Si të jesh i butë me njerëzit

Morali i mirë është të tregosh zemërgjerësi, të frenosh të këqijat dhe zhgënjimet. Ata që janë cilësuar me moral të mirë janë të lavdëruar mes njerëzve dhe jo vetëm mes besimtarëve, por edhe mes jobesimtarëve. Kjo për shkak se morali i mirë që u dhurohet njerëzve, është një mirësi e dhuruar për ta. Nga Tirmidhiu me nr. 2005 transmetohet me zinxhir të saktë, se Abdullah bin Mubareku e ka përkufizuar moralin e mirë kështu: “Ai është buzëqeshje në fytyrë, të dhurosh të mirat dhe të frenosh të këqijat.” Natyra njerëzore ka prirjen që ta dojë njeriun që sillet mirë, madje mund të arrijë deri aty sa t’i bindet falë moralit të mirë që posedon. Një poet ka shkruar:

“Bëju mirë njerëzve që zemrat t’ua robërosh,

Shpeshherë, të robëruar nga mirësitë do t’i shikosh.”

Dy njerëz nuk mund të kundërshtohen për gjurmët që lë morali i mirë në robërimin e zemrave të njerëzve, sepse dihet që vetëm vrazhdësia i largon ata. Allahu i Madhëruar ka thënë:

“Ti ishe i butë ndaj tyre sepse Allahu të dhuroi mëshirë, e sikur të ishe i vrazhdë e zemërfortë, ata do të largoheshin prej teje. Prandaj, ti fali dhe kërko ndjesë për ta.” [1]

Gjithashtu, dihet se morali i mirë luan rol të rëndësishëm në bashkimin e fjalës dhe forcimin e radhëve. Argument për këtë shërben hadithi, të cilin e transmeton Numan bin Beshiri, se Profeti(Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Shembulli i besimtarëve në marrëdhëniet dhe mëshirën mes njëri-tjetrit është si shembulli i një trupi të vetëm; nëse ankohet një pjesë e tij, të gjithë trupin do ta kaplojë sëmundja dhe pagjumësia.” [2]

Prej shembujve më konkretë që mund të përmendim, është hadithi të cilin e transmeton Muslimi (Allahu e mëshiroftë!) nga Muauije bin Hakim, i cili ka thënë: “Në momentin kur po falesha me Profetin, njëri nga sahabët teshtiu dhe unë i thashë: “Allahu të mëshiroftë!” Atëherë njerëzit filluan të më shikonin me qortim dhe unë ua ktheva: “Mos u pastë nëna, çfarë keni? Pse po më shikoni?! Sahabët filluan të godisnin gjunjët e tyre, duke ma bërë me shenjë që të heshtja.” Muauija shton: “Kur i pashë të ma bënin me shenjë që të heshtja, heshta.” Kur mbaroi namazin Profeti (e unë nuk kam parë mësues më të mirë, as para dhe as pas tij), betohem në Allahun se nuk më goditi, nuk më shau dhe nuk më qortoi me fjalë të rënda, por më tha: “Në këtë namaz nuk është mirë të fliten fjalë të njerëzve (të jetës së përditshme). Vërtet, ky namaz është vetëm lavdërim ndaj Allahut, madhërimit të Tij dhe për lexim Kurani.” [3]

[1]Suretu Ali Imran, 159.

[2]Transmeton Buhariu dhe Muslimi.

[3]Transmeton Muslimi.

 

Këshilla të arta për moralin e lartë

Autor Abdulmalik Ramadani

Artikulli paraprakVepra të dobishme për ty
Artikulli vijuesZgjidhje për brengat e jetës