Siria bombardon aksidentalisht Izraelin

Një predhë mortaje e qëlluar nga territori sirian goditi ditën e mërkurë lartësirat e Golanit, të pushtuara nga Izraeli që prej luftës 6-ditore të vitit 1967.
Ndonëse incidenti nuk shkaktoi viktima, ai pritet të provokojë një përballje të ashpër diplomatike midis Damaskut dhe Tel Avivit.

Nuk është e qartë nëse Izraeli do t’i përgjigjet ushtarakisht këtij sulmi, ashtu siç bëri Turqia, e cila bombardoi me artileri kufitare pozicione të ushtrisë siriane, pasi disa predha goditën gabimisht një qytet turk pranë kufirit në tetor 2012, duke i marrë jetën pesë civilëve.

Sipas raportimit të një të përditshme izraelite, duket se goditja ka qenë aksidentale, pasi në zonën siriane pranë kufirit po zhvillohen luftime të përditshme midis palëve ndërluftuese, transmeton TCH.

Lartësirat e Golanit, formalisht i përkasin Sirisë, por ato mbahet të pushtuara nga Izraeli që prej pothuajse 50 vitesh, që kur Siria, si pjesë e një aleance arabe, deklaroi luftë ndaj Izraelit.

Tel Avivi arriti të zmbrapste sulmet dhe që prej atëherë mban të pushtuar Golanin, pavarësisht tentativave diplomatike dhe ushtarake të Damaskut, për të rifituar këto territore të ndodhura në lindje të Detit të Galilesë.

Artikulli paraprakTango e rrezikshme në Bosnjë: Islami dhe nacionalizmi
Artikulli vijuesMishi me hormone po shkakton impotencë te meshkujt