Tarifa për Rrugën e Kombit, 5 euro

0
166
Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës të Shqipërisë, Edmond Haxhinasto, tha se tarifa për Rrugën e Kombit do të jetë pesë (5) euro. Haxhinasto tha se tarifa për këtë rrugë është dashur të aplikohej më herët, por për arsye të ndryshimeve ligjore ajo do të fillojë vetëm nga ky vit.

“Në fakt, kjo është përpjekja e dytë për ta dhënë Rrugën e Kombit me koncesion. Arsyeja pse e kemi shtyrë është sepse ka pasur nevojë për disa ndryshime ligjore të rëndësishme, pasi një procedurë e tillë, në formën që ishte ligji për koncesionet, ishte e pamundur të bëhej, por më 23 mars ne do kemi hapjen e ofertave të kompanive për këtë rrugë…Gjithçka që do fitohet do shkojë për t’i mirëmbajtur këto rrugë për t’i risjellë ato me standarde më të larta, me qëllim që tu ofrohet qytetarëve dhe ekonomisë një cilësi më e lartë. Është folur për një tarifë rreth 5 euro për këtë rrugë, dhe besoj se tarifa që kemi vendosur për këtë segment është nën mesataren e rajonit”, tha Haxhinasto në një intervistë për Kosovapress.
 
Në këtë intervistë Haxhinasto kfoli edhe për portin e Shengjinit dhe përfoljet se ky port do t’u jepet me koncesion investitorëve nga Kosova. Por, Haxhinasto tha se deri më tani interesim për këtë port ka pasur vetëm nga investitorë kinez e jo nga ata kosovarë.
 
Haxhinasto foli edhe për nevojën e një lidhje hekurudhore me Kosovën, në kuadër të një projekti rajonal.
 
“Ne një vit më parë kemi realizuar një marrëveshje midis dy ministrive, e cila parashikonte gjithashtu edhe një studim fizibiliteti edhe për lidhjen hekurudhore midis Kosovës dhe Shqipërisë dhe më tej kemi përgatitur një aplikim në kuadër të investimeve për Ballkanin Perëndimor, një kërkesë të përbashkët midis Shqipërisë dhe Kosovës, për të bërë një studim pra për lidhjen hekurudhore, gjë që tani e kemi futur në proces. Por sigurisht ne kemi mjaft interesa të përbashkëta në të gjithë aspektet; planifikimit të zhvillimit të infrastrukturës, të realizimit konkret të veprave të ndryshme, por edhe të mirëmbajtjes. Konkretisht ne kemi një arterie të rëndësishme kombëtare siç është Rruga e Kombit, të cilën ne duhet ta mirëmbajmë së bashku, ti japim jetë së bashku, pasi akoma kjo rrugë është nën kapacitetin e saj me qëllim që edhe investimi i jashtëzakonshëm që është bërë të kthehet por mbi të gjitha rruga, ky investim ti shërbejë ekonomisë, ti shërbejë, rritjes së qarkullimit, ti shërbejë të dy vendeve, shkëmbimeve midis dy vendeve që në fakt nuk ka ndodhur akoma”.
 
“Në funksion të këtij qëllimi patjetër që kemi shumë për të bërë. Unë kam shprehur mirënjohjen time për kontributin që është dhënë nga Ministria e Infrastrukturës së Kosovës, për sigurinë e kësaj rruge, janë sjellë disa elementë të rëndësishëm për të kontrolluar trafikun në disa zona të rrezikshme të saj. Ne aktualisht jemi duke vazhduar me investime në atë projekt, por besoj se koncesioni që jemi duke realizuar do sjellë një cilësi të re të standardit të kësaj rruge. Por gjithashtu ka vend për të bashkëpunuar edhe në fusha të tjera, edhe në transportin ajror gjithashtu. Ne jemi optimistë që së shpejti edhe aeroporti i Kukësit të jetë funksional dhe i hapur edhe për fluturime ndërkombëtare, por sigurisht të planifikojmë së bashku dhe të realizojmë vepra të cilat na integrojnë, pasi të dy vendet jemi në procesin e integrimit europian dhe patjetër që duhet të ndërtojmë infrastrukturë evropiane”, tha Haxhinasto për Kosovapress./kohaislame