SIRI – 223 TË VDEKUR NË SULMET E DY DITËVE TË FUNDIT TË USHTRISË SË RREGULLT

0
149

Në sulmet, që ushtria siriane organizoi me avionë luftarakë, helikopterë dhe tanke në disa zona të kryeqytetit Damask, mbetën të vrarë 72 persona dhe u plagosën shumë të tjerë.

Organizata të ndryshme për të drejtat e njeriut njoftojnë se në disa lagje avionët luftarakë kanë hedhur “bomba fuçi” dhe janë rrënuar një numër i madh banesash.

Ushtria siriane bombardoi nga ajri gjithashtu lagjet dhe fshatrat e opozitarëve në qytetet Idlib dhe Halep.

Nga ana tjetër, Damaskun pritet ta vizitojë sot i dërguari special i Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe Ligës Arabe, Lahdar Brahimi, i cili synon t’i ndalë luftimet mes palëve të paktën përgjatë Kurban Bajramit.

Brahimi do të kërkojë shpalljen e një armëpushimi të përkohshëm përgjatë Bajramit të Kurbanit, si një hap fillestar për procesin e paqes.

Ndërsa zëdhënësja e Departamentit Amerikan të Shtetit, Viktoria Nulënd, deklaroi se trazirat në Siri do të marrin fund kur të largohet Esadi.

Duke përmendur edhe vendet, që mbështesin regjimin e Beshar Esadit, Nulënd vuri theksin veçanërisht mbi Iranin, i cili vazhdon të furnizojë me armë ushtrinë e rregullt siriane.