Mëngjesin e sotëm në pjesën e qytetit Kölnerberg të Gjermanisë, njësitet e policisë antidrogë kanë arrestuar 15 persona dhe kanë bastisur afër 50 banesa në një kompleks banimi (Hochhauskomplex “Auf dem Kölnberg”).
Gjatë këtij aksioni policor është konfiskuar një sasi e madhe e drogës, ndërsa është arrestuar edhe koka e këtij grupi kriminal, një 44-vjeçar nga Kosova, njofton korrespodenti i agjencisë së lajmeve INA.
Gjykata për 3 vite me radhë kishte filluar hetimin e këtij grupi kriminal, ku gjatë hetimeve është zbuluar se ata kanë shitur me qindra kilogram drogë, përcjell Panorama.
“Një sistem tejet i modernizuar i këtij grupi ku si shpërndarës të drogës u përdorën klientët e droguar. Kontrolli total i saj bëhej nga 44 vjeçari kosovar”, informon për media kryeprokurori i gjykatës në Köln.
Për të parandaluar komunikimin mes të arrestuarve, Gjykata po ashtu ka urdhëruar shpërndarjen e të arrestuarve nëpër burgje të ndryshme në rajon.
Sipas të dhënave, 4 nga të arrestuarit janë femra, dy nga to ende me nënshtetësi kosovare.
Banda e drogës nga Kosova kishte arritur me sukses të largonte të gjithë konkurrentët duke përfshirë këtu edhe mafian ruse, si dhe grupin e rokerëve ‘Hells Angels’.
Gjatë bastisjeve të banesave, policia ka gabuar duke hyrë në banesën e një personi, i cili nuk ishte i përfshirë në këtë bandë, ku ka goditur 2 persona të cilët morën lëndime të lehta dhe ka vrarë një qen të tyre.
Gjykata ka shpjeguar se ndaj kësaj familje do bëhet dëmshpërblimi sa më i shpejtë.
Gjatë këtij aksioni morën pjesë rreth 400 policë. Mediat thonë se kjo familje trafikantësh dy vite më parë kishte rënë në konflikt me një grup kontrabandistësh nga Shqipëria ku gjatë përleshjeve mes këtyre dy grupeve mbetën të vdekur 2 persona.
Atëkohë policia nuk kishte arritur të arrestonte ndonjë nga familjarët e grupit kosovar pasi mungonin provat.
Gjykata ka ngritur akuzat ndaj kësaj familjeje për trafikim të narkotikëve të ndryshme, vrasje, plagosje, dhunë, presion, abuzim të të drejtave njerëzore, anashkalim financash, shpëlarje të parave, trafikim armësh etj etj.