Vëllezër të dashur, do të flasim për një temë shumë të rëndësishme,për të cilën njeriu ka nevojë në këtë botë. Fjala është për atë se si njeriu ta forcojë besimin, ngase sipas akides (besimit) së ehlis-sunnetit, besimi pakohet dhe shtohet.Mund të ndodhë që njeriut t’i pakohet besimi, e ai të mos e ndien.Kjo ka mundësi të jetë edhe nga shkaku se ai krahasohet me njerëzit përreth tij që janë me besim më të dobët se ai. Kështu, ai mendon se e ka besimin e fortë, ngase i falë tre-katër namaze në xhami, kurse të tjerët mezi i falin dy ose tre namaze në ç’mënyrë i krijohet bindja se besimin e ka të fortë. Ose, vjen në namazin e sabahut pas ikametit dhe mendon se me këtë e ka besimin më të fortë se njerëzit tjerë që nuk e falin aspak namazin.
Kjo është një punë me rëndësi shumë të madhe, për të cilën do të flasim më poshtë, megjithatë, fjala jonë nuk do të ketë dobi nëqoftëse atë nuk e pason edhe vepra, siç thotë All-llahu [subhanehu ve teala].: “Të cilët i dëgjojnë fjalët dhe pasojnë atë më të mirën prej tyre. Të tillët janë ata që All-llahu i udhëzoi në rrugën e drejtë dhe të tillët janë ata të mençurit.” (Zumer; 18)
Më poshtë po japim ca shembuj të njerëzve me iman të fortë dhe vepra të shkëlqyeshme.
Ebu Bekri [radijall-llahu anhu] hyri në një kopsht të ensarëve dhe e pa një shpend duke fluturuar. U ul në gjunjë dhe filloi të qajë. Dikush e pyeti: “Çfarë ke?”. All-llahu të mëshiroftë- tha Ebu Bekri- e pashë një shpend që furnizohet në këtë dru, në të cilin dru në fund edhe vdes, pa llogari para All-llahut dhe pa dënim. Ah, sa kisha dëshiruar të isha shpend. Ky është Ebu Bekri i përgëzuar me Xhennet. Transmetohet nga Omeri [radijall-llahu anhu] se Ebu Bekri [radijall-llahu anhu] çdoherë kur falte namazin e sabahut dilte nga xhamia dhe shkonte në një shtëpi jashtë Medines. Më tej Omeri [radijall-llahu anhu] thotë: “Hyra në atë shtëpi dhe aty gjeta një grua plakë të kërrusur dhe të verbër të cilën e pyeta: “Kush jeni ju dhe kush është ai njeriu i cili hyn në shtëpinë tuaj çdo ditë?”. Plaka u përgjigj: “Unë jam një plakë e kërrusur dhe e verbër, ndërsa njeriun që vjen te ne nuk e njoh. Ky njeri na e përgatit ushqimin, na e pastron shtëpinë, na i lanë rrobet dhe pastaj shkon”. Omeri [radijall-llahu anhu] filloi të qajë dhe tha: “I ke ngarkuar halifët që do të vijnë pas teje, o Ebu Bekër”.
Vëllezër, prej tabiinve ishte një dijetar me emrin Hasan El-Basri. Ky njeri ishte shumë i devotshëm ashtuqë shumë qante. Zemra e tij nuk ishte sikur zemrat tona. Në një rast i pyetur për këtë ka thënë: “Kam frikë se po më hudhë All-llahu [subhanehu ve teala] në zjarr, gjë që nuk e ka aspak vështirë.”
Dije, vëllau im i dashur, se prej shkaqeve që bëjnë të dobësohet imani është edhe ajo se dëgjimi i Kur’anit nuk ndikon në zemrat tona, gjë për të cilën All-llahu [subhanehu ve teala]. thotë në Kur’an: “Besimtarë të vërtetë janë ata të cilët kur përmendet All-llahu u rrënqethen zemrat e tyre, e kur u lexohen ajetet e tij u shtohet besimi.” [El Enfalë; 2]
Vëllezër, prej muslimanëve të parë kishte njerëz, të cilët kur e dëgjonin ezanin u zbeheshin fytyrat duke marrë abdest, dhe thonin: “A dini se para kujt do të qëndrojmë tani në namaz?”.
Njëherë i Dërguari [sal-lell-llahu alejhi ve sel-lem] i tha Ibën Mes’udit: “Më lexo diç nga Kur’ani”. Ibën Mes’udi u përgjigj: “A të lexoj Kur’an para teje kur ty të është zbritur?” I Dërguari [sal-lell-llahu alejhi ve sel-lem] tha: “Dëshiroj të dëgjoj nga të tjerët.” Atëherë Abdullah ibën Mes’udi filloi të lexojë nga sureja En Nisa deri sa arriti në ajetin dyzet e një ku Allahu [subhanehu ve teala]. thotë: “Dhe si do të jetë gjendja e atyre (që nuk besuan) kur Ne do të sjellim dëshmitar për çdo popull, e ty do të sjellim dëshmitar mbi ata?” Kur ibën Mes’udi lexoi këtë ajet, I Dërguari e urdhëroi të ndalet. Ibën Mes’udi thotë: “Kur shikova të Dërguarin [sal-lell-llahu alejhi ve sel-lem], pashë se atij i rridhnin lotët nëpër fytyrë.”
Një natë I Dërguari [sal-lell-llahu alejhi ve sel-lem] kaloi përreth disa njerëzve dhe dëgjoi një njeri duke lexuar ajetin e parë të sures El Gashijeh: “A të erdhi lajmi për belanë që kaplon (kijametin)?”,të cilin e përsëriste por nuk mundte ta plotësonte, ngase ky ajet e përkujtonte në Ditën e Gjykimit, për çka ndikonte thellë në zemrën e tij.
Aishja [radijall-llahu anha] thotë se i Dërguari [sal-lell-llahu alejhi ve sel-lem] rrinte në sexhde dhe thoshte: “O Zot pasuesit e mi, o Zot pasuesit e mi dhe qante në vete”.
E pse pra, vëllezër, kjo nuk ndodhë me ne?! Si duket zemrat tona janë të lidhura vetëm me kënaqësitë e kësaj bote dhe nuk i lënë shteg ajeteve të Kur’anit të ndikojnë në to. E si, vëllezër, të ndikojë Kur’ani në zemrat tona, të cilat kur janë në namaz duke lexuar ajetet e Kur’anit, janë të zhytura në hallet e kësaj bote, kurse ajetet flasin për Ditën e Gjykimit?! Vëllezër, kjo është edhe një shenjë e dobësisë së imanit tonë.
Kur i Dërguari [sal-lell-llahu alejhi ve sel-lem] ishte para vdekjes, i urdhëroi gratë e tij që t’i thonin Ebu Bekrit që ta zëvendësojë në namaz. Aishja [radijall-llahu anha] i tha: “Ebu Bekri është njeri i ndishëm o I Dërguar i All-llahut dhe qanë shumë kur lexon Kur’an.” Ebu Bekri, përndryshe, ishte njeriu më i mirë pas të Dërguarit [sal-lell-llahu alejhi ve sel-lem]
Në një rast tjetër Omeri [radijall-llahu anhu] duke ua falur njerëzve në xhami namazin e sabahut, lexoi nga sureja Jusuf derisa arriti tek ajeti 86: “Unë hidhërimin tim dhe pikëllimin tim, ia parashtroj All-llahut.” Filloi të qajë Omeri [radijall-llahu anhu] e pas tij filluan të qajnë edhe njerëzit që faleshin me të. Kjo ka qenë gjendja e sahabeve të Pejgamberit [sal-lell-llahu alejhi ve sel-lem] kur ata lexonin ose e dëgjonin Kur’anin. Ndërsa Ali Ibnu Fudejl Ibnu Ijadi thuhet se e ka përsëritur një ajet njëzet herë. Gjithashtu Omer ibën Abdulazizi njëherë natën është ngritur për të falë namaz dhe ka lexuar nga sureja Lejl. Kur ka arritur tek ajeti: “Unë u kam tërhequr vërejtjen për zjarrin të ndezur fortë” filloi ta përsëritë suren dhe nuk e plotësonte dot, derisa kaloi në sure tjetër. Ndërsa, njëri nga muslimanët e parë ka lexuar fjalën e All-llahut: “E sikur t’i shihje ata kur janë dalur pranë zjarrit e thonë: “Ah sikur të ktheheshim…” pa e plotësuar ajetin vdes.
Ne nuk mund të arrijmë këtë gradë, por duam që njeriu ta ndiejë brendinë e imanit, sepse All-llahu thotë: “A nuk e di ai kur të nxirret ai që është në varreza. Dhe të tubohet (të dalë në shesh) ajo që ishte në gjoksa. E atë ditë, padyshim Zoti i tyre është i njohur hollësisht për punën e tyre.” A e di se çfarë është ajo në gjoksa? Ajo është ajo që të ka nxitur të mendosh për të bërë mëkate, është ai mëkat që ti e ke fshehur, që është mes teje dhe All-llahut, siç thotë All-llahu [subhanehu ve teala].: “Atë ditë do të ekspozoheni (para Zotit) duke mos mbetur fshehtë asnjë sekret i juaj.”[Hakah; 18]
O ju vëllezër, nëse doni ta shihni dobësinë e imanit, shikoni se a ndikon Kur’ani kur e lexoni apo kur e dëgjoni. Vëreni falja e juaj pas imamit a është namaz me frikë ndaj All-llahut, a mendoni rreth leximit të Kur’anit që e dëgjoni, siç thotë All-llahu në Kur’an: “All-llahu shpalli thënien më të mirë, librin e ngjashëm në mrekulli, të përsëritur herë pas here (me këshilla, dispozita) që prej (dëgjimit të tij) rrënqethen lëkurat e tyre.”
Omer ibën Abdulazizi njëherë është ngritur natën të falë namaz dhe ka filluar të qajë. Pas tij filluan të qajnë edhe familja e tij, e madje edhe fqinjët e tij. Pas asaj nate, në mëngjes, e pyetën se çfarë ishte ajo që e kishte shtyrë të qajë, në çka ai u përgjigj: “Lexova ajetin e All-llahut: “(Si do të jetë gjendja halli) Kur do të ndahen një grup për në Xhennet e një grup për në zjarr?”, e unë mendova se cilit grup do t’i takojë, grupit të Xhennetit apo grupit për në zjarr, ndërsa gruaja e tij Fatimja tha: “Omer ibën Abdulazizi qante aq tepër saqë mendoja se do t’i dalë shpirti dhe kështu vazhdonte derisa thirrte ezani i sabahut, e pastaj shkonte në xhami.” Kjo është gjendja e muslimanëve të parë kur ata lexonin Kur’an. All-llahu [subhanehu ve teala]. përkitazi me këtë në Kur’an thotë: “A nuk e studijojnë me vëmendje Kur’anin? Por jo, ata janë zemra që kanë drynat e vet.” [Muhammed; 24]
O ju vëllezër, sikur të zbriste Kur’ani mbi kodra, ata do të bëheshin pluhur. Andaj, çka mbetet të thuhet për zemrat tona? Me zemrat tona, thuajse, nuk ndodh asgjë, ngase i kanë mbuluar mëkatet. Ndodh që muslimanëve u len gjurmë në zemrat e tyre, por kur të lexon tregimet e Kur’anit nuk e prek në zemër, nëse dëgjon për armikun frikohet e kur dëgjon për dënimin e All-llahut nuk frikohet.
Ndërsa besimtari nuk është kështu. Besimtari kur lexon ajetet që flasin për Ditën e Gjykimit, nga frika e dënimit i rrënqethet trupi, e kur lexon ajetet që flasin për dhuntitë e Xhennetit shpreson në ato dhe prapë i rrënqethet trupi. Si duhet të veprojë, për shembull, ai që e dëgjon këtë ajet: “E padyshim se Xhehennemi do të jetë në pritë.”? Ose, si duhet të veprojë ai që dëgjon këtë ajet: “S’ka dyshim se të devotshmit kanë fitime të mëdha.”?
Kur i Dërguari [sal-lell-llahu alejhi ve sel-lem] ishte në namaz dhe kalonte gjatë leximit të Kur’anit nëpër ajetet që flasin për dënimin e All-llahut, kërkonte nga All-llahu mbrojtje, e kur lexonte ajetet që flasin për mëshirën e All-llahut, kërkonte nga mirësitë e tij.
Ndërsa muslimanin e sotëm, nëse e pyet se çfarë lexoi imami në namaz, nuk e di, ngase gjatë gjithë kohës ka qenë i zënë me jetën e kësaj bote.I Dërguari i All-llahut, Muhammedi [sal-lell-llahu alejhi ve sel-lem], përmend në një hadith një shenjë të njeriut të devotshëm: “ Një njeri i cili pëmend All-llahun në vetmi, e sytë e tij rrjedhin lot.” Shikoje tani veten tënde, a je stolisur edhe ti me këtë cilësi të lartë të të devotshmëve, o robi i All-llahut?!
Poashtu besimin e dobësojnë edhe mëkatet e shumta, ashtuqë njeriu e bën mëkatin pastaj thotë se do ta shlyejë me punë të mira, shikon tërë kohën në televizion, shkon në treg, përgojon dhe harron se ç’thotë All-llahu në Kur’an: “Dhe vihet libri (i veprave) e i sheh mëkatarët të frikësuar nga shënimet që janë në të dhe thonë: “Të mjerët ne, ç’është puna e këtij libri që nuk ka lënë as (mëkat) të vogël e as të madh pa e përfshirë?” Dhe atë që e vepruan e gjejnë të gatshme – prezente, e Zoti yt nuk i bën padrejtë askujt.” [Kehf; 49].
Më e keqja e gjithë kësaj është kur njeriu vepron mëkatin dhe plus krenohet para tjerëve me mëkatin e bërë, duke harruar se I Dërguari [sal-lell-llahu alejhi ve sel-lem] thotë: “Gjithë ummeti im është i falur, përveç atyre që i bëjnë mëkatet haptazi.” Prej shkaqeve që bëjnë të dobësohet imani është edhe përtacia në ibadete. Prandaj, vëllau im, llogarite veten e mos u vono në ibadete, ngase All-llahu [subhanehu ve teala]. të hudh në Xhehennem. Madje, edhe përtacia në ibadete është prej shenjave të hipokrizisë, siç thotë All-llahu [subhanehu ve teala]. kur flet për munafikët: “ E kur ngrihen për në namaz, ngriten me përtaci.”
Hapat e tua të para në Islam ishin shpresëdhënëse, ngase ti qëndroje duke e lexuar librin e All-llahut, duke e përmendur All-llahun mëngjes e mbrëmje, e tani e ke harruar nga përtacia që të ka kapluar, ke harruar ta përmendësh All-llahun. Ku është ajo përmendje e All-llahut që e bëje më parë dhe çka ndikoi te ti që u ndryshove? Ti ishe prej atyre që e lexonin librin e All-llahut disa orë në ditë dhe e zbatoje atë në jetën tënde, ndërsa tani kjo mungon në veprat tua.Vëlla, dije se kjo është nga përtacia dhe dobësimi i besimit tënd. Për ty më parë namazi i natës ishte i pazëvendësueshëm, ndërsa tani namazin e natës e falë vetëm në muajin e ramazanit. Ti agjëroje çdo të hëne e të enjte rregullisht, e tani nuk e agjëron asnjë ditë në muaj. Vallë a nuk të mungon tërë ajo kënaqësi që e ndjeje në ato vite të kaluara, a nuk po heton asgjë? Ti më parë kur e shihje një të keqe, e urreje dhe me gjithë zemër mundoheshe për ta larguar, ndërsa tani e sheh të keqen dhe je krejt indiferent, madje bëhesh sikur nuk e sheh. Në lidhje me këtë All-llahu xh.sh në Kur’an thotë: “Ju jeni Ummeti më i mirë që i nxjerrni njerëzit (nga e keqja) i urdhëroni për të mirë, dhe ndaloni nga veprat e këqija, dhe të besoni All-llahun.” [Ali Imran; 110].
Ti më parë asnjëherë nuk pajtoheshe me të keqen. Çdoherë mundoheshe atë ta largosh ose të këshillosh për largimin e saj, madje nëse nuk kishe mundësi largoheshe nga tubimi, e tani shpesh ndodhë që të gjendesh në ato vende ku nuk është i kënaqur Allahu dhe nuk largohesh prej aty ku bëhet mëkat ndaj All-llahut. Prandaj dije se krejt kjo është rezultat i dobësisë së besimit tënd. Ti sikur ke harruar se Pejgamberi [sal-lell-llahu alejhi ve sel-lem] ka thënë: “Ky është besimi më i dobët.” A e dini, Vëllezër, kush është ky njeri? Ky është ai i cili kur e sheh një të keqe nuk mund ta largojë as me dorë, e as me gojë, prandaj edhe largohet prej atij tubimi. Kurse, çka mund të themi për atë që është pjesmarrës aktiv i këtyre mëkateve?! Vëllezër, tërë kjo është dobësi e imanit. All-llahu [subhanehu ve teala]. në Kur’an thotë: “Thuaj: ”A t’ju tregojmë për më të dëshpëruarit në veprat e tyre? Ata janë veprimi i të cilëve u asgjësua në jetën e kësaj bote, e megjithatë ata mendojnë se janë kah bëjnë mirë.” [Kehf ; 103-104]
Disa nga muslimanët e parë qanin kur e dëgjonin fjalën e All-llahut, ku I Madhërshmi thotë: “E nga All-llahu do t’ju prezentohet çfarë as nuk e paramenduan.”
Si mund ta shërojmë këtë sëmundje që është paraqitur në zemrat tona? E para gjë që duhet të bësh ti është të kujtosh se jeta e kësaj bote është e shkurtër. Duhet ta dishë se do të vdesësh e do të kalosh në jetën tjetër të përhershme, ku do të përgjigjesh për tërë atë që e ke vepruar në këtë botë. Kujtoe Ebu Derdanë në momentin e vdekjes kur filloi të qajë, duke u thënë atyre që ishin përreth tij: “A nuk përgatitet njeriu për këtë çast?”. Kurse, Ebu Hurejrja [radijall-llahu anhu] para vdekjes tha: “Furnizimi është i pakët, ndërsa rruga është e gjatë.” Nëse ne i përkujtojmë këto momente, vëllezër, vall-llahi do të largohemi nga mëkatet, e nuk do ta kalojmë kohën para televizorit. All-llahu këtë moment na e përkujton në Kur’an, kur thotë: “Jo dhe jo, po kur të arrijë shpirti në gropë të fytit.” Mendo vëllau im, se All-llahu në këtë ajet të përkujton për çastin e ikjes kur përreth vetes do t’i kesh fëmijët tu të cilët do të thërrasin: “Baba, baba, çfarë ke pse nuk përgjigjesh?” Ndërsa ti sheh trupin tënd se si ftohet dhe melekun e vdekjes i cili fillon të ta merr shpirtin. Nëse deri në atë moment nuk ke bërë namaz, nuk ke bërë punë të mira, nuk je ndalur nga të këqiat dhe nuk je penduar, atëherë do të thuash: “O Zoti im më kthe në dunja për t’i punuar ata vepra që i kam lënë. Kurse Allahu [subhanehu ve teala]. për këtë në Kur’an thotë: “Kur të arrij shpirti në gropë të fytit dhe ai bindet se ai po ndahet, e të poqet kofsha për kofshë, t’i vështirësohet gjendja, atë ditë vetëm te Zoti yt shkohet.” Ndërsa I Dërguari [sal-lell-llahu alejhi ve sel-lem] thotë: “Kujtoni shkatërruesin e kënaqësive të kësaj bote – vdekjen.” Kjo botë aspak nuk do të bën dobi në botën tjetër, përveç punëve tua të mira. I Dërguari [sal-lell-llahu alejhi ve sel-lem] thotë: “Kjo botë është e mallkuar dhe çfarë ka në të, përveç përmendja e All-llahut, kërkuesi i diturisë, mësuesi dhe ai që e don Allahu.” Pastaj, vëllau im, kujto ditën kur do të dalësh para All-llahut, kujto atë ditë ashtu siç e përshkruan All-llahu në Kur’an: “Ditën kur çdo njeri e gjen pranë vete atë që veproi mirë ose keq, e për atë të keqe që e bëri do të dëshirojë që në mes tij dhe në mes të asaj të jetë një distancë shumë e madhe (e mos ta shohë). All-llahu u jep të frikësohen prej dënimit që vjen prej Tij…” [Ali Imran; 30]. Ndërsa Omeri [radijall-llahu anhu] ka thënë: “Llogariteni veten para se t’ ju llogaritet, peshoni veprat tuaja para se të peshohen.” All-llahu [subhanehu ve teala].thotë: ”O ju që keni besuar keni parasysh frikën ndaj All-llahut dhe le të shikojë njeriu se ç’ka ka bërë për nesër.”
Vëllezër, çdoherë para se të bini në gjumë dhe pasi ta përmendni All-llahun e ta falni namazin e vitrit, ndani veprat tuaja të mira në njërën anë dhe ato të këqiat në anën tjetër dhe peshoni se cila anë e juaja do t’ju peshon më rëndë. O ju robër të All-llahut, mos shkoni në Ditën e Gjykimit tek All-llahu, e t’ju peshojnë punët e këqia e të jeni prej atyre që thotë All-llahu: “Të lodhura e të raskapitura, ata do të hynë në zjarrin e ndezur fortë”. Dhe mos u bën prej atyre, për të cilët All-llahu thotë: “Dhe ne ua prezentojmë punët që kanë punuar duke i bërë ato pluhur e hi.” Për këtë Pejgamberi [sal-lell-llahu alejhi ve sel-lem] thotë: “Do të vijnë popujt në Ditën e Gjykimit me punë të mira sa kodrat e All-llahu [subhanehu ve teala]. punët e tyre do t’ua bëjë pluhur e hi.” Theubani i tha: “Na i cilëso ata, o i Dërguar i All-llahut, ashtuqë mos të bëhemi prej tyre duke mos e ditur.” Kështu pyetnin shokët e të Dërguarit [sal-lell-llahu alejhi ve sel-lem], ngase frikoheshin që mos të bëhen prej tyre. Kështu,për shembull, Aliu [radijall-llahu anhu] thotë: “Sikur ta dija se All-llahu më ka pranuar një punë time të mirë nuk do të frikohesha, ngase All-llahu [subhanehu ve teala]. thotë: “Me të vërtetë All-llahu e pranon punën prej të devotshmëve.” Pastaj, I Dërguari [sal-lell-llahu alejhi ve sel-lem] vazhdoi dhe tha: “Ata janë vëllezërit tuaj nga lëkura sikur ju, marrin nga nata, ashtu siç mirrni ju, mirëpo kur janë në vetmi i veprojnë punët e ndaluara.” Ata e harrojnë fjalën e All-llahut, i cili thotë: “A nuk e di njeriu se All-llahu atë e sheh?”. Kështu njeriu do të vijë në Ditën e Gjykimit e do ta sheh Xhehennemin dhe do t’i pëkujtojë mëkatet e veta, për çka All-llahu [subhanehu ve teala]. thotë: “E vihet në atë ditë me Xhehennemin, atëherë njeriu do t’i kujtojë punët e tij, dhe thotë ah sikur të isha parapërgatitur për jetën time”. Do të vijë njeriu Ditën e Gjykimit, do t’i sheh mëkatet e veta dhe do të sheh se kush ishte shkaktar për ato, për çka edhe këtu All-llahu [subhanehu ve teala]. thotë: “Atë ditë zullumqari do t’i kafshojë duart e veta, dhe do të thotë: “I mjeri unë, ta kisha marrë rrugën e Të Dërguarit. O shkatërrimi im , ah të mos e kisha bër filanin mik! Në të vërtetë, pasi e gjeta rrugën e drejtë, ai më largoi mua prej saj…” [Furkan; 27] Atë ditë njeriu e kujton shokun e mirë, i cili e ka thirrë në punë të mira, ndërsa ky nuk i është përgjigjur thirrjes. Pastaj, kujton shokun e tij të keq se si ai e ka thirrë në punë të këqia e ky i ka shkuar pas. O robi All-llahut, sikur ta kujtoje këtë ditë, do ta shëroje veten nga kjo sëmundje që ka kapluar gjithë ummetin – nga dobësia e imanit. O robi All-llahut, kujto Ditën e Gjykimit kur do të dalësh para All-llahut i zhveshur, ashtu si të ka lindur nëna: dielli të është afruar mbi kokë, ndërsa ti je zhytur në djersë, e All-llahu të thërret: “O filan i biri i filanes, çfarë ke përgatitur për këtë ditë?” Atëherë do të marrin melekët dhe do të afrojnë para All-llahut, e t’i do ti përkujtosh të gjitha mëkatet që ke bërë në këtë botë: gjumin që ke bërë në kohën e namazit të sabahut, vonimin e namazit të ikindisë, do t’i kujtosh njerëzit e devotshëm kur të thirrnin në punë të mira, ndërsa ti i refuzoje. Pastaj do të kujtosh se gruan dhe vajzën nuk e ke urdhëruar të mbulohen, edhe pse njerëzit e mirë ta kujtonin këtë ditë kur ke për ta takuar All-llahun, e Ai nga ti do të kërkojë llogari për këtë vepër. Prandaj, nëse ti me kohë pendohesh dhe bën punë të mira, All-llahu të lajmëron se t’i ka falë mëkatet dhe kur ti të mendosh se je shkatërruar, All-llahu të sihariqon me librin e punëve të mira në krahun e djathtë. E ti, pas kësaj do të thuash: “Lexoeni librin tim. Unë kam qenë i bindur se do të jap llogarinë time.” Kështu pra, e merr librin tënd dhe lavdërohesh para tjerëve duke u thënë atyre: “Shini namazin tim, shihni agjërimin tim, shihni sadakanë time që kam dhënë, shihni haxhxhin që kam bërë, shini xhihadin tim që kam bërë, shihni se si i kam urdhëruar njerëzit në punë të mira” e kështu me radhë. Ky është grupi që All-llahu ishte i kënaqur me ta. Por, si është halli i atij grupi që All-llahu me ata do të jetë i hidhëruar? All-llahu për ata do të thotë: “Kapni dhe vejauni prangat, e pastaj futni në Xhehennem.” Më tej All-llahu në Kur’an tregon hallin e kriminelëve dhe thotë: “Do ti sheh kriminelët atë ditë me kokë të ulur para Zotit të tyre, do të thonë: “Ne kemi shikuar dhe kemi dëgjuar, andaj kthena o Zot në dunja, ngase tash jemi zgjuar.” Pasha All-llahun, atë ditë njeriu do të dëshiron që të kthehet në këtë botë për të vepruar punë të mira, të rri në sexhde sa të jetë gjallë, mirëpo, atë ditë çdo gjë ka përfunduar, atë ditë vlen vetëm fjala e All-llahut [subhanehu ve teala].: “Kapeni dhe vejani prangat pastaj futeni në xhehennem. Mandej lidheni me një zinxhir të gjatë shtatëdhjetë kut”. Do të hudhen në Xhehennem me fytyrë, ndërsa zjarri i zi i Xhehennemit do të thotë: “A ka ende?” Aty do t’i gjejnë shokët e tyre, për të cilët Allahu në Kur’an thotë: “Sa herë që hynë një grup në të, e mallkon atë të mëparshmin derisa kur të arrijnë në të të gjithë, grupi i fundit i tyre thotë për grupin e tyre të parë: “Zoti ynë këta (paria) na kanë humbur neve (nga udhëzimi i drejtë ) pra shtoja dënimin me zjarr atyre.” Kështu pra, njeriu do ta sheh shokun e tij në zjarr e do të thotë: “O Zoti im, ky është ai i cili më ndaloi nga rruga e drejtë, ky është ai që më pengoi nga namazi, ky është ai i cili më pengoi që të shoqërohem me njerëzit e mirë dhe ky më pengoi nga xhamia. Kështu njeriu do të mundohet t’i arsyetojë mëkatet e veta, por kjo është e kotë. Pastaj, All-llahu [subhanehu ve teala]. në Kur’an i përshkruan shokët e të Dërguarit [sal-lell-llahu alejhi ve sel-lem] duke thënë për ta: “I heqin trupat e tyre prej dyshemeve, duke e lutur Zotin e tyre me frikë dhe me shpresë.” Shokët e Të Dërguarit nuk i mirrte gjumi kur e kujtonin Dtën e Ringjalljes, zjarrin, momentin e daljes prej varrit, llogarinë, dënimin dhe shpërblimin. A mundet njeriu ta bëjë gjumin rehat, kur i kujton këto ndodhi? Lidhur me këtë dëgjo këtë ngjarje! Njëherë I Dërguari [sal-lell-llahu alejhi ve sel-lem] kaloi përreth shokëve të tij dhe i pa se ishin habitur duke qeshur. U ndal dhe u tha: “Sikur ta dinit ju atë që di unë, do të qeshnit pak e do të qanit shumë.” Shokët e tij i ulën kokat e tyre dhe filluan të qajnë. E ne o robër të All-llahut, tërë Ramazanin dëgjojmë Kur’an dhe në zemrat tona nuk ndikon thuajse aspak, ashtuqë asnjë pikë loti nuk rrjedh. Këto zemra sigurisht i ka mbuluar diçka. O Zot, a thua çfarë është ajo që i ka mbuluar?! Kur’ani në këtë pyetje na përgjigjet dhe thotë: “Jo nuk është ashtu, por të këqiat që i punuan zemrat e tyre i mbuluan”. Kurse, ne jemi ata që përgatisim xhenazen apo e përcjellim atë, kalojmë pranë varrezave dhe sikur të mos kishte ndodhur asgjë.Hasan El-Basriu i tha njëherë një njeriu: “Sikur të ishe në vend të këtij njeriu të vdekur, çfarë do të kishe bërë dhe sikur të jepej mundësia për të dalë nga varri çfarë do të kishe vepruar?” Njeriu u përgjigj duke thënë: “Sikur të dilte ky njeri nga varri, veprën e parë që do ta bënte është falja e dy rekateve namaz.” Atëherë Hasan El-Basriu i tha: “Nëse ai kishte për ta vepruar këtë, atëherë bëre ti para se të të godet ajo që e ka goditur atë.” O rob i All-llahut, a nuk mendon në atë që e vepron ti për çdo ditë në mëngjes, kur thua: “Falënderimi i takon All-llahut i cili më ngjalli pasi që isha i vdekur”; a nuk i sheh shokët tu të cilët i kishe një kohë pranë vetes e tani ata kanë kaluar në botën tjetër; a mendon se mund të ngrihesh në mëngjes banor i kësaj bote, e në mbrëmje mund të jesh prej banorëve të ahiretit apo në mbrëmje të jesh prej banorëve të kësaj bote, e në mëngjes të ngrihesh me banorët e ahiretit? Mos je i sigurtë se kur del nga shtëpia me veturë, do të kthehesh i gjallë në shtëpi?Jo, jo as mos u mundo të sigurosh veten, bile edhe se pasi t’i dëgjosh këto fjalë do të dalësh nga ky tubim, madje ndoshta nuk do të kesh fat t’i dëgjosh të gjitha ato që kemi për të thënë! Prandaj, o rob i All-llahut, pendohu e mos humb shpresën në mëshirën e All-llahut, ngase All-llahu është Falës dhe Mëshirues.
Njëherë një plak i mbështetur në shkopin e tij erdhi tek I Dërguari [sal-lell-llahu alejhi ve sel-lem] dhe tha: “O Muhammed unë kam shumë mëkate, aq sa sikur t’u shpërndaheshin banorëve të tokës do të shkatërroheshin, andaj a ka pendim për mua?” I Dërguari [sal-lell-llahu alejhi ve sel-lem] tha: “Dëshmo se nuk ka të adhuruar tjetër përveç All-llahut dhe se unë jam i Dërguar i All-llahut.” Plaku dëshmoi se nuk ka të adhuruar tjetër përveç All-llahut dhe se Muhamedi [sal-lell-llahu alejhi ve sel-lem] është i Dërguar i All-llahut. I Dërguari [sal-lell-llahu alejhi ve sel-lem] e lajmëroi plakun se All-llahu [subhanehu ve teala]. punët e këqia të tij i kishte shndërruar në punë të mira. Plaku u habit dhe tha: “A të gjithë mëkatet janë shëndërruar në punë të mira?” Po si jo, ia ktheu I Dërguari, a nuk e ke dëgjuar fjalën e All-llahut kur thotë në Kur’an: “Edhe ata të cilët kur bëjnë ndonjë mëkat të shëmtuar ose i bëjnë zullum vetes së tyre, e përmendin All-llahun dhe kërkojnë falje për mëkatet e tyre e kush i falë mëkatet përveç All-llahut? Dhe nuk vazhdojnë në atë që kanë punuar më parë.”? Pra, prej kushteve të pendimit është që ti mos të kthehesh në mëkatet për të cilat je penduar. I Dërguari [sal-lell-llahu alejhi ve sel-lem] thotë: “Nuk ka njeri i cili bën mëkat e pastaj pastrohet (lahet) dhe falë dy rekat namaz, duke mos patur dyshim se All-llahu do ta falë atë, e që All-llahu mos t’ia ketë falë atij.” Kurse, All-llahu thotë në Kur’an: “Përveç atyre që pendohen, besojnë dhe veprojnë punë të mira, atyre All-llahu ua shëndërron punët e këqia në të mira, e All-llahu është Falës dhe Mëshirues.” [Furkan; 70] Prandaj, o rob i All-llahut, pendohu dhe mos e kalo kohën në mëkate, mos e le pendimin për në muajin e Ramazanit apo kur të pensionohesh, apo për në haxhxh, ngase jeta është e shkurtër dhe vdekja është afër teje! Dhe dije se, All-llahu është i gëzuar me pendimin e robit të tij më tepër se njeriu që e humb deven e tij në shkërtëtirë, në të cilën e ka ushqimin dhe ujin. Ky njeri i pesimizuar për jetë shtrihet dhe e pret vdekjen, kur papritmas i hap sytë dhe para vetes sheh deven e tij të humbur me ushqimin dhe pijen e tij. Çfarë mendoni për këtë njeri, sa do të ishte i gëzuar në këtë rast? All-llahu me robin e tij është edhe më i gëzuar kur ai pendohet. Prandaj, pendohuni se Zoti juaj është Falës dhe Mëshirues.
Nebil el-Ived
Përktheu:
Refet Zaimi
Titulli i origjinalit:
كيف تقوي إيمانك
Recensent:
Omer Berisha
Lektor:
Zekerija Ibrahimi
Shtëpia Botuese
“NuN”