Si e manipulon Kadareja të vërtetën mbi Čubrilović-in

0
205

 

 

“Në fund të fundit është një projekt i hershëm serb, famëkeqi drafti i Cubriloviçit, i cili ka parashtruar rrugën për të tërhequr në kurth shqiptarët. Thelbi i kurthit ka qenë armiqësimi shqiptarë – Evropë. Në këtë draft, një vend i veçantë i kushtohej rolit që do të luanin imamët dhe hoxhallarët e Kosovës për shpërnguljen e një pjese të kombit shqiptar jashtë Evropës, dhe sidomos për turqizimin e tij”.

Ky fragment nga intervista e fundit e Kadaresë (dhënë për Zëri-n) ka qarkulluar dendur thuajse në të gjitha mediat e shkruara shqiptare. Panorama e plas në hyrje formulën: “pjesë e draftit, roli që do të luanin imamët dhe hoxhallarët e Kosovës”. Drafti ka shumë pjesë, përse nënvizohet pikërisht kjo? Përse nuk shoqërohet me sqarimin e klimës së terrorit të teorizuar nga ideologu serb? Perse nuk citohet se shkatërrimi i identitetit fetar islam të shqiptarëve të Kosovës, në mendjen e Čubrilović-it, do të mundësonte spastrimin e trevës shqiptare? Përse nuk thuhet se ndaj imamëve do të drejtohej (edhe) dhuna? Mbase mund të shërbejnë disa saktësime nga memorandumi Dëbimi i shqiptarëve, i prezantuar në Beograd më 7 mars 1937 nga Vaso Čubrilović.

“Është fakt i njohur”, shkruan Čubrilović, “se masat myslimane janë përgjithësisht të influencuara nga feja […] besëtytnitë dhe fanatizmi”. Prandaj “ne duhet fillimisht të kontrollojmë klerin dhe njerëzit me influencë përmes parave dhe kërcënimeve për të siguruar mbështetjen e tyre në dëbimin e shqiptarëve”.

Bashkëpunimi kushtëzohet nga të hollat dhe nga dhuna. Nuk ka dyshim që feja mund të lehtësonte joshjen e shqiptarëve për t’u larguar drejt Turqisë dhe kjo mund të nxitej nga kleri, por nuk mund të përkthehet si ndërmjetësim i vullnetshëm, i natyrshëm për klerin ose fenë islame në përgjithësi. Mos të harrohet se udhëheqësit e Lidhjes së Prizrenit dhe të Lidhjes së Pejës vinin nga tradita klerikale islame. Mirëpo Kadare nuk thellohet më tej, duke ndikuar në krijimin e imagjinatës së një kleri mysliman kosovar të prirë drejt bashkëpunimit me shovinizmin serb. Më shumë se rol që do të luanin imamët, për korrektesë do të duhej të konsiderohej si roli që u imponohej imamëve nga ideologu serb.

Čubrilović-i e zhvlerëson pretendimin e Kadaresë me dy paragrafët vijues, të cilët përmbledhin thelbin e vërtetë të mekanizmit dëbues. Ai e shtjellon memorandumin e tij racist me domosdoshmërinë e ndërhyrjes imponuese të aparateve shtetërore. Ligjet mund t’ua “bëjnë shqiptarëve jetesën të pamundur: gjoba, burgosje, aplikim i pamëshirshëm i kontrollit policor, si p.sh ndalimi i kontrabandës, prerja e pyjeve, dëmtimi i bujqësisë […], puna e detyruar dhe çdo masë tjetër që një forcë policore e duhur mund të imponojë; nga pikëpamja ekonomike, kjo duhet të përfshijë mosnjohjen e pronave të vjetra […], sekuestrimin e kullotave publike, anulimin e koncesioneve, tërheqjen e lejeve të ushtrimit të punës, përjashtime nga drejtimi, privat dhe administrata lokale; […] rrënimi i mureve rrethuese të shtëpive”.

Për ta ushqyer më tej ferrin Čubrilović-i i kushton një paragraf aksionit të popullsive lokale sllave kundër shqiptarëve:

“ne duhet t’u shpërndajmë armë kolonëve tanë […], të organizojmë format e vjetra të aksionit çetnik […], të nxisim një dyndje masive të malazezëve në mënyrë që të krijohet një konflikt i gjerë me shqiptarët e Metohisë”.

Pastaj ai rikthehet sërish tek feja. “Shqiptarët janë shumë të ndjeshëm për sa i takon fesë”, shkruan ai. Tërthorazi kuptohet se shqiptarët e Kosovës së asaj periudhe kishin identitet fetar të theksuar dhe ideologu serb teorizon shkatërrimin e tij, por jo ekzaltimin, siç, në të kundërt, fantazon i painformuari Kadare. Do të thotë se feja i bën të rrezikshëm, i pajis me identitet dhe natyrisht i përjashton.

Madje kolegu kroat i Čubrilović-it, Ivo Andrić-i, i dekoruar me Nobel në letërsi, kur propozon një draft për ri-ndarjen e trevave shqiptare (1939), nënvizon se shqiptarët myslimanë janë problemi i vërtetë për asimilimin. Nga kjo ndarje: “ne do të kemi rreth 200.000-300.000 shqiptarë, por këto janë në shumicë katolikë, marrëdhëniet e të cilëve me shqiptarët myslimanë nuk kanë qenë kurrë të mira; deportimi i shqiptarëve myslimanë në Turqi mund të vazhdojë kështu […] pa pengesa serioze”. Pra për Andrić-in të përjashtueshmit janë shqiptarët myslimanë, ndërsa tek katolikët ai shikon një farë aleati, për t’u shfrytëzuar kundër myslimanëve. Kjo mbase nga prapavija fetare e vetë autorit. Megjithatë çdo tentativë e ndonjë intelektuali shqiptar për ta bërë kapital këtë filokatolicizëm të shprehur në racizmin e Andrić-it do të ishte vërtet shërbimi më i mirë ndaj këtyre tezave perverse. Është e habitshme, nga ana tjetër, se si Kadareja sh
faqet përherë në pararojë kur “duhen” interpretuar fetarisht tezat e racizmit serb në stilin e Čubrilović-it. Të paktën të interpretohen në kontekst dhe në tërësi e jo duke përzgjedhur disa fragmente në funksion të skemave, për më tepër të lexuar si akuza ndaj përfaqësuesve të myslimanëve të Kosovës.

“Ata [myslimanët]”, vazhdon Čubrilović-i, “duhet të shënjestrohen edhe në këtë aspekt: diçka e tillë mund të arrihet përmes keqtrajtimit të kleritshkatërrimit të varrezave, ndalimin e poligamisë dhe veçanërisht […] aplikimin e shkollimit fillor të vajzave”.

Për ironi, më me përpikmëri se sa nga serbët, të gjitha këta metoda janë aplikuar gjerësisht nga regjimi enverist në Shqipëri, nga ai regjim për të cilin Kadare punoi me devotshmëri, për t’ia transformuar masës shqiptare memorien dhe botëkuptimin.

Në këtë mënyrë, për Čubrilović-in, feja islame dhe kleri i saj janë në krye të herës ndërpengesat kryesore në deshqiptarizimin e Kosovës. Një popullsi e terrorizuar me metodat e sipërcituara nuk mund të fajësohet sepse u largua në një vend që e priti për 1000 mijë motive, si p.sh oreksi demografik i Turqisë, lidhjet historike dhe amortizatorët kulturorë. Të iknin apo të dhunoheshin siç teorizon Čubrilović-i?

A mund të fajësohen arbrit e larguar në shtetet italiane në fund të shek. XV? Po kleri që e udhëhoqi këtë “varfërim demografik” të vendit? Duhen fajësuar venedikasit dhe aragonezët që pasi i shfrytëzuan kundër osmanëve i strehuan në tokat italiane të boshatisura nga murtaja? E as nuk duhen përgëzuar për ndonjë tolerancë, sepse i konvertuan nga ortodoksë në katolikë të ritit bizantin. Për ndryshe do të përfundonin si valdezët. Kush nuk e mbajti ritin bizantin sigurisht që u tjetërsua përfundimisht.

Kadareja është personi i fundit në botën shqiptare që ka tagrin të gjykojë të tjerët për dorëzim apo bashkëpunim. Ka pasur klerikë mysliman që janë vrarë nga represioni serb, siç ka pasur të tjerë që kanë bashkëpunuar, nga frika ose nga interesi, por vetë Kadareja është pjesëtar i “klerit” laiko-intelektual që bashkëpunoi me regjimin enverist, ku nga frika e ku nga karriera, ndërsa kolegët e panënshtruar burgoseshin, internoheshin e vriteshin.

Ai nuk mund të spekulojë me instinktet njerëzore të mbijetesës, sikur shqiptarët e Kosovës po zgjidhnin mes Turqisë apo turqizmit oriental dhe Europës apo vlerave perëndimore. Ata që ikën, zgjodhën mes integrimit/shpëtimit dhe terrorit, mes lidhjeve me turqizmin dhe armiqve të tij me kryq në flamur. Pastaj, nëse ky integrim ishte nihilist për identitetin shqiptar, i turpshëm sepse oriental, kjo është logjikë e pavlerë përpara lirisë për të jetuar denjësisht.