Misteri rreth të “Burgosurit X” në Izrael

Izraeli burgosi në mënyrë tepër sekrete një shtetas australian, punonjës të Mossad-it sepse besonte se ai kishte zbuluar detajet të punës së tij për agjenci të tjera spiunazhi.

Ky është raportimi në mediat australiane të cilat së fundimi janë vënë në gjetjen e së vërtetës së vetëvrasjes në burgjet izraelite të “Burgosurit X”, që më vonë do të identifikohej si australiani Ben Zygier.

Mendohet se Zygier është vetëvarur në dhjetor të vitit 2010, në burgun e sigurisë maksimale në Izrael, Aylon. Identiteti i tij u zbulua javën e kaluar nga një program investigativ i ABC Neës. Sipas këtij televizioni, Zygier ushtronte aktivitetin e tij si agjent i shërbimit sekret izraelit, Mossad në Europë dhe Lindjen e Mesme.

Ai ishte nyja e krijimit të një rrjeti eksportesh materialesh elektronike në vendet arabe dhe Iran. Ky i fundit shihet si kërcënim për vetë ekzistencën e Izraelit ndaj dyshohet se puna e të “Burgosurit X” mbi këtë cështje lidhet me vendimin e tij për “t’i dhënë fund jetës”.

Sipas raportimeve në mediat australiane, Zygier ishte takuar me agjentë të shërbimit sekret australian gjatë një udhëtimi në vendlindje. Në këtë takim dyshohet se ai i ka dhënë detaje shërbimit sekret australian mbi punën e tij tek Mossad-i. Të vëna në njohuri të këtij detaji, autoritetet izraelite e burgosën atë.

Vetëvarja e tij u raportua fillimisht në mediat izraelite, si “cështja e të burgosurit X”, por shumë shpejt u ndalua publikimi i këtij informacioni pas një urdhërit të nxjerrë nga qeveria e kryeministrit Netanyahu.

Të dielën kryeministri izraelit mbrojti nevojën e nxjerrjes së urdhërave censurues në media.

“Ne nuk jemi si vendet e tjera. Jemi shumë më të kërcënuar dhe siguria jonë është gjithnjë një sfidë. Ndaj duhet të sigurojmë që aktiviteti i forcave tona të sigurisë të mos kompromentohet dhe ato të punojmë të qeta e të sigurta, ne të jetojmë të qetë e të sigurtë”, tha Netanyahu. /tch/kohaislame

Artikulli paraprakTranzicioni nga Messenger në Skype është shtyrë për 8 prill
Artikulli vijuesSiri, Hezbollah po ndihmon Assadin