“Të brohorasim të gjithë anti-Trumpin”, shkruante Roger Cohen tek The New York Times. Fitorja e Sadiq Khanit – djali mysliman i një shoferi autobusi – në zgjedhjet për Kryetarin e Bashkisë së Londrës, dërgon një mesazh global të shpresës mbi frikën, të hapjes mbi fanatizmin. Njëri prej tetë fëmijëve, i lindur nga imigrantë pakistanezë dhe i rritur në banesa sociale të Londrës, Khani është tani politikani mysliman më i rëndësishëm në Europën Perëndimore, në krye të “njërit prej qyteteve më të mëdhenj të botës”.
Shkalla e fitores së tij – ai fitoi më shumë se 1.3 milionë vota, gjë që i jep “një mandat personal që nuk ishte arritur ndonjëherë në historinë e Britanisë – është një përgjigje plot gëzim ndaj atyre që kanë përkëdhelur “tribalizmin dhe izolimin”, që nga 11 shtatori.
Më saktë, shkruante Oëen Jones tek The Guardian, është një kundërpërgjigje ndaj Zac Goldsmithit, i cili bëri një fushatë të turpshme “frike, shpifjesh dhe fanatizmi”. Ai u përpoq ta përshkruajë Khanin – një “mysliman progresist”, i cili ka marrë kërcënime me vdekje për shkak se ka votuar pro martesave të homoseksualëve – si një radikal të rrezikshëm. Ai përdori punën e mëparshme të Khanit si avokat për të drejtat e njeriut, si një lidhje mes tij dhe një grushti ekstremistësh islamikë. Në një artikull për The Daily Mail, të ilustruar me një fotografi të madhe të një prej autobusëve që u shkatërruan në atentatet me bombë të 7 korrikut, Goldsmith shkruante se Khani ka “legjitimuar në mënyrë të përsëritur, njerëz me pikëpamje ekstremiste”.
Kjo nuk ishte thjeshtë Islamofobi e pëshpëritur: mund të dëgjohej fort dhe qartë. Fatmirësisht, londinezët nuk ia vunë veshin.
Goldsmithi – më parë një deputet i suksesshëm dhe eksponent i fushatave ekologjiste – tashmë shihet politikisht si një turp. Dhe kështu duhet të mbetet. “As falje, as harresë. Kudo ku shkon Goldsmithi tani, ai duhet të ndeshë në protesta, të shihet si persona non grata”, për të garantuar që politikanët të mos përdorin më kurrë taktika të tilla të pista.
Nëse ka një gjë në të cilën e majta shkëlqen ende, shkruante Janan Ganesh në Financial Times, kjo është “ndershmëria e ekzagjeruar”. Goldsmithi ishte një kandidat i keq, por jo shumë i keq. Ai kishte tërësisht të drejtë të ngrinte pyetje mbi përkatësinë dhe njohjet e dyshimta të Khanit. Në të kaluarën, Khani ka ndarë platforma me ekstremistë, duke përfshirë Sajeel Abu Ibrahimin, i cili është raportuar se ka patur një kamp në Pakistan, ku ishte stërvitur njëri prej atentatorëve të 7 korrikut. Ish kunati i Khanit ishte zëdhënës i grupit terrorist al-Muhajiroun. Si kryetar i Këshillit Mysliman të Britanisë, Khani një herë ka thënë në parlament se kleriku mysliman Yusuf al Qaradavi – i cili është dënuar për rrahje të bashkëshortes dhe për sulme kamikaze mbi civilët izraelitë – “nuk është ekstremisti që e përshkruajnë”. Asnjë prej këtyre nuk do të thotë se Khani është ekstremist në zemër, por gjithësesi ngrejnë pikëpyetje mbi gjykimin e tij. Nëse një kandidat konservator do të kish një të kaluar me platforma të përbashkëta me ekstremistë të djathtë, vërtetë mendoni se Laburistët do e kishin lënë të kalonte, prej mirësjelljes?
Si ish ekstremist që jam edhe vetë, unë e di mirë se Khani nuk është Islamist, shkruante Maajid Navaz tek “The Daily Beast”. Ai ishte avokati im kur, në vitin 2002, u burgosa në Egjipt për shkak të aktivitetit tim islamik. “Ai nuk mbështeste pikëpamjet e mia në atë kohë teokratike”, dhe nuk e ka bërë asnjëherë. Por me kalimin e viteve, ai ka patur një “prirje flirtimi me islamizmin”, kryesisht për të çuar përpara ambiciet e tij. Eshtë një fakt i trishtë se “ekstremistët mbeten ndër forcat e organizuara më të fuqishme në bazën myslimane në Britani”. Eshtë tejet tunduese që t’u bësh qejfin, në këmbim të votave. Si, për shembull, intervista që Khani dha për televizionin iranian në të cilën i quajti myslimanët reformatorë si “Uncle Toms”.
Cilatdo qofshin gabimet e tij të mëparshme, shkruante George Eaton në “New Statesman”, Khani bëri një fushatë pa të meta në zgjedhjet për kryebashkiak. Duke i paraprirë faktit që konservatorët do ta akuzonin për ekstremizëm, ai mbajti një fjalim të fortë në parlament vitin e kaluar, ku fliste se si myslimanët duhej të ndihmonin për të luftuar terrorizmin. Ai u përpoq të bëjë për vete hebrenjtë, foli kundër antisemitizmit të majtë, si dhe iu vardis bursës së Londrës duke premtuar që “do të jetë kryebashkiaku më probiznes që ka qenë ndonjëherë”, u distancua nga Jeremy Corbin. Ai u shndërrua në kandidatin centrist, ndërkohë që bëri dhe një punë shumë të mirë duke shitur historinë personale. Ai bëri fushatë duke u përqëndruar në temat që londinezët i kishin shumë për zemër, dhe shmangu sulme personale. Shkurt, u bë kaq i pëlqyeshëm, saqë votuesit “thjeshtë nuk e hëngrën akuzën e ekstremizmit”. Në vend të kësaj, ai iu kundërvu konservatorëve dhe shkoi drejt fitores historike./GazetaMendimi