Siria zhvendos armët kimike drejt vendeve fqinje

Ndërsa presidenti i Sirisë, Bashar al-Assad ka pranuar që të bashkëpunojë me komunitetin ndërkombëtar duke dorëzuar armët e tij kimike për shkatërrim, një prej drejtuesve kryesore të kryengritësve që po e luftojnë ka dyshime të forta nëse një plan i tillë mund të funksionojë.

Gjenerali Salim Idriss, në një lidhje direkte me “CNN”, nga një vendndodhje e panjohur brenda Sirisë, informoi se tashmë ushtria ka nisur një operacion të gjerë të zhvendosjes së këtyre armëve të shkatërrimit në masë në zona të sigurta tek aleatët e saj në Irak dhe Liban.

“Sot, na ka ardhur informacioni se regjimi ka nisur të zhvendosë armët kimike, të cilat do t’i mbajë në vendndodhje të sigurta në Liban e Irak. Kjo do të thotë se i gjithë operacioni i dorëzimit të armëve kimike tek komuniteti ndërkombëtar është një farsë dhe një nismë e destinuar të dështojë”, deklaroi gjenerali Idriss, transmeton TCH.

Gazetarët e “CNN” nuk ishin në gjendje që të vërtetonin në mënyrë të pavarur këtë pretendim për zhvendosjen e armëve.

Megjithatë, disa zyrtarë izraelitë i thanë rrjetit gjigant mediatik amerikan se nga vëzhgimet e tyre me satelit dhe me mjete të tjera në terren, nuk kanë pikasur lëvizje të mëdha të trupave në zonat kufitare me këto dy vende dhe se ata përjashtojnë me një përqindje të madhe që një zhvendosje të ndodhë në këtë fazë të konfliktit. /TCH/kohaislame.com

Artikulli paraprakTiranë, arrestohet hackeri 18-vjeçar
Artikulli vijuesHRW: Trupat siriane bëjnë ekzekutime në masë