S’kanë strategji për veriun

Qeveria e Kosovës ende nuk ka një Strategji Gjithëpërfshirëse për Veriun, të cilën Komisioni Evropian po e kërkon nga tetori i vitit të kaluar.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi madje thotë se nuk ka asnjë ide për këtë çështje. Partitë opozitare pohojnë se autoritetet tashmë janë duke e diskutuar me Beogradin temën e Veriut tash e një vit, shkruan “Express”.

Sa herë që vijnë në Kosovë, kanë të njëjtën kërkesë për autoritetet e Kosovës– hartimin e një strategjie gjithëpërfshirëse për Veriun.

Zyrtarët e Bashkimit Evropian po ashtu e përsërisin se janë në gjendje për t’i ndihmuar kosovarëve rreth kësaj strategjie.

Por duket se Qeverisë së Kosovës nuk po i ngutet për këtë, edhe pse gjithnjë e më shumë paralajmërohet mundësia që çështja e Veriut të shtohet në tryezën e bisedimeve.

Për më tepër, Zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Hajredin Kuçi thotë se nuk ka asnjë ide rreth kësaj strategjie. “Jam në takim. Nuk kam ide për atë strategji”, ka thënë Kuçi përmes një sms’je të martën për Express.

Komisioneri për Zgjerim i BE-së, Stefan Fule ka thënë gjatë vizitës së fundit në Kosovë në muajin mars se Prishtina duhet të hartojë strategjinë, por për këtë duket se nuk ka ndonjë afat.

“Tashmë ka marrë formë zyrtare sa u përket kritereve politike për Kosovën në proceset integruese të saj. Qeveria e Kosovës do të duhet të gjejë forma të zbërthejë ofertën e saj për veriun. Qeveria nuk duhet vetëm të prodhojë strategji në letër për veriun, të bëjë publicitet, por të fokusohet në hapat afatshkurta që ndërlidhen me komunikimin me Veriun, afatgjatë që ndërlidhen me investimet dhe dialogun afatgjatë”, ka thënë ai. /Telegrafi/kohaislame

Artikulli paraprakPartia e Drejtësisë kandidon me Bujar Ademin në Ferizaj
Artikulli vijuesPRIFTI SHFAQË NJË FILM GAY PËR PUBLIKUN