Sulmet turke ndaj ISIS-it, pas telefonatës Obama-Erdogan

Avionët luftarakë turk sulmuan disa objektiva të Shtetit Islamik në Siri, për herë të parë, ndërkohë që Presidenti Tayyip Erdogan premtoi më shumë vendosmëri në veprime kundër xhihadistëve.
 
Sulmet ajrore, të cilat nisën menjëherë pas një bisede telefonike mes Erdoganit dhe Presidentit amerikan, Barack Obama, të mërkurën, u shoqëruan gjithashtu me bastisje të policisë anembanë Turqisë për të arrestuar qindra militantë të dyshuar, përfshi ata të grupeve kurde.
 
Turqia ka qenë prej kohësh një partner ngurrues në koalicionin e udhëhequr prej Shteteve të Bashkuara kundër Shtetit Islamik, duke theksuar më së shumti nevojën për të rrëzuar Presidentin sirian, Bashar al-Assad, e duke thënë se forcat kurde të Sirisë mund të përbëjnë gjithashtu një kërcënim të madh ndaj sigurisë.
 
Por, sulmet e së premtes, që sipas zyrtarëve u kryen nga hapësira ajrore turke, pa shkelur atë siriane, sinjalizuan faktin se Ankaraja mund të hidhet në sulm kundër Shtetit Islamik përgjatë kufirit të saj me Sirinë, por do të ndjekë gjithashtu edhe Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit (PKK) aktiviteti i së cilës është i ndaluar në Turqi, pasi Ankaraja e përshkruan atë si organizatë separatiste.
 
“Në bisedën tonë telefonike me Obamën, ne përsëritëm vendosmërinë tonë në betejën kundër organizatave separatiste dhe Shtetit Islamik”, tha Erdogan për reporterët. “Ne ndërmorëm vetëm hapin e parë natën e kaluar”.
 
Ankaraja veproi vetëm disa orë, pasi zyrtarë në Uashington njoftuan se Turqia kishte rënë dakord që SHBA-të të përdornin bazën ajrore të Inçirlikut për të ngritur avionët luftarakë kundër ISIS, duke hequr dorë kështu nga refuzimi i mëparshëm për të lejuar bombardimet amerikane.
Artikulli paraprakShqipëri: Zjarr i përmasave të mëdha në një pyll në Belishovë
Artikulli vijuesMizori ndaj balenave: Bregdeti mbushet gjak