervistë ekskluzive dhënë për portalin ‘tesheshi.com’, ka treguar për objektivat dhe synimet që ka si udhëheqës i këtij institucioni. Ai ka premtuar se do të hetoj çdo pretendim për shkelje të drejtave të njeriut, përfshirë këtu edhe të drejtat nga marrëdhënia e punës. 
Jashari ka folur edhe për bartjen e shamisë në shkolla ku ka thënë se me ligjet në fuqi nuk u ndalohet përdorimi i shamive në shkolla, por lejohet. Megjithatë, ai tha se kjo çështje duhet të rregullohet me ligj dhe të mos ketë mundësi për interpretime.

Avokat Jashari, se pari urimet për zgjedhjen tuaj si Avokat i Popullit. Ju keni qenë edhe më parë u.d, i këtij institucioni. Pse vendosët që sërish të merrni këtë pozitë?

Angazhimi profesional në institucionin e Avokatit të Popullit në Kosovë, që nga themelimi, mundësi për të njohur dhe studiuar edhe në institucionet tjera në Evropë, por gjithashtu edhe angazhimi i vazhdueshëm në fushën e të drejtave të njeriut për gjithë këto vite, më ka ndihmuar të krijoj besimin se mundem të avancojë institucionin e Avokatit të Popullit në Kosovë. Prandaj kam konkurruar në këtë proces të zgjedhjes së Avokatit të Popullit.

Sa respektohen të drejtat e njeriut në Kosovë? A trajtohen qytetarët në mënyrë të barabartë në vendin tonë?

Mbrojtja e të drejtave të njeriut është sistem kompleks dhe është në varësi të sistemit ligjor, sistemit gjyqësor, gjendjes së administratës publike dhe nivelit të mbrojtjes së të drejtave individuale të personit, duke përfshirë edhe respektimin e dinjitetit të tij. Prandaj, nuk mund të flitet për një parametër të përgjithshëm, i cili do të përshkruante nivelin e mbrojtjes. Sa i përket problemeve të sistemit apo mekanizmave është evidente se përballemi me sfida në zbatimin e standardeve ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, mbingarkesës së gjykatave me lëndë dhe që e dobëson dukshëm aftësinë e institucioneve për të mbrojtur të drejtat e njeriut. Një problem tjetër në këtë kuadër është pamundësia e qytetarëve të vendit për të shfrytëzuar mekanizmat ndërkombëtar për mbrojtje të të drejtave të njeriut. Republika e Kosovës ende nuk është anëtare e mekanizmave ndërkombëtar për të drejtat e njeriut, të cilat kanë qenë jashtëzakonisht efektive në avancimin e sistemit të mbrojtjes së të drejtave. Të gjitha shtetet e rajonit kanë ratifikuar Konventën Evropiane për Liritë dhe të Drejtat e Njeriut dhe me këtë i nënshtrohen mandatit të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Ndërsa, sa i përket trajtimit të barabartë, Kosova nga viti 2004, ka pasur në fuqi ligjin bazë për trajtim të barabartë, por është dëshmuar që ky ligj ka qenë i pazbatueshëm në praktikë. Deri më sot nuk ka asnjë vendim gjyqësor lidhur me trajtimin e barabartë, që ndryshe njihet si mos-diskriminim. Hyrja në fuqi e ligjit të ri kundër diskriminimit, supozohet se do të sjell ndryshim, meqenëse ka parashikuar më tepër procedura dhe sanksione për trajtim jo të barabartë. Pritjet janë që ky ligj do të sjell ndryshim lidhur me zbatimin praktik dhe ndalimin e diskriminimit. Gjithashtu, institucionet publike obligohen që t’i bëjnë promovim të fuqishëm këtij ligji me qëllim të avancimit të mbrojtjes së të drejtave. IAP do të filloj me monitorimin e zbatimit të ligjit dhe do të raportoj lidhur me të njëjtën përmes raporteve të veta.

Cili është bashkëpunimi i Kuvendit me Ombudspersonin dhe institucionet tjera publike për të adresuar shkeljet e të drejtave dhe lirive të njeriut?

Institucioni i Avokatit të Popullit është mekanizëm i Kuvendit për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Gjithashtu, në mbështetje të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, ka obligim juridik për t’i raportuar në baza vjetore Kuvendit lidhur me mbrojtjen e të drejtave të njeriut nga institucionet publike të Kosovës. Prandaj, bashkëpunimi është detyrim juridik dhe Avokati i Popullit këtë bashkëpunim e realizon në kuadër të komisionit të Kuvendit për të Drejtat e Njeriut. Derisa me institucionet tjera publike ky bashkëpunim bëhet përmes rekomandimeve të cilat Avokati i Popullit i drejton më qëllim të respektimit dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut. Niveli i zbatimit të rekomandimeve të Avokatit të Popullit është treguesi më i mirë për nivelin e këtij bashkëpunimi. Në teorinë dhe praktikën juridike të drejtave të njeriut, niveli i zbatimit të rekomandimeve shpeshherë është marrë si masë për matjen e nivelit të zhvillimit demokratik të një vendi. Avokati i Popullit shpreson në përkushtimin e institucioneve publike për ndërtimin e sistemit të qëndrueshëm demokratik dhe, me këtë, në zbatimin e rekomandimeve të tij. Sidoqoftë, nëse Avokati i Popullit has në situatën e mos zbatimit të rekomandimeve, do t’i raportoj Kuvendit dhe do të propozoj masa të përshtatshme për rivendosjen e së drejtës.

Si do të silleni me ato institucione që nuk respektojnë vendimet e juaja. P.sh. Ligji i Punës nuk respektohet, cdo ditë ka shkelje të të drejtave të punëtorëve të cilët punojnë jashtë orarit të punës?

Avokati i Popullit do të hetoj çdo pretendim për shkelje të drejtave të njeriut, përfshirë këtu edhe të drejtat nga marrëdhënia e punës. Në vartësi të hetimeve, Avokati i Popullit mund të rekomandoj masa për autoritetin përgjegjës, duke përfshirë edhe masa ndëshkuese. Avokati i Popullit, gjithashtu ka në dispozicion edhe një mekanizëm të fuqishëm juridik për të hapë hetime ex-officio, apo me vetë iniciativë, kur ka baza të arsyeshme për të besuar se të drejtat e njeriut janë shkelur.

Cili është mendimi juaj për bartjen e shamisë në shkolla?

Standardi i Konventës Evropiane për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut i zbatueshëm në sistemin tonë juridik këtë çështje e ka trajtuar në kuadër të së drejtës për jetë private dhe të lirisë së besimit. Në këtë kuptim, ky standard kërkon nga shtetet nënshkruese që këtë çështje ta rregullojnë me ligj. Kjo nënkupton që shtetet kanë lirinë e vendosjes se si duan ta trajtojnë, e vetmja kërkesë është që të nxirret një ligj për ta trajtuar, pavarësisht a është pro apo kundër bartjes së shamisë. Avokati i Popullit ka përgjegjësi që të kërkoj zbatimin e ligjit, por nuk është autoritet që vendos se çfarë do të jetë ligji. Këtë gjë e bëjnë t
ë zgjedhurit e popullit, dmth. deputetët e Kuvendit të Kosovës.

Sipas jush cilat institucione janë shkelësit më të mëdhenjë të ligjit në Kosovë dhe çfarë hapa mund të ndërmerrni ju ndaj tyre?

Unë kam vetëm katër ditë që kam filluar mandatin, ndërsa detyrimi i AP për të dhënë vlerësim përfundimtar me raport vjetor është i përcaktuar me ligj në bazë vjetore. Prandaj, është shumë e hershme për të dhënë vlerësim se cili është autoriteti i cilësuar si shkelësi më i madh i të drejtave të njeriut.

Si e vlerësoni punën e bërë nga ish-Avokati i Popullit, Sami Kurteshi. A i ka tejkaluar apo jo ai kompetencat si Avokat.

Është Kuvendi i Kosovës ai i cili zgjedh Avokatin e Popullit dhe të cilit i raporton Avokati Popullit, prandaj konsideroj se edhe vlerësimin për punën e bërë të paraardhësit tim në këtë detyrë, ka autoritet dhe legjitimitet ta bëjë Kuvendi i Republikës së Kosovës.

A mund të na thoni cilat janë objektivat e juaja kryesore, planet e juaja si udhëheqës i Avokat të Popullit?

Rritja e besimit të qytetarëve në institucionin e Avokatit të Popullit dhe në shkathtësitë / aftësitë e tij për të trajtuar të gjitha rastet që janë problematike, si dhe të sigurohet që rekomandimet që nxirren nga Avokati i Popullit të zbatohen nga Autoritetet Publike. Në këtë drejtim mendoj se duhet rritur kualiteti i Raporteve vjetore, në mënyrë që ato të jenë më konkrete dhe lehtë të kuptueshme nga të gjitha kategoritë shoqërore në vend. Po ashtu, do të shkohet drejt rritjes së numrit të rasteve që do të ngriten në bazë të detyrës zyrtare, e në këtë drejtim do të na shërbejnë jashtëzakonisht shumë edhe rastet e ngritura nga mediat dhe hulumtimet që gazetarët bëjnë në përmbushje të rolit që kanë. Kjo do të jetë edhe një nga mënyrat e të rritjes së bashkëpunimit me media, ashtu siç do të rritet bashkëpunimi edhe me shoqërinë civile, si aleatë të natyrshëm të misionit të Avokatit të Popullit. Në këtë drejtim, nevojiten iniciativa dhe aktivizim, ashtu si edhe projekte të cilat do të mund të realizoheshin bashkërisht.

Në fund, na flitni për imazhin që ka sot institucioni i Avokatit të Popullit…

Nuk do të ishte i besueshëm çfarëdo deklarimi për imazhin e Avokatit të Popullit nga vet Avokati i Popullit. Janë qytetarët e vendit ata të cilët e vlerësojnë më së miri imazhin e tij. Megjithëse Avokati i Popullit si institucion është i interesuar të angazhojë ndonjë institucion apo organizatë të pavarur, e cila në mënyrë të paanshme dhe objektive do të vlerësonte nivelin e imazhit që gëzon ky institucion. Nëse kjo arrihet të bëhet në baza të rregullta kohore, do të ndihmonte edhe vetë institucionin të ndërmarr veprime për të ngritur besimin dhe avancimin e profilit publik të Institucionit. /tesheshi.com/

Artikulli paraprakZakat
Artikulli vijuesA janë sulmet vetëvrasëse të motivuara nga feja?