Po të ketë vullnet politik do të mund të sigurohen kushtet për zgjedhje të drejta dhe demokratike më 5 qershor, por deri më tani nuk shihet një atmosferë e tillë tek pushteti. Kështu vlerësuan panelistët e debatit të sotëm të organizatës “Proficio” për përgatitjen e terrenit të zgjedhjeve më 5 qershor. Sipas Xhabir Derallës nga organizata “Civil” dhe analistit Ramadan Ramadani, pushteti po krijon situata artificiale të tensioneve për të mbuluar nevojën e demokracisë, sundimit të së drejtës dhe zgjedhjeve të lira. Vendosja e kryqit dhe shqiponjës, sipas tyre është tentativa e fundit e pushtetit për të inskenuar konflikte ndëretnike.
“Jemi dëshmitarë të keqpërdorimit të të gjitha resurseve shtetërore për t’u penguar formimi i kushteve për zgjedhje të lira. Korrupsioni politik, dhuna, mitmarrja, presioni dhe kërcënimet po vazhdojnë me një intensitet të lartë…Vëzhguesit tanë në terren shohin veprimet e njëjta si para Marrëveshjes së Përzhinës, gjatë saj si dhe pas prolongimit të zgjedhjeve. Nëse nuk krijohen kushtet minimale për zgjedhje mendoj se duhet të rikthejmë thirrjet tona për dorëheqje të Qeverisë dhe formimin e Qeverisë teknike”, tha Xhabir Derallës nga organizata “Civil”.
Sipas analistit Ramadani, gjithë skenarët e përgatitura nga pushteti kanë nxitur revoltën sidomos tek elektorati shqiptar, tek i cili është krijuar tashmë një atmosferë kundër BDI.
“Unë këtë e lidhi me tentativat për ta kthyer në fokus stabilitetin para demokracisë. E gjithë kjo është tentativë për të thënë se megjithatë stabilitetit është më me rëndësi se sa demokracia. Ekziston një disponim kundër BDI-së tek popullata shqiptare që çdo analist, çdo ndjekës i proceseve mund ta vërejë. Nëse mund të shihni tek tubimet e BDI-së, dhe ja tani në kampet e tyre nuk mund të shihni qytetarë të thjeshtë që nuk kanë lidhje me partinë. Kjo tregon se shqiptarët po distancohen nga kjo parti”, tha analisti Ramadani.
Ndërkohë, analisti Bojan Mariçic kujtoi rastin e Kumanovës si rast i fundit që sipas tij tentoi të shkaktojë tensione ndëretnike, por që e pengoi pjekuria qytetare që nuk bie prej e skenareve të tilla si ai i vendosjes së kryqit dhe shqiponjës në Butel e Çair.
“Mendoj se kjo është tentativa e fundit për të groposur marrëveshjen e Përzhinos, dhe vazhdimsi e Rastit të Kumanovës. Tani kjo shpikja e re, besoj që do të tejkalohet pasi që qytetarët nuk e pranuan këtë provokim. Kjo është një bombë gazi apo dhe i hedhur syve kundër 5 gjërave. Tentimit nëpërmjet Gjykatës Kushtetuese për t’u shpëtuar nga përgjegjësia për krimet zgjedhore, kundër veprimeve të Prokurorisë Speciale, kundër vizitës së Hojt Ji, kundër marrëveshjes për mediat, dhe kundër asaj që prej dje është e dukshme se sa e çrregulluar është lista zgjedhore”, tha analisti Bojan Mariçic.
Në debatin e sotëm për kushtet e zgjedhjeve ishin thirrur edhe koordinatorët e grupeve parlamentare të BDI-së, PDSH-së dhe VMRO-DPMNE-së por asnjëri prej tyre nuk është përgjigjur në thirrje. /SHENJA/