Taksisti shqiptar mahnit Zvicerën

Quhet Nderim Ismaili, 35 vjet, baba i dy vajzave, Emës 8 vjet dhe Elës 4 vjeç. Me profesion është taksist që nga viti 2007 në Lausanne (Llozanë) të Zvicrës.

Mirëpo nuk janë kilometrat e shumtë që i kalon ai rrugëve të Zvicrës që e bëjnë të veçantë Nderimin, por janë aktet humane që e bëjnë atë njeri altruist.

Ai është shndërruar në “hero”, duke iu ndihmuar njerëzve në nevojë, pa dallim kombësie, ngjyre apo moshe, vetëm për humanizëm.

Veprimet e tij të shumta bamirëse kanë bërë që ai të jetë edhe në ballinën e gazetës zvicerane “20 minuta”. Ismaili për “Zërin” ka thënë se u ka ndihmuar shumë njerëzve, mirëpo janë tri momente që tashmë janë bërë të njohura edhe në mbarë Zvicrën.

Befason profesorin zviceran me humanitetin e tij

Në orët e hershme të mëngjesit, saktësisht 04:30, Nderimi i kishte ndihmuar një personi i cili kishte dalë të kërkonte farmaci të hapur për të blerë ilaç kundër gjakderdhjes për djalin e tij 2 vjeç. Meqenëse farmacitë ishin të mbyllura atë orë, Nderimi jo vetëm që i kishte ofruar vozitje profesorit Cédric Finkbeiner, por së bashku me të kishin shkuar në shtëpinë e tij dhe e kishte marr ilaçin duke i dhënë profesorit.

Ai kishte mbetur i habitur dhe shumë i prekur me këtë gjest, sa që i kishte ofruar para menjëherë Nderimit. Mirëpo, ai nuk kishte pranuar sepse, siç thotë ai, “veprimet e mira” nuk bëhen për para. “Unë vetëm desha ta ndihmoj atë siç kam ndihmuar edhe shumë njerëz të tjerë. Ai deshi të më paguajë në fund, mirëpo kjo nuk vinte në shprehje”, rrëfen Nderimi.

Megjithatë Nderimi i kërkoi atij një lloj “pagese” në fund. “Nëse dëshiron të më paguash vepro si unë. Ndihmoi edhe ti dikujt tjetër”, i ishte drejtuar Nderimi profesorit duke e lënë pa fjalë. Kishte rënë ky rast dhe profesori i filozofisë, kur kishte shkuar në mbledhjen e tij në Universitet, e kishte përmendur me kolegët çfarë i kishte ndodhur. E tëra që donte të dinte profesori ishte të kuptonte se kush ishte në fakt ai që e ndihmoi.

Ndërsa, aty kishte qëlluar edhe një grua tjetër, të cilës Nderimi i kishte ndihmuar disa kohë më parë. Mirëpo, pasi që nuk e dinin se për kë bëhej fjalë, gruaja e kishte pyetur profesorin vetëm se “A kishte pengesa në të folur”, dhe ai i ishte përgjigjur me “Po”. “Ai është shqiptar nga Kosova dhe më ka ndihmuar edhe mua”, ia kishte kthyer gruaja.

Ndërsa, jo shumë kohë më parë, Nderimi e kishte shpëtuar edhe një grua tjetër. Duke vozitur me taksinë e tij, ai e kishte vërejtur se një grua ishte rrëzuar dhe pa hezituar kishte dalë jashtë për t’i ofruar ndihmë.

“E pash duke u dridhur, dhe pasi që kam qenë student i farmacisë në Prishtinë e vërejta menjëherë se është në mungesë të sheqerit. Kam shkuar dhe i kam i futur ca sheqer në gojë dhe i kam ngjeshur kokën dhe qafën derisa ka ardhur ambulanca. Ajo filloi ta marrë veten dhe kur erdhi ambulanca i thanë asaj gruas se po të mos isha unë, ajo do të mund të kishte vdekur”, rrëfen ai.

Ndërtoi shtëpi për nevojtarët në Preshevë

Humanizmi i preshevarit nuk përfundon vetëm rrugëve të Zvicrës. Filantropinë e tij ai e shfaq edhe në vendlindjen e tij. Së fundmi Nderimi ka financuar ndërtimin e një shtëpie për një familje nga Presheva. “Edhe njëherë po e them. Nuk bëj asgjë nga këto për famë apo për emër.

Thjesht unë nuk jam mirë kur të tjerët nuk janë mirë. Dhe sa herë që mundem të ndihmoj unë e bëj këtë gjë sepse kjo është e drejtë. Kjo familje nuk kishte ku të flinte dhe pasi që kisha mundësi, me shumë kënaqësi e kam ofruar ndihmën time”, ka thënë ai. Nderimi thotë se kjo i ka mbetur nga babai dhe gjyshi, të cilët po ashtu e kanë pasur në gjak filantropinë.

“Dua të kontribuoj në përmirësimin e reputacionit të shqiptarëve në Zvicër”

Nderimi përveç arsyeve humane që ndihmon njerëzit në Zvicër ka edhe një qëllim të caktuar dhe shumë me rëndësi për të. Të ndryshojë reputacionin e “keq” të shqiptarëve që jetojnë në Zvicër. Ai dëshiron që t’u tregojë edhe atyre se ka shumë shqiptarë të mirë të cilët jo vetëm që janë qytetarë të ndershëm, por edhe mund të kontribuojnë për një shoqëri më të shëndoshë.

“Të them të drejtën jo rrallë herë dëgjojmë lajme jo të mira për shqiptarët këtu. Kështu që unë sa herë që kam mundësi dëshiroj të bëj diçka që kjo të ndryshohet. Ne e kemi traditë mirësjelljen dhe ofrimin e ndihmës dhe këtë dua që t’ua dëshmoj zviceranëve dhe jo vjedhjet dhe gjërat e tjera kriminale”, përfundon Nderim Ismaili.

Artikulli paraprak“Jeni Xhamia” në Manastir do të mbushet me ikona krishtere!
Artikulli vijuesDijetari musliman zbulon Amerikën 500 vite para Kolombos