Numërimi së prapthi për ofensivën në Siri ka filluar dhe sulmi i shumëdiskutuar mbi regjimin e Bashar al Assad-it mund të fillojë nga çasti në çast.
Rrjeti televiziv amerikan NBC pretendon se goditja e parë do të jepet sonte dhe mësymja do të zgjasë 1-3 ditë. Amerika ka të stacionuara ndërkohë në Mesdhe disa shkatërrues dhe nëndetëse që janë në gatishmëri.
Nënpresidenti amerikan, Joe Biden, deklaroi se nuk ka asnjë dyshim që regjimi i Bashar al-Assad ka kryer sulmin e javës së kaluar me armë kimike në Damask dhe për këtë, duhet të vihet para përgjegjësisë.
Komentet e numrit dy të Shtëpisë së Bardhë vijnë në kohën kur Presidenti Barack Obama vazhdon të shqyrtojë opsionet për një reagim ndaj kësaj situate me aleatët kryesorë. Në mes të përgatitjeve për sulme ushtarake në Siri, Biden e nisi fjalimin në konventën kombëtare të Legjionit Amerikan në Teksas me fjalë të forta për qeverinë e Assad-it.
“Nuk ka asnjë dyshim se ligjet ndërkombëtare janë shkelur dhe se për këto shkelje, përgjegjës është regjimi sirian. Presidenti dhe unë besojmë se ata që përdorin armë kimike kundër burrave, grave dhe fëmijëve të pambrojtur duhet të vihen para përgjegjësisë”, tha Biden.
Biden bëhet kështu zyrtari më i lartë i administratës Obama që fajëson hapur Damaskun zyrtar për ngjarjen në Ghouta.
Shefi i Pentagonit, Chuck Hagel, e bëri të qartë dy ditë më parë se ushtria është gati të kalojë në veprim me të marrë urdhër nga Presidenti.
NATO
Nga ana tjetër, mbledhja e Këshillit të Aleancës së Atlantikut ku u diskutua situata në Siri, mbaroi me një deklaratë unanime të 28 vendeve anëtare, ku dënohej ashpër përdorimi i armëve kimike në sulmet e 21 gushtit.
“Ne i dënojmë ashpër këto sulme mizore që shkaktuan humbjen e shumë jetëve të pafajshme. Vendet e NATO-s shprehin mbështetje të plotë ndaj hetimit të OKB-së në terren dhe kritikojnë barrierat artificiale të ngritura nga regjimi sirian për të penguar këto hetime”, deklaroi sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Ander Fogh Rasmusen.
Ashtu si edhe SHBA-ja e Britania, edhe NATO fajësoi Presidentin Bashar al-Assad, duke deklaruar se armët kimike i ka nën kontroll regjimi sirian.
Ne konsiderojmë se përdorimi i armëve kimike, shtoi Rasmusen, është një kërcënim për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare.
Aleanca e Atlantikut u shpreh se do të vazhdonte bashkëpunimin me Turqinë për ndjekjen nga afër të ngjarjeve në Siri për të ruajtur kufijtë e NATO-s të paprekur.
Përfshirja e Aleancës në sulmet që do të ndërmerren në Siri, është një nga opsionet. Nëse kjo ndodh, atëherë NATO do të asistojë me bombardime nga ajri ashtu sikurse në rastin e Libisë dhe Serbisë.
Modelet e mundshme
Iraku 1991: Koalicioni global ushtarak i kryesuar nga SHBA-ja, u mbështet në të drejtën ndërkombëtare, mandati i qartë nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së që të dëboheshin forcat irakiane nga Kuvajti.
Ballkani 1990: Ushtria e SHBA-së mbështeti rezistencën anti-serbe në Kroaci dhe Bosnjë në kundërshtim me embargon e OKB-së; më vonë SHBA-ja ndërmori sulme ajrore ndaj paramilitarëve serbë. Në vitin 1999, avionët amerikanë përbënin pjesën më të madhe të 38 000 fluturimeve të NATO-s kundër Serbisë për të parandaluar masakrën në Kosovë, ligjërisht të debatueshme me rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së të lidhur me “zbatimin e masave”.
Somalia 1992-‘93: Këshilli i Sigurimit të OKB-së autorizoi krijimin e një force ndërkombëtare, me qëllim lehtësimin e furnizimeve humanitare në një shtet të dështuar si Somalia. Përfshirja graduale e forcave të SHBA-së pa një objektiv kulmoi me katastrofën ‘Black Hawk Down’ të vitit 1993.
Libia 2011: Franca dhe Britania i kërkoi Këshillit të Sigurimit të OKB-së autorizim për operacion humanitar në Bengazi në vitin 2011. Rusia dhe Kina kundërshtuan, por nuk e përdorën veton në rezolutë. Sulmet ajrore vazhduan deri në rënien e Gaddafi-t.
Telefonata
Përgjimet bindën amerikanët për sulmin kimik
Paniku i shprehur në një telefonatë i një prej gjeneralëve të ushtrisë së Assad-it me njësinë ushtarake përgjegjëse për armët kimike në Siri, bindi Shtetet e Bashkuara të Amerikës se pas sulmeve të 21 gushtit qëndron regjimi i Presidentit Bashar al-Assad. Kështu raporton “Daily Mail”, sipas së cilës përgjimi i telefonatës është bërë nga shërbimet sekrete amerikane. Në të, zyrtari i lartë ushtarak sirian, emri i të cilit nuk bëhet publik, ka kërkuar mes panikut llogari nga shefi i njësisë së armëve kimike në Siri për sulmin në fjalë.
Grupet opozitare thonë se të paktën 1300 vetë, pjesa më e madhe e të cilëve gra dhe fëmijë, gjetën vdekjen në sulmet e 21 gushtit. Ata thonë se armët kimike janë përdorur edhe herë të tjera nga ushtria e Assad, por jo në përmasa të tilla.
Ndërkohë, mediat në Izrael fajësojnë Maher al-Assad, vëllai i natyralizuar i Presidentit sirian Bashar al-Assad, për autorësinë e sulmit. Në fakt, emri i tij nuk është hera e parë që përmendet në media. Ai njihet si drejtuesi i disa njësive speciale të ushtrisë, që akuzohen për disa nga masakrat më çnjerëzore që nga nisja e konfliktit të armatosur në vend.
Qëndrimi
Bashkimi Europian nuk ka divergjenca
Britania – Kryeministri britanik, David Cameron, ka qenë ndër të parët që ka deklaruar se përdorimi i armëve kimike në Siri nuk mund të tolerohej. “Ato që kemi parë në Siri janë skena të vdekjes dhe vuajtjes të shkaktuara nga përdorimi i armëve kimike prej regjimit të Assad-it dhe ne nuk mund ta durojmë këtë”, tha Cameron. Ai u është bashkangjitur planeve të SHBA-së për operacionet e sulmit në Siri.
Franca – Presidenti francez, François Hollande, tha se Perëndimi nuk mund të mos i përgjigjej përdorimit të armëve kimike në Siri. “Gjithçka do të vendoset këtë javë”, tha ai për një gazetë vendase. “Ka disa mundësi për të kryer sulmin që nga bombardimi ajror deri te mbështetja e rebelëve me armë, por zgjidhjet diplomatike po mbarojnë”, shtoi ai.
Gjermania – Të hënën, Gjermania u bashkua me listën e vendeve që e mbështesin sulmin kundër Sirisë. Kjo është hera e parë pas Luftës së Dytë Botërore, që Gjermania lë pas diskutimet diplomatike dhe mbështet sulmin ushtarak. Zëdhënësi i Kancelares Merkel deklaroi se nëse konfirmohej përdorimi i armëve kimike, atëherë kjo duhej ndëshkuar.
Italia – Të martën, Italia ka deklaruar se ajo do të priste mandatin e OKB-së për të ndërhyrë në Siri. Në mbledhjen e qeverisë, të hënën Kryeministri Enrico Letta doli në përfundimin se regjimi sirian kishte arritur në pikën ku nuk kishte më kthim.
Turqia
Davutoglu: Gati për ndërhyrje
Të hënën, në një intervistë për gazetën vendase “Milliyet”, ministri i Jashtëm turk, Ahmet Davutoglu, u shpreh se Turqia po e mendonte seriozisht përfshirjen në koalicionin ndërkombëtar kundër regjimit sirian edhe nëse Këshilli i Sigurisë i OKB-së do të dështojë në nënshkrimin e aksionit ushtarak. “Ka qenë gjithnjë përparësi për ne veprimi konform rregullave të OKB-së dhe komunitetit ndërkombëtar. Nëse Këshilli i Sigurimit nuk arrin në një vendim, atëherë ne do t’u drejtohemi mundësive të tjera. Këto mundësi po diskutohen nga 36 shtete të tjera. Nëse vendimi merret, atëherë Turqia do të jetë pjesë e tij”.
Si do të sulmojë Perëndimi?
Pesë strategjitë ushtarake për ndëshkimin e regjimit të Bashar al- Assad
Marina e SHBA-së është d
uke ripozicionuar disa anije, përfshirë këtu katër luftanije raketahedhëse në lindje të Detit Mesdhe dhe ndoshta nëndetëse që qëllojnë raketa. Një nëndetëse britanike e klasës Trafalgar është gjithashtu një mjet potencial që do të niset.
Nëse do të nevojiten më shumë armë, dy aeroplanë të SHBA-së mund të nisin sulme ajrore dhe bazat tokësore në Turqi dhe Qipro mund të përdoren. Fuqia ajrore e Francës do të ketë gjithashtu një rol.
Mundësitë ushtarake me të cilat po përballen liderët e SHBA-së dhe Britanisë janë të ndryshme, që nga ndërhyrja e pjesshme sa për të treguar ndëshkim ndaj Sirisë, deri te ndërhyrja e plotë që përfshin edhe forcat tokësore, që do t’i japin fund luftës civile në vend. Por pa u përfshirë SHBA-të në luftë tokësore, pasi kjo zyrtarisht u eliminua si mundësi, gjithashtu si mundësi u eliminua edhe mundësia e një lufte të gjatë qoftë edhe ajërore dhe që ka kosto të lartë ekonomike.
1. Sulmet e limituara nga larg
Qëllimi do të jetë tërheqja e vëmendjes ndaj Presidentit Assad për t’i dhënë atij të kuptojë se nuk duhet të përdorë më armë kimike në të ardhmen. Shënjestrat mund të përfshijnë zona ushtarake të lidhura ngushtë me regjimin, si zyra qendrore dhe barakat e njësive elitë.
Ndërtesat e prodhimit të raketave mund të goditen gjithashtu. Por duhet të tregohet kujdes që substancat e armëve kimike të mos dalin në mjedis të hapur, pasi do të shkaktonin dëme në qytetet përreth.
Forcat e mbrojtjes dhe qendrat e komandës mund të qëllohen gjithashtu për të paralajmëruar për mundësitë që ka Perëndimi. Qendra e këtij aksioni të limituar mund të jetë lëvizja e shpejtë dhe e paktë, që do të reduktojë edhe humbjet në radhët e forcave aleate. Armët e zgjedhura do të jenë raketa për sulm tokësor Tomahawk dhe nëndetëset britanike.
Franca dhe Britania mund të asistojnë nëpërmjet përdorimit të armëve ajrore në largësi nga bazat e tyre, ashtu siç vepruan me Libinë.
2. Ndihmë ndaj opozitës siriane
Kjo mendohet të jetë si një nga mundësitë më të mira. Do të përfshijë këshillim dhe trajnim të elementëve të opozitës dhe nuk do të shkaktojë vdekje në radhët e ndërkombëtarëve.
Megjithatë, kjo qasje është duke dështuar për shkak të ndarjes së opozitës dhe frikës në rritje të Perëndimit se disa nga ushtarët më të mirë janë të lidhur me organizata si “Al-Kaeda”.
3. Ndalimi i fluturimit
Një zonë ndalim-fluturimi do të thotë që amerikanët të ndalojnë qarkullimin ajror në një zonë të caktuar. Më pas helikopterët dhe avionët sulmues të ushtrisë siriane nuk duhet të ngrihen në ajër dhe atëherë Assad nuk do të jetë më në gjendje të sulmojë nga ajri opoziten. Për opoziten do të ishte një ndihmë e madhe. Sidoqoftë amerikanët duhet të nxjerrin jashtë loje mbrojtjen ajrore siriane. Kjo do të kushtonte shumë dhe do të ishte e rrezikshme, sepse Rusia e ka pajisur Sirinë me një sistem mbrojtës modern. Një gjë e tillë do ta përfshinte shumë Amerikën në konflikt dhe qeveria amerikane nuk e do një gjë të tillë. Për aprovimin e një zone ndalim-fluturimi është i nevojshëm edhe një votim unanim i Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe Kina e Rusia nuk do ta bëjnë një gjë të tillë.
4. Krijimi i zonave mbrojtëse
Ideja është të sigurohen zona mbrojtëse brenda në Siri, mundësisht afër kufirit me Turqinë dhe Jordaninë, nga të cilat forcat e opozites mund të operojnë dhe nga të cilat refugjatët mund të ndihmohen me armë.
Krijimi i këtyre zonave mbrojtëse në tokë do të kërkonte mbrojtje ajrore nga afër, gjë që është shumë e vështirë të ndodhë. Nëse regjimi i Sirisë vendos t’i sulmojë këto zona mbrojtëse, atëherë ato janë të hapura ndaj zjarrit të kundërshtarëve.
Një ide tjetër që ka disa kohë që po përmendet është një zonë ku do të ndalohet kalimi, gjë që do të minimizonte përdorimin e forcave tokësore nga ana e Assad. Por edhe këtu do të nevojitej mbrojtje nga ajri dhe kjo do të çonte në një luftë të plotë në Siri.
5. Kontrolli i arsenalit të armëve kimike siriane
Ky është një mendim në lidhje me parandalimin e përdorimit të armëve kimike në të ardhmen. Kjo mund të arrihet duke shkatërruar stoqet e Sirisë dhe duke penguar lëvizjen e tyre me anë të kapjes së elementëve kyç. Kjo do të kërkonte përfshirje masive nga ana e SHBA-së, po ashtu edhe trupa tokësore për një kohë të papërcaktuar.
Modelet e armëve që mund të përdoren:
1. Katër shkatërruesit amerikanë: USS Gravely, USS Ramage, USS Barry dhe USS Mahan janë në lindje të Detit Mesdhe, të pajisura me raketa të shpejta.
2. Raketat Kruiz: mund të nisen nga nëndetëset, duke përfshirë modelin Trafalgar britanik. Po ashtu, edhe nëndetësja HMS Tireless është parë në Gjibraltar këtë fundjavë.
3. Bazat ajrore: në Incirlik dhe Izmir në Turqi dhe në Jordani mund të përdoren për të sulmuar.
4. Dy transportues avionësh: USS Nimtiz dhe USS Harry S Truman janë në tërë rajonin.
5. Grupi i task-forcës Royal Navy: përfshin mbajtës të helikopterëve HMS Illustrious dhe fregatën HMS Montrose dhe HMS Uestminister, lëvizje të planifikuara që më parë.
6. Baza ajrore RAF Akrotiri: në Qipro mund të përdoret gjithashtu
7. Aeroplanmbajtësi francez: Charles de Gaulle është momentalisht në Toulon, në Mesdheun Perëndimor.
8. Raffle dhe aeroplanët Mirage mund të operojnë gjithashtu nga bazat ajrore në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Kalkulimet
Mundësitë e Sirisë në rast sulmi
Me shtimin e mundësive që ndërhyrja e SHBA-së bashkë me aleatët e saj të ndërmerret, ngrihet pyetja se si do të mund të përgjigjet Siria? Sa larg do të shkojë regjimi për të mbrojtur veten, si do të planifikohet mbrojtja dhe cilat hapa do të ndiqen. Ja mundësitë që mund të ndjekë Siria, në rast se sulmohet.
1. Mbrojtja
Të gjithë treguesit sugjerojnë se mënyra e sulmit që po planifikohet nga SHBA-ja, Britania dhe mbase Franca do të përfshijë armët me rreze të gjatë veprimi, me raketat Tomahawk të lëshuara nga luftanije ose nga nëndetëset.
Sulmi me armë që vjen jashtë Sirisë mund ta bëjë shumë më të vështirë për regjimin të përdorë sistemin e tij mbrojtës kundër sulmeve. Mbrojtja ajrore siriane është shumë e aftë, e bazuar në sistemet e vjetra sovjetike si S-200/ SA-5, së bashku me armët më të fundit të blera nga Rusia si SA-22 dhe SA-17. Siria ka në dispozicion gjithashtu radarët e sofistikuar kinezë.
Integriteti i sistemit mund të jetë dobësuar pak për shkak të humbjeve të territorit dhe disa raketave, po ashtu edhe të zonave të radarëve që janë marrë nga opozita.
Por forcat mbrojtëse ajrore të Sirisë mbeten akoma të fuqishme. Kjo është një nga arsyet përse çdo sulm do të bëhet duke përdorur armë që do të godasin nga jashtë.
Duhet të mbajmë parasysh se avionët izraelitë kanë sulmuar shënjestra në Siri kohët e fundit pa u ndëshkuar. Forcat e sofistikuara ajrore të Perëndimit janë të përgatitura mirë për llojet e armëve që disponon Siria.
Raketat siriane mund të rrëzojnë avionë, por pilotët perëndimorë janë të pajisur me taktika dhe teknologji që i ndihmojnë shumë. Pasiguri rrethojnë sistemin S-300 që Siria ka porositur nga Moska, por nuk ka asnjë deklaratë që ai ka mbërritur.
Siria mund të kërkojë t’i përgjigjet sulmit nëpërmjet arsenalit të saj me bazë në bregdet, që sulmon raketat e ardhura nga luftanijet. Për shembull, Siria ka në dispozicion Ya
khont, një raketë supersonike anti-anije, që njihet në qarkun e NATO-s si SS-N-26, por Tomahawk që mund të përdorë Perëndimi do të jenë jashtë rrezes së mbrojtjes së Sirisë.
2. Opsionet hakmarrëse të Sirisë
A. Ndërmarrja e ofensivës antikryengritese. Një mundësi mund të jetë intensifikimi i sulmeve kundër opozites, në mënyrë që të fitojë disa territore dhe të rrisë moralin e forcave të regjimit për t’i dhënë të kuptojë SHBA-së që qeveria është në kontroll të territorit të vendit.
B. Egërsimi i konfliktit. Një mundësi tjetër mund të jetë përpjekja për të zgjeruar konfliktin duke goditur forcat amerikane në Jordani, Turqi ose mbase sulmi me raketa kundër Izraelit. Kjo do të shtonte rrezikun e Sirisë, sepse forcat turke janë të pajisura mirë, po ashtu edhe ato amerikane në Jordani. Në të dy vendet ekziston mbrojtje kundër raketave. Një sulm ndaj Izraelit nuk ka shumë gjasa, sepse ushtria siriane është e përqendruar tek lufta civile. Sulmi ndaj Izraelit mund të provokojë akoma më shumë luftën në rajon duke përfshirë edhe aleatin e Sirisë, grupin e Hezbollah në Liban. Po ashtu Izraeli ka në dispozicion sistem antiraketë.
3. Delegim i luftës
Siria mund të kërkojë të përdorë grupe si Hezbollah për të kundërsulmuar SHBA-në dhe forcat e tjera perëndimore. Megjithëse autoritetet iraniane mund të kenë një pikëpamje të menduar mirë, Teherani duhet të tregohet i kujdesshëm në lidhje me inkurajimin e Hezbollahut në këtë drejtim, pasi Iranit nuk do t’i interesonte hapja e dosjeve të tij bërthamore nga Perëndimi.
Grupi i Hezbollahut në vetvete është në një pozicion të vështirë, pasi është aleat i Presidentit Assad. Grupi mund të arrijë në përfundimin se ka mjaft probleme për vete dhe është më mirë të mbetet jashtë konfliktit.
Bisedimet
Sulmi nga bazat greke, si në rastin e Libisë
Uashingtoni ka kërkuar zyrtarisht kontributin grek, për lehtësimin e lëvizjes së mjeteve të tij ushtarake, ajrore dhe detare dhe për përdorimin e bazave ushtarake të Sudes në Kretë dhe të asaj të Kalamatës në Peloponez, për një ndërhyrje ushtarake të mundshme në Siri.
Sipas burimeve nga Ministria greke e Mbrojtjes që ka pranuar kërkesën e aleatëve të saj në NATO, në të gjithë skenarët që po analizohen, është vënë në dukje roli kyç i Greqisë, ndërsa kanë filluar dhe po vlerësohen korridoret e posaçme ajrore dhe detare për lëvizjet e trupave ushtarake.
Në shtabin qendror të ushtrisë greke është regjistruar në ditët e fundit një përqendrim i madh i anijeve aleate, në zonën e Mesdheut Juglindor, fakt që sipas analistëve tregon se vendimi për Sirinë, tashmë është marrë. Përdorimi i bazave ushtarake në Greqi dhe bashkëpunimi me Forcat e Armatosura greke janë provuar edhe në të kaluarën e afërt me ndërhyrjen ushtarake në Libi dhe rezultatet janë vlerësuar si tejet pozitive.
Megjithatë, pala greke ka sinjalizuar tashmë për aleatët që, si gjithmonë do të pajtohet plotësisht me detyrimet që rrjedhin nga marrëveshjet euroatlantike, por nuk do të marrë pjesë në mënyrë aktive duke dërguar forcat e saj në operacionet ushtarake. Jo më larg se java e kaluar, marinsa amerikanë kanë zhvilluar seminare të përbashkëta me ushtarakë grekë, ndërsa kanë kryer edhe manovra me anije luftarake në bazën ushtarake të Sudes, në juglindje të ishullit të Kretës.
Burime jozyrtare bëjnë me dije se operacioni i mundshëm i forcave aleate është përpiluar me bazë përvojën e luftës në Kosovë, por në këtë rast, theksohet se Siria nuk është si Kosova, ndërsa ekziston edhe kundërshtimi i kësaj ndërhyrjeje nga ana e Rusisë, Iranit dhe Kinës.
Analistët vendas shprehen se vendimi i qeverisë “Samaras” për t’i dhënë bazat e saj forcave amerikane, britanike apo franceze në këtë luftë, nëse fillon, do ta fuste edhe Greqinë në “ferrin e zjarrit”, pasi kjo do ta sillte atë përballë vendeve fqinjë të Lindjes së Mesme, me të cilat tradicionalisht, Athina ka marrëdhënie të mira. Por përfitimi ekonomik nga procesi i rindërtimit që pason më vonë si dhe rritja e faktorizimit të Greqisë në Sirinë e Lirë është motivi kryesor, ajo shpreson të ketë një qasje edhe në burimet e derivateve të këtij vendi.
Historia
Lufta civile që nisi me arrestimin e disa fëmijëve
Gjithçka filloi në shkurt të vitit 2011 pranë qytetit të Daraa-s, kur autoritetet arrestuan 15 nxënës shkolle për pikturimin e grafiteve antiqeveritare në muret e shkollës.
Fëmijët shkruan “Njerëzit duan të përmbysin regjimin”. U përhapën fjalë se fëmijët ishin keqtrajtuar ndërkohë që mbaheshin në paraburgim. Pakënaqësitë ndaj arrestimit të tyre u rritën duke nxitur protesta. Forcat e sigurisë hapën zjarr, thonë aktivistët, duke vrarë katër protestues. Këta ishin katër njerëzit e parë që u vranë në luftën civile në Siri. Brenda disa ditësh, protestat u shndërruan në tubime masive të përbëra nga qindra njerëz.
Nuk u desh shumë që Assad të kritikonte protestuesit në Daraa. Në mars të vitit 2011, në një fjalim përpara Parlamentit, ai i quajti ata “konspiratorë” që donin të përhapnin trazira. Kritika e tij dhe mënyra sesi Parlamenti duartrokiti më pas, i ndezi edhe më shumë protestat. Fjalimi pati një impakt katastrofik, njerëzit të cilët kërkonin të mbështesnin regjimin në atë kohë u shokuan. Dy ditë më pas, filluan protestat javore kundër qeverisë në të gjithë Sirinë. Thirrjet për reforma u rritën në thirrje për largimin e plotë të regjimit të Assad-it. Tani, kryengritesit e armatosur, janë betuar të mos pranojnë asgjë tjetër veç largimit të Assad-it, ndërsa qeveria i quan ata terroristë dhe zotohet të mos heqë dorë derisa t’i shtypë.
Kombet e Bashkuara vlerësojnë se luftimet kanë marrë më shumë se 100.000 jetë. Burimet e opozitës thonë që shifrat i kalojnë 300.000 viktima.
Përse ndërhyhet kaq vonë?
Duke folur në lidhje me Sirinë vitin e shkuar, Presidenti Barack Obama tha se ekzistonte një “vijë e kuqe” që ka të bëjë me përdorimin e armëve kimike. Ai e paralajmëroi Sirinë që të mos e kalonte këtë vijë. Tani Shtëpia e Bardhë po sheh se Siria i ka përdorur armët kimike kundër njerëzve të saj dhe i gjithë komuniteti ndërkombëtar mendon se duhet ndërhyrë. Zërat tjerë mendojnë se ndërhyrja që bëhet tash është për të penguar përparimin e opozitës islamike e cila mund të jetë afër fitores dhe të vendos një qeveri islamike. Zëra të tjerë mendojnë se po rritet ndikimi i Iranit dhe nëse Irani shtrin plotësisht pushtetin dhe ndikimin mbi Siri, atëherë ai duke pasur nën ndikim Irakun, Sirinë dhe Libanin bëhet forca më e madhe në rajon dhe prish balancin e aleatëve ndërkombëtar.
Si ishte Siria përpara konfliktit?
Edhe përpara kryengritjeve në Siri, gjërat nuk shkonin edhe aq mirë në vend. Pakënaqësitë janë grumbulluar për dekada me radhë. Në vitin 1982, Presidenti Hafez al-Assad u bë shumë strikt dhe qyteti sirian Hama u bë skenë e një masakre kur qeveria e rrafshoi qytetin për të shtypur një rebelim suni, duke therur 40.000 njerëz nga populli i tij. Kur ai vdiq në vitin 2000, djali i tij, Bashar al-Assad, mori Presidencën. Ai premtoi se do të ndërtonte një vend të ri dhe demokratik, por reformat nuk ndodhën edhe aq shpejt. Aktivistët që thërrisnin për ndryshim e quajtën qeverinë e Assad-it si autoritare, totalitare dhe si një regjim shtypës. Trazirat sektare dhe etnike tronditën Sirinë edhe në dekadën e shkuar. Një kryengritje e Druzëve u ndez në vitin 2
000 dhe rebelimi i kurdëve ndodhi në vitin 2004.
Armët kimike
Inspektorët e OKB-së kërkojnë kohë deri në fundjavë
Ndërkohë, në vendngjarje janë inspektorët e OKB-së, të cilët po hetojnë zonat në periferi të Damaskut në kërkim të provave nëse armët kimike janë përdorur në sulmin e një jave më parë, ku mbetën të vrarë 1300 njerëz.
Herët në mëngjesin e së mërkurës, skuadra e përbërë prej 20 inspektorësh të grupit hetimor të OKB-së la hotelin, për t’u drejtuar në periferi të kryeqytetit sirian në lindje të Ghoutas, ku mendohet se ndodhën sulmet e 21 gushtit.
Inspektorët e OKB-së arritën në territorin e mbajtur nga forcat rebele për një vizitë të dytë në skenën e sulmit me gaz helmues. Ata vizituan zonën e Zamalkës dhe Mleihas të shoqëruar nga eskorta e rebelëve. Inspektorët intervistuan pacientët në klinikë dhe mblodhën prova nga vendngjarja.
Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-Mun, deklaroi nga Haga, se inspektorëve u duheshin katër ditë për të përfunduar hetimet e tyre në Siri dhe se nëse gjithçka shkonte mirë, atëherë ata do të mbaronin punë të premten.
“Lërini inspektorët të vazhdojnë hetimet të qetë dhe ata do të mund të na japin së shpejti analizat dhe rezultatet e kërkimeve të tyre. Ata po punojnë shumë dhe në rrethana tepër të rrezikshme”, shtoi sekretari Ban Ki-Mun.
“Duket se disa lloje substancash janë përdorur për të vrarë shumë njerëz”, tha të mërkurën i dërguari i posaçëm i OKB-së dhe Ligës Arabe, Lakhdar Brahimi. Ai shtoi gjithashtu se numri i të vdekurve mund të jetë me qindra ose ndoshta edhe më shumë, me mijëra.
“Kjo është e papranueshme. Kjo është mizore dhe konfirmon se sa e rrezikshme është situata në Siri dhe sa e rëndësishme është për sirianët dhe komunitetin ndërkombëtar të merren masa serioze për zgjidhjen e çështjes”, tha Brahimi./GSH/kohaislame.com