Konflikti në Siri ka tërhequr vëmendjen e publikut në të gjithë botën, sikundër ka angazhuar në këtë vend fuqitë e mëdha botërore, disa në mbështetje e disa në kundërshti me presidentin Bashar Al-Assad. Familja Assad e ka qeverisur Sirinë për më shumë se katër dekada, por si u ngjitën ata në majat e këtij pushteti të pakufishëm?
Hafez al-Assad ishte arkitekti i Sirisë moderne. Pas dekadash grushte shteti dhe kundërsulmesh në Siri, Hafez përdori rrjetin që kishte ndërtuar ndërsa mbante postet e komandantit të Forcës Ajrore siriane dhe ministrit të Mbrojtjes për të kapur pushtetin në vitin 1970.
Për të mbajtur pozicionin e vet, Hafez krijoi një sistem ndarjesh dhe rregullash e personalizoi pushtetin në një shkallë të tillë që vetëm ai mund ta mbante shtetin të bashkuar. Pasardhësi i tij do të trashëgonte një qeveri dhe institucione shtetërore të dobëta.
Ishte djali më i madh i Hafezit, Bassel, që u stërvit si trashëgimtar i pushtetit. Por vdekja e Bassel në një aksident me makinë në vitin 1994 bëri që vëllai i tij Bashar të dilte në skenë. Kur Bashar al-Assad mori presidencën në vitin 2000 pas vdekjes së Hafezit, shumë prisnin që ai të ishte një personazh i “lirë” e “i lodhur”, por kjo pritshmëri nuk u përmbush.
Kur mori pushtetin në fillim, Bashar u detyrua të punonte me rrethin e liderëve revolucionarë që i kishte lënë i ati, shumë prej të cilëve drejtonin institucione të rëndësishme, si shërbimet sekrete apo ushtrinë, e kjo për shumë e shumë vite.
Por, në mënyrë që të fitonte pavarësinë e tij, ai me ngadalë i eklipsoi këta njerëz e në vend të tyre vendosi rrethin e ngushtë të këshilltarëve të tij.
Në shumicën e rasteve, ministritë kyçe dhe agjencitë shtetërore kishin qenë nën kujdestarinë e aleatëve të besuar të Hafezit që në vitet 1970. Edhe pse këto institucione ishin politikisht të dobëta, ato shërbenin si mjete të rëndësishme patronazhi dhe përbënin një lidhje thelbësore midis presidencës dhe bazës së saj mbështetëse. Si të tilla, institucionet shtetërore krijonin një ndjenjë të fortë besnikërie mes punonjësve të tyre dhe atyre që përfitonin nga to, e në këtë ndjesi, ato ishin shtylla të fuqishme të shtetit.
Duke mënjanuar aleatët e babait të tij, Bashar imponoi elitën e tij urbane në shoqëri dhe minoi integritetin e institucioneve kyçe.
Hafez ishte ngjitur në pushtet së bashku me një brez liderësh që kishin dalë më së shumti nga provincat rurale dhe që mbanin lidhje të ngushta me bazën e pushtetit në këto zona. Rrethi i ngushtë i Basharit, në anën tjetër, praktikisht përfshinte fëmijët e elitës, një brez të rritur në qytet, pa mbështetje në bazë apo ndonjë rreth të tyrin ekskluziv mbështetësish apo ndikimi.
Shkalla e kontrollit të Basharit ka qenë subjekt i një debati të nxehtë që nga nisja e trazirave kundër regjimit të tij në Mars të vitit 2011. Ka pasur dyshime nëse Bashar ka qenë nën ndikimin e tepruar të “baronëve” të fuqishëm dhe anëtarëve të familjes, përfshrië, motrën e tij, Bushra, burrin e saj Asef Shawkat, dhe vëllain e tij Maher.
Shumë kanë dalë në përfundimin se Bashar ishte një reformator natyral dhe kishte plotësisht për qëllim hapjen e Sirisë, mirëpo u ndalua në këtë synim nga klika e të atit.
Ky përbën një pohim të thjeshtëzuar të karakterit të Bashar Al Assad. Bashar me kujdes kishte kultivuar një numër gazetarësh perëndimorë, akademikë dhe politikbërës për ta ndihmuar atë të dukej i hapur, simpatik dhe i matur.
Një debat i tillë, tashmë katër vjet më vonë, mbart shumë dyshime që duhen sqaruar.
(tesheshi.com)