Studentja N.N., nga Komuna e Istogut, është ngacmuar seksualisht nga një zyrtar i kësaj komune, më 6 janar të këtij muaji.
Sipas burimeve të Gazetës Blic, studentja ka shkuar në komunë për çështje dokumentacioni të bursës dhe aty është ngacmuar seksualisht nga një zyrtar i kësaj Komune.
“Studentja N.N ka shkuar për aplikim për bursë në zyrat e kësaj komune dhe zyrtari Xhevdet Zekaj ka keqpërdorur detyrën dhe ka ngacmuar studenten seksualisht”, ka thënë ky burim.
Sipas të njëjtit, e dëmtuara e ka paraqitur rastin edhe në Policinë e Kosovës, ku më pas, personit që ka ngacmuar seksualisht, i është shqiptuar masa prej 24 orësh paraburgim.
Këtë skandal e ka konfirmuar edhe vetë kryetari i kësaj Komune, Haki Rugova. Ai i ka thënë Gazetës Blic se i vjen shumë keq si kryetar dhe si qytetar i Istogut për këtë ngjarje.
“Po, një rast i tillë ka ndodhur dhe mua më vjen keq si kryetar dhe si qytetar. Ndaj zyrtarit në fjalë janë marrë masat ligjore të pezullimit nga puna, derisa të përdundoj procedura përkatëse. Unë besoj në mirëkuptimin e studentes dhe të familjes së saj dinjitoze. Jam i bindur se problemi nuk është skandaloz dhe mund të zgjidhet. Por, janë organet e drejtësisë, ato që do ta marrin vendimin final”, ka thënë Haki Rugova nëpërmjet SMS-it.
Merret vesh se Zekaj është zyrtar i lartë i LDK-së. Ai ishte edhe delegat i kësaj partie nga Istogu në Kuvendin e fundit zgjedhor të kësaj partie, ky kryetar u zgjodh Isa Mustafa.
Përndryshe, raste të ngjashme janë raportuar shpesh në mediat tona.
Rasti i fundit i raportuar, qe ai i ditës së djeshme, i cili ndodhi në Agjencionin Kadastral të Kosovës (AKK), institucion ky që udhëhiqet nga kryeshefi, Murat Meha, ku një punonjës i këtij institucioni, e kishte ngacmuar punonjësen e tij.