SIRI – KRONOLOGJIA E FAKTEVE TË DITËS

Ngjarjet kryesore të ditës së sotme në kuadër të ndërhyrjes së mundshme ushtarake ndërkombëtare në Siri.

Opozita dhe vendet perëndimore akuzojnë regjimin sirian për vrasjen e qindra personave më 21 gusht në bastionet e rebelëve “Moadamiyat al-Cham” dhe “Ghouta” në lindje të Damaskut, duke përdorur gazra toksike.

E MËRKURË, 28 GUSHT

– Mbledhje e anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit në OKB për analizimin e një projektrezolute britanike që dënon sulmin kimik të 21 gushtit në Siri dhe autorizon përdorimin e të gjitha mjeteve të nevojshme për mbrojtjen e civilëve.

– NATO e konsideron të papranueshëm përdorimin e armëve kimike dhe vlerëson se ky akt nuk duhet të mbetet pa kundërpërgjigje. Megjithatë, sipas disa burimeve diplomatike, një ndërhyrje e drejtpërdrejtë e Aleancës Atlantike nuk është në rendin e ditës.

– Regjimi sirian paralajmëron se Siria do të bëhet varreza e pushtuesve të saj në rast ndërhyrjeje ushtarake, duke akuzuar perëndimorët se nxirrnin pretekste për sulm ushtarak.

– Moska paralajmëron se një ndërhyrje ushtarake do të destabilizonte Sirinë dhe vendet e Lindjes së Mesme.

– Irani paralajmëron se një ndërhyrje ushtarake në Siri do të ishte shkatërrimtare për të gjithë rajonin.

– Iraku shprehet kundër ndërhyrjes ushtarake në Siri duke shpallur gjendjen e emergjencës.

– Izraeli përgatitet për pasojat e mundshme në rast sulmi ndaj Sirisë dhe shpall mobilizimin në rast nevoje të mijëra rezervistëve në veri të vendit.

– SHBA përjashton mundësinë e një sulmi të veçuar ushtarak duke diskutuar me aleatët sulmet e mundshme që mund të zgjasin më shumë se një ditë.

– Kryeministri britanik, David Cameron dhe presidenti amerikan, Barack Obama, të cilët zhvilluan dje një bisedë telefonike, nuk kanë asnjë dyshim mbi përgjegjësinë e regjimit të Assadit për sulmin kimik, sipas burimeve të qeverisë britanike.

– Shefi i diplomacisë franceze, Laurent Fabius u shpreh se presidenti, François Hollande do të marrë masat e duhura në momentin e duhur.

– Organizata e Konferencës Islamike, OCI, anëtarë të së cilës janë 57 vende myslimane, bën thirrje për një veprim vendimtar ndaj regjimit sirian, përgjegjës sipas saj për sulmet kimike.

– Ekspertët e OKB-së u nisën gjatë orëve të mëngjesit për në zonën e “Ghouta”-s, prej nga pritet të kthehen nga pasditja. Sipas Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-Moon inspektorëve do t’u nevojiten katër ditë për finalizimin e punës së tyre në terren.

– I dërguari i posaçëm i Ligës Arabe në OKB, Lakhdar Brahimi e gjykon të papranueshëm përdorimin e substancave kimike më 21 gusht, duke u shprehur se nevojitet miratimi i Këshillit të Sigurimit për një ndërhyrje ushtarake.

– Jordania refuzon të përdoret si pikënisje për një sulm të mundshëm ushtarak në Siri, sipas deklaratave të ministrit jordanez të Informacionit./trt

Artikulli paraprakPutin jep urdhër, të sulmohet Arabia Saudite?
Artikulli vijuesEdhe Greqia i bashkohet "aleatëve" për Sirinë, sikurse ata edhe ajo kërkon “pjesën”