Synohen bisedime me deputetët, për t’i siguruar votat për Demarkacionin

Dy partitë në koalicionin qeverisës PDK-LDK, synojnë që përmes bisedimeve me grupet parlamentare dhe me deputetët e tyre të sigurojnë votat e mjaftueshme për miratimin e Demarkacionit, para se ajo të dërgohet sërish në Kuvendin e Kosovës.

Të enjten me kërkesë të kryeministrit, Isa Mustafa, miratimi i marrëveshjes së shënimit të vijës kufitare mes Kosovës dhe Malit të Zi është hequr nga rendi i ditës në Kuvendin Kosovës.

Mustafa këtë e ka arsyetuar se nuk ka kushte për t’u votuar, pasi Lista Serbe që është pjesë e koalicionit, ka kushtëzuar votën për Demarkacionin, ndonëse kjo është mohuar nga përfaqësues të saj, duke thënë se ata nuk kanë marr pjesë në seancë për shkaqe sigurie.

Por, zëvendësministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal nga radhët e LDK-së, Bajram Gecaj, ka thënë për lajmi.net se Demarkacioni do të jetë shumë shpejtë në Kuvend, dhe do të zhvillohet diskutime me të gjitha grupet parlamentare dhe me deputetë, që të sigurohen votat e mjaftueshme para se kjo marrëveshje të dërgohet në Kuvend.

“Nuk do ta vonojmë këtë çështje, por u mbetet partnerëve të koalicion që të zhvillojnë negociata në mënyrë që kjo të vije sa më shpejt në Kuvend dhe të ketë votat e mjaftueshme”, ka thënë Gecaj.

Ai ka thënë se marrëveshja nuk do të rinegociohet, pasi është miratuar nga Qeveria dhe do t’i dërgohet prapë në formën e ligjit Kuvendit të Kosovës.

Edhe nënkryetari i PDK-së dhe Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti i cili të premten për lajmi.net ka pranuar se në seancën e 1 shtatorit koalicioni nuk i kishte votat e mjaftueshme, është shprehur se duhet të zhvillohen bisedime me partitë në Kuvend që të sigurohen votat për ratifikimin e marrëveshjes me Malin e Zi.

“Varianti i parë i mundshëm është që të punojnë partitë nëse duan që t’i kenë votat për ta miratuar Demarkacionin”, kishte deklaruar Haliti.

Heqja nga rendi i ditës i miratimit të demarkacionit me Malin e Zi nga ana e Qeverisë, për partitë opozitare ishte fitore e tyre dhe dështim i ekzekutivit.

Artikulli paraprakNa lini të qetë
Artikulli vijuesMjetet e blinduara të ushtrisë turke hynë në Çobanbey të Sirisë