Spiunazhi kompjuterik: pas gjurmëve të "Tetorit të Kuq"

(Të sulmuara edhe Shqipëria dhe Kosova)

Kliko këtu për ta parë grafikun e plotë.

Ekspertët e “Laboratorit të Kasperskit” (“Kaspersky Lab”) zbuluan një rrjet masiv kibernetik nën emrin e koduar “Tetori i Kuq”. Për pesë vjet me radhë keqbërësit kanë vjedhur informacion mjaft të vlefshëm komercial, diplomatik dhe gjeopolitik. Ekspertët po përpiqen tani të kuptojnë se kush mund të qëndrojë pas spiunazhit kompjuterik.
Një rrjet i kësaj shkalle zbulohet për herë të parë, pranon eksperti kryesor anti-virus i “Laboratorit të Kasperskit” (“Kaspersky Lab”), Vitali Kamljuk. Sipas informacionit të kompanisë, keqbërësit kanë zhvilluar plot pesë vjet spiunazh kundër dikastereve diplomatike, strukturave shtetërore dhe instituteve kërkimoro-shkencore në mbarë botën. Të dhënat dhe informatat sekrete janë vjedhur nga telefonat celularë, nga kompjuterat stacionarë (PC) dhe pajisjet e lidhura në Web të organizatave të sulmuara. Shkalla e përhapjes së këtij Rrjeti spiunazhi është jashtëzakonisht e madhe, thotë Vitali Kamljuk:
– Ajo që kemi zbuluar ne përfshin në vetvete më shumë se një mijë skedarë të ndryshëm të arkivuar unikalë, të projektuar posaçërisht për një organizatë të veçantë apo një qëllim konkret. Për të krijuar një strukturë të tillë do të nevojitej një grup i tërë zhvilluesish. Ana e dytë – kjo është një infrastrukturë serveri. Ne kemi gjetur më shumë se gjashtëdhjetë emra të ndryshëm domain-ësh dhe një numër të madh serverësh realë fizikë të vendosur në platformat e Gjermanisë dhe Rusisë.

Megjithatë çështja kryesore që shtrohet për zgjidhje tani është kjo: kujt dhe përse iu desh ndërtimi i këtij rrjeti? Për cilin punonte ai? Analisti kryesor i Qendrës Rajonale Publike të teknologjive të Internetit, Urvan Parfentiev, dyshon se pas këtij projekti qëndron ndonjë qeveri – sepse mënyra e infektimit të kompjuterave dhe puna e zhvilluar me pajisjet e lëvizshme (mobile), sipas mendimit të ekspertit, duket pak joprofesionale. Por edhe me iniciativën private të grupit të hakerëve të avancuar “Tetori i Kuq” nuk ngjason fort:

– Në qoftë se sulmet e para të këtij grupi kanë patur vend në vitin 2007, i bie një kohë paksa e gjatë atëhere për një projekt altruist. Ka më shumë gjasa që porositës të jetë ndonjë konsumator i madh, i cili disponon burime të mjaftueshme dhe që ndien nevojë për një informacion të tillë, por që nuk ka ndërkohë një shërbim sekret të vlefshëm zbulimi. Nuk mund të përjashtohet edhe ai fakt që një pjesë e informacionit të siguruar në këtë mënyrë të jetë postuar në faqen “WikiLeaks” të Julian Assange.

Eksperti përcakton tre sfera të përhapjes së interesit të spiunëve kompjuterikë: informacioni politik dhe gjeopolitik; hulumtimet strategjike; fusha e informacionit komercial dhe gjeo-ekonomik. Ndërkohë një theks i veçantë vihet mbi industrinë e naftës dhe gazit. Porositës të këtij informacioni mund të kenë qenë si kompanitë e mëdha, ashtu dhe struktura diverse shtetërore të vendeve të ndryshme.

Përfaqësuesi i “Laboratorit të Kasperskit” (“Kaspersky Lab”) thekson gjithashtu se lidhje direkte e grupit “Tetori i Kuq” me ndonjë qeveri nuk është evidentuar, zbuluar deri tani, por beson megjithatë se agjencitë shtetërore me propabilitet shumë të madh mund të kenë qenë blerëse të informacionit të rrjetit të spiunazhit kompjuterik.

Artikulli paraprakAmerika dhe Spanja, edhe pas 2014 në Afganistan
Artikulli vijuesKoreja e Veriut: grave sërish iu ndalon të ngasin biçikletën