Baza juridike dhe kushtet ligjore për fillimin e punës së Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të specializuar, që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale për krimet e luftës në Kosovë, tashmë janë ndërtuar dhe mund të pritet që kjo gjykatë deri në fund të këtij viti të procedojë me rastet e para, vlerësojnë ekspertë të çështjeve juridike -ndërkombëtare dhe njohësit e zhvillimeve politike në vend.
Në rubrikën e përjavshme të Radios Evropa e Lirë, “Fokus” , ata thonë se aktakuzat, të cilat do të ngrihen nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, si dhe proceset gjyqësore, mund ta tronditin skenën politike të Kosovës dhe se shqetësimet apo paralajmërimet për një tronditje të tillë, tashmë janë shpërfaqur.
Gjykata Speciale, s’ka kthim prapa
Ismet Salihu, profesor i të Drejtës Penale Ndërkombëtare, duke folur për Radion Evropa e Lirë, shpreh bindjen se Gjykata Speciale, ndonëse ka qenë e gatshme të veprojë, deri më tash nuk e ka bërë këtë, në mënyrë që eventualisht të mos ndikojë në procesin e zgjedhjeve parlamentare që u mbajtën më 11 qershor.
Një shmangie tëfillimit të punës, sipas tij, kjo gjykatë do ta bëjë deri pas zgjedhjeve lokale, që do të mbahen më 22 tetor.
“Me përfundimin e zgjedhjeve lokale, në çdo moment mund të fillojë punën kjo gjykatë. Përndryshe, kthim prapa, kjo gjykatë, nuk do të ketë. Opinioni i Kosovës, kosovarët, duhet të përgatitjen për ngritjen e akuzave dhe përgjegjësitë e njerëzve, të cilët do të akuzohen për krimet e pretenduara nga Dick Marty, më vonë edhe nga Prokurori special Clint (Wiliamson), si dhe nga ky që është aktualisht (David Schwendiman)”, thotë profesor Salihu.
Njohësi i zhvillimeve politike në vend, Imer Mushkolaj, shpreh mendimin se personalitetet që janë përfolur se mund të jenë në shënjestër të Gjykatës Speciale, tashmë i kanë informacionet se mund të jenë në ndonjërën nga aktakuzat, pavarësisht se nuk i kanë bërë publike. Ai thotë për Radion Evropa e lirë se puna e Gjykatës Speciale, tashmë nuk është vetëm deklarative.
“Tash, ajo është shtrirë edhe në terren dhe së shpejti pritet të bëhen edhe aktakuzat e para. Natyrisht, që kjo do të shkaktojë dhe do të ketë ndikim në skenën politike të Kosovës. Patjetër që unë, deklarimin e fundit të presidentit Thaçi e lidhi pikërisht me mundësinë që kjo Gjykatë Speciale do ta trazojë skenën politike të Kosovës. Por, është çështje tjetër se si dhe sa do të mund të menaxhohet kjo tronditje apo mbase ky shqetësim serioz, që do ta sjellë Gjykata Speciale”, shprehet Mushkolaj.
Ndikim në konfigurimin e skenës politike
Ditë më parë, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka theksuar se formimi i Gjykatës Speciale “ka ardhur si nevojë politike ndërkombëtare”. Ai ka thënë se pranimi i Gjykatës Speciale nga Kosova është bërë në rrethana imponuese diplomatike ndërkombëtare, nga ana e partnerëve ndërkombëtarë të Kosovës, me arsyetimin se duhet t’i kënaqin edhe aktorët tjerë, në veçanti Rusinë dhe Beogradin.
Presidenti Thaçi ka shprehur përkushtimin për të vërtetën dhe pajtimin, por megjithatë, formimin e Gjykatës Speciale e ka cilësuar “proces të padrejtë historik ndaj Kosovës”, si dhe ka ngritur dyshime rreth drejtësisë që mund të vendosë kjo gjykatë.
“Gjykata Speciale do të jetë vetëm një pikë drejtësi, në detin e padrejtësive që kanë ndodhur në Kosovë. Shtrohet pyetja, a do ta nxjerrë të vërtetën dhe a do të sjellë pajtim ndëretnik kjo Gjykatë?”, ka thënë presidenti Thaçi.
Por, politologu Ramush Tahiri, i ka thënë më herët Radios Evropa e Lirë, se pavarësisht reagimeve të tashme ose atyre eventuale që mund të pasojnë në figurat politike dhe institucionale në Kosovë, Gjykata Speciale nuk mund të abrogohet.
“Ky është thjesht një lloj, ndoshta, shfajësimi – që kjo gjykatë po punon -i Hashim Thaçit, tash në funksionin e presidentit. Por, nuk mendoj që do të ketë ndonjë ndikim praktik, përveç që do të ketë ndikim në marrëdhëniet e Kosovës ose të vetë presidentit me faktorin ndërkombëtar”, pati theksuar Tahiri.
Analisti Mushkolaj shpreh mendimin se në muajt e ardhshëm do të ketë edhe reagime të tjera lidhur me Gjykatën Speciale.
“Unë besoj që reagimit të ashpër të presidentit, në të ardhmen, menjëherë pas përfundimit të zgjedhjeve (lokale), do të vazhdojnë t’i bashkohen edhe reagimet e aktorëve të tjerë, të cilët mund të jenë pjesë e aktakuzave nga kjo gjykatë, varësisht se si i marrin informacionet për përfshirjen e tyre”.
“Skena politike mund të pësojë goditje, për shkak se nëse shohim raportin e senatorit Marty, ne aty gjejmë emra goxha të rëndësishëm. Secila aktakuzë që do të përfshijë një ose më shumë nga këta emra, do të ndikojë seriozisht, besoj, edhe në konfigurimin e ardhshëm të skenës politike të Kosovës”, thekson Mushkolaj.
Profesor Salihu shpreh mendimin se pavarësisht reagimeve, qoftë brenda Kosovës, qoftë jashtë vendit, ndikimet politike nuk do të mund të depërtojnë në punën e Gjykatës Speciale.
Madje, sipas tij, kjo gjykatë është produkt i moskonsolidimit të sistemit vendor të drejtësisë, si dhe mospunës së duhur të drejtësisë ndërkombëtare, në kuadër të UNMIK-ut, e më pas edhe të EULEX-it, të cilat deri në vitin 2014, kishin kompetencë ekskluzive për procedimin, akuzimin dhe gjykimin e krimeve gjatë luftës dhe pas luftës.
“Kjo Gjykatë (Speciale) është themeluar për shkak të ndikimeve politike që janë bërë brenda për brenda gjykatave, sistemit tonë të drejtësisë”, thotë profesor Salihu, duke shtuar se është i bindur që Gjykata Speciale i ka të gjitha garancitë e duhura të sistemit të drejtë të drejtësisë.
Implikime buxhetore për Kosovën
Procedimi i aktakuzave nga Gjykata Speciale, pritet të krijojë implikime edhe për buxhetin e Kosovës. Kjo për faktin se me Ligjin për mbrojtjen juridike dhe financiare të personave të akuzuar potencialë në proceset gjyqësore në Dhomat e Specializuara, do të mbulohen shpenzimet për secilin person që akuzohet nga kjo gjykatë, si për angazhimin e mbrojtjes apo avokatit të tij, e deri te shpenzimet e udhëtimeve jashtë Kosovës për të dhe familjen e tij. Gjithashtu, aty përfshihet edhe mbulimi i shpenzimeve për procedurat gjyqësore e deri te kompensimi i atyre personave, të cilët gjykata do t’i shpallë të pafajshëm.
Zyrtarët e Qeverisë së Kosovës, thonë se ligji do të zbatohet. Halil Matoshi nga kabineti i kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, thekson se Qeveria do t’i respektojë vendimet e institucioneve.
“Qeveria e Kosovës do të vazhdojë të jetë shumë e përgjegjshme dhe të sillet në përputhje me të gjitha vendimet që i kanë marrë institucionet e Republikës së Kosovës”, thekson Matoshi.
Por, profesor Salihu konsideron se ky ligj ka qenë i panevojshëm, për faktin se sipas konventave ndërkombëtare dhe sipas të drejtës ndërkombëtare dhe nacionale, të akuzuarve që nuk kanë mjete financiare për të paguar mbrojtës, atëia siguron gjykata, sipas detyrës zyrtare.
“Nxjerrja e çdo ligji, duhet t’i ketë edhe implikimet buxhetore. Ky ligj nuk e ka bërë atë kalkulim për implikimet buxhetore, se sa do të kushtojnë angazhimet e mbrojtësve të personave, të cilët eventualisht do të akuzohen dhe do të nxirren para kësaj gjykate”, thekson profesor Salihu.
Sidoqoftë, njohësit e zhvillimeve politike dhe të çështjeve juridike, kanë vlerësim të ndryshëm lidhur me efektet që mund t’i krijojë Gjykata Speciale te qytetarët e Kosovës. Ndonëse, sipas tyre, nxitja e trazirave nuk përjashtohet, ashtu sikurse edhe reagimi i opinionit, megjithatë, siç thonë ata, këto nuk do të mund të kenë efekt në punën e Gjykatës Speciale.