TË ARRITURAT ARABËVE MUSLIMAN NË FUSHËN E BIOLOGJISË, KIMISË, FARMAKOLOGJISË, MINERALOGJISË DHE GJEOLOGJISË

Është e pamundur të përfshihen të gjitha shkrimet që kanë shkruar shkencëtarët musliman në këto lëmenj. Shumica prej tyre kanë qenë shumë të frytshëm, posaçërisht në biologji, në kimi, në farmaci për shkak të afërsisë së këtyre disiplinave shkencore me mjekësinë. Ndërmjet tyre hasim edhe në matematicientë, astronomë dhe fizikanë shumë të njohur, të cilët përveç matematikës, astronomisë dhe fizikës kanë studiuar edhe mjekësinë. Ibn al-Hejsem i njohur me punimet e tija në lëmi të optikës ka shkruar edhe disa vepra mjaft të njohura nga lëmi i mjekësisë. Ibn Sina i njohur si mjek dhe si filozof disa kapituj të veprës së vet të madhe Kanoni i Mjekësisë i ka kushtuar farmacisë. Në to ai ka përshkruar shumë bimë shëruese, mënyrën e përfitimit të drogës dhe përdorimin e tyre në shërimin e sëmundjeve. Po ashtu edhe disa kapituj të veprës së dytë të madhe “Esh-Shifa” ia ka kushtuar biologjisë. Në ata kapituj Ibn Sina ka përshkruar shumë bimë, ka folur detalisht mbi mënyrën e shumëzimit, mbi absorbimin dhe bartjen e ushqimit te talofitlët dhe bimët me sistem përçues.

Përveç botës bimore Ibn Sina ka folur edhe për botën shtazore. Ka përshkruar shumë lloje të kafshëve tokësore dhe ujore. Detalisht ka folur mbi kërdën (rroc) dhe eshtrat, venat dhe arteriet, lëkurën dhe muskujt, sistemin nervor, sistemin e organeve të tretjes, organet e frymëmarrjes, organet për qarkullimin e gjakut, organet e shumëzimit etj. Pa dyshim se Ibn Sina dhe shumë shkencëtarë të tjerë arabë, të cilët janë marrë me botën bimore dhe shtazore, kanë studiuar strkuturën e organeve me prerjen e tyre. Vetëm në këtë mënyrë mund të sqarohet përshkrimi i tij i muskujve të zgjatura të zorrve, të cilët bëjnë lëvizjen ngjashëm me lëvizjen e skrrajës gjatë tretjes së ushqimit, pastaj transferit ose bartjes, pastaj muskujt lidhës, të cilët kanë rolin e bashkimit ose lidhjes së muskujve të zgjatur dhe muskujve transfer bartës.
Kanoni i mjekësisë i tij pesëmbëdhjet herë është përkthyer dhe botuar në gjuhë të ndryshme, ndërsa i studiuar në universitetet evropiane deri në fund të shek. XVII. Përmes Kanonit të mjekësisë Ibn Sina në periudhën e zgjimit të saj ka ndikuar fuqimisht në zhvillimin e mendimit shkencor evropian.

1. KIMIA

Xhabir ibn Hajjan konsiderohet njëri ndër kimistët më të mëdhenj arabë. Ai ka vënë themelet e kimisë shkencore. Para tij kimia ka pasë kryesisht karakter të shkathtësisë e bazuar në eksperiencë. Me shkathtësi dhe me eksperiencë para Xhabir ibn Hajjanit janë përfituar disa metale, ngjyra, pëlhura, qelqi, yndyrërat, erërat e ndryshme dhe mjetet, të cilat pengojnë kalbjen. Duke u marrë me punë eksperimentale Xhabir ibn Hajjan ka treguar rëndësinë e eksperimentit. Ai prej nxënësve të tij ka kërkuar precizitet dhe kujdesshmëri gjatë zhvillimit të eksperimentit në kohën kur teoria e katër elementeve ka qenë ende në fuqi dhe kur është menduar se me kombinimin e këtyre elementeve mund të fitojmë çdo materie, të cilën dëshirojmë ta fitojmë. Për këtë arsye shumica, metalet jofisnike janë munduar t’i shndërrojnë në metale fisnike dhe në këtë mënyrë të arrijnë deri te ari. Xhabir ibn Hajjan ka vërejtur se gabimi i kuptimit nuk sqaron shumë dukuri, të cilat ai i ka vërejtur në eksperimentet e veta.
Ai gjatë ndarjes së substancave të pastërta nga përzierjet natyrale ose artificiale ka përdorur metodën e tharjes (evaporacionit).
Përveç metodës së tharjes ai ka përdorur edhe metodën e kullimit (filtrimit), pastaj metodën e destilimit, disolucionit, kristalizimit, sublimit dhe metodën e kalcinimit. Me punën eksperimentale Xhabir ibn Hajjan ka arritur të përfitojë shumë materiale si dhe t’i njohë vetitë e tyre kimike si p.sh. argjend-nitratin, acidin azotik etj. Ai ndër të parët ka vërtetuar se me përzierjen e argjend-nitratit me tretjen e kripës së kuzhinës përfitojmë fundrinën e bardhë në formë të djathit, sikur që ka vërejtur se bakri jep ngjyrë fisnike të gjelbërt. Ai ka vërejtur dallimin ndërmjet destilimit dhe filtrimit. Me destilim e ndajmë lëngun prej materieve të tjera, të cilat gjenden në lëng, ndërsa me filtrim i ndajmë materiet e forta të patretura në lëng.
Për të përfituar cinobër ose sulfatin e zhivës, Xhabir ibn Hajjan në shishë dhe enë të porcelanit ka qitur zhivën dhe squfurin. Më vonë zhivën e ka përzier me squfurin në enë dhe ka vendosur në furrë. Pas 24 orëve zhiva me reaksion kimik është shndërruar në gurrë të kuqe të ashtuquajtur cinobër. Cinobri në përgjithësi nuk është material i ri. Zhiva dhe squfuri me rrugë kimike janë shndërruar në grimca të imta e të thjeshta të padukshme për syrin me bashkimin e të cilëve është përfituar cinobri. Me gjasë ekziston ndonjë ngjashmëri ndërmjet paraqitjes së njësive kimike të Xhabir ibn Hajjanit dhe hipotezës atomike të Daltonit, e cila më vonë është arritur në teorinë atomike dhe me të cilën ka sqaruar ligjin e marrëdhënieve të peshave atomike (John Dalton, 1766-1884, kimist dhe fizikan anglez, ka dhënë teorinë atomike, themelet e kimisë moderne, ka dhënë ligjin e proporcioneve të shumëzuara, ka përshkurar çrregullimin e shqisave të pamurit në njohjen e ngjyrave, sipas tij është thirur Daltonizëm, është marrë me kërkime sistematike meteorologjike).
Është e njohur se veprat e Xhabir ibn Hajjanit janë përkthyer në gjuhën latine dhe kanë qenë literaturë themelore gjatë shekullit të mesëm. Për te dhe për veprat e tij janë shkruar shumë studime. Shkencëtarët më eminentë të perëndimit si p.sh. Kupp, Holmyard, M.Barthelot, P.Kraus, G.Sarton etj. me shqyrtim të veçant kanë treguar mbi Xhabir ibn Hajjanin dhe kontributin e tij në zhvillimin e kimisë si shkencë. Helmyard, Xhabir ibn Hajjanin e numëron ndër shkencëtarët më të mëdhenj arabë, ndërsa Sartoni thotë se shumë shkencëtarë sot nuk janë në gjendje të kuptojnë se këto njohuri dhe këto punime shkencore nga kimia mund t’i përshkruhen njeriut, i cili ka jetuar në shekullin e dytë mysliman.
Duhet të theksojmë se Al-Kindi, Ibn Sina dhe shkencëtarët arabë nuk kanë besuar në mundësinë e transformimit të metaleve jofisnike në ari dhe në argjend. Për Al-Kindin ajo ishte ëndje e pafrytshme dhe humbje e kohës. 
Ebu Bekr ar-Razi ishte mjek dhe kimist mjaft i njohur arab. Disa e numërojnë ndër kimistët, i cili ka vënë themelet e saj. ka konstrukutar dhe ka përshkruar mbi 20 instrumente metalike dhe të qelqit. Kimia ka lënë gjurmë edhe në mjekësinë e tij. Kështu shërimin e shumë sëmundjeve ia ka përshkruar reaksioneve kimike, të cilët ndodhin në trup. materiet kimike i ka ndarë në minerale, bimore, shtazore dhe të përfituara (derivatet). Ar-Razi ka përgatitur edhe acide. Acidin sulfurik, të cilin e ka quajtur vaj sulfurik, ka përfituar me nxemjen e sulfatit të gjelbërt. Ai ka përgatitur edhe alkoolin me destilimin e materialeve të ndryshme dehëse dhe sheqerit të fermentuar. Alkoolin e ka përdorur si bar. 
Ndër kimistët e njohur është edhe Al-Megjrit. Ai ka shkruar një vepër mjaft të gjerë nga kimia, e cila është përkthyer në gjuhën latine. 
Shumë shkencëtarë janë marrë me kimi edhe pse nuk kanë qenë kimistë të njohur si p.sh. Davud al-Antaki, Ibn al-Bejtar, Ibn Mejmun, Ibn an-nefis, Az-Zehravi etj
.

 

2. BOTANIKA

Botanika, në mesin e shkencëtarëve arabë ka pasur adhurues të shumtë. Ajo ka qenë lëndë mjaft e dashur. Por duhet pranuar se botanikën shumica nuk e kanë studiuar si shkencë të veçantë, por në kuadër të mjekësisë, ndoshta për shkak se shumë barëra dhe droga janë përfituar eksklusivisht prej bimëve. Ndoshta në këtë kanë përcjell Hipokratin (baba i mjekësisë), i cili ka kërkuar të studiohen bimët shëruese dhe rrethina në të cilën jeton njeriu që të gjendet mënyra e mjekimit. Për këtë arsye kanë filluar të studiojnë bimët para pjesëve të tyre: para se ta shfrytëzojnë rrënjën, kërcelin, gjethin, lulen dhe frytin. Përveç përshkrimit të bimëve shëruese dhe mënyrës së përfitimit të drogës, ata gjithashtu kanë përshkruar shumë toka pjellore në të cilat rriten bimët shëruese dhe bimët të tjera.
Ibn Sina në librin e dytë të veprës së saj të madhe “Kanoni i mjekësisë” ia ka kushtuar botës bimore. Librin e ka ndarë në shumë kapituj në të cilët detajisht dhe mjaft gjerësisht ka folur mbi bimët shëruese. Përveç që ka treguar cilësitë themelore të këtyre bimëve, ai ka përcjellur edhe shkrimet e grekëve të vjetër, që kanë shkruar për bimët shëruese dhe për bimët tjera: Galeni, Dioskorides etj. Ibn Sina në këtë vepër ka pasqyruar zhvillimin e botës bimore prej talofitit deri te myshqet, fierët, diela e luleve si dhe kërcellët drunor. Ka folur për bashkësitë e bimëve, për familjet, si dhe për llojet e ndryshme të së njëjtës familje, për bimët fisnike dhe për bimët tjera, për shpërndarjen zonale të bimëve, për tokën produktive në të cilën zhvillohen dhe rriten bimët, për ngjyrën e bimëve, për frytet e lëngëta dhe të thata, për gjethin e gjërë dhe të ngushtë, me rrethplot konveks.
Përveç kësaj Ibn Sina ka dhënë emrat e bimëve në gjuhën greke dhe në gjuhë të tjera. Ka bërë dallimin ndërmjet bimëve, të cilat rriten në kultura prej atyre, që rriten në natyrë në gjendje të egër. ka përshkruar gjatësinë dhe trashësinë e shumë kërcejve të bimëve, pastaj gjethin, frytin dhe organet tjera. Ka folur për frytshmërinë periodike të bimëve. Ka treguar llojllojshmërinë e erës dhe të shijes së bimëve, e me këtë ka qenë paraardhës i Karla Metzaes, e cila më 1934 me ndihmën e ekstraktit bimor ka shkruar për personifikimin e bimëve. 
Ibn Sina te kjo botë bimore është shërbyer me shembujt e natyrës si burim të parë, ndërsa burimi i dytë ka qenë prodhim i thatë i bimës: lëvorja, fryti dhe lulja deri te të cilët ka arritur te shitoret e ndryshme në të cilat shiteshin bimët shëruese. Duke shfrytëzuar këto dy burime, Ibn Sina ka dhënë përshkrimin e mbi 400 bimëve të ndryshme, kryesisht shëruese. 
Përveç Kanonit të mjekësisë, Ibn Sina disa pjesë të veprës së dytë të madhe “Esh-Shifa” ia ka kushtuar botës bimore. Në ata kapituj ka bërë fjalë për organet gjenitale mashkullore dhe femërore të bimëve si dhe mënyrën e shumëzimit. Bimët sipas Ibn Sinas njësoj sikur edhe kafshët në mënyrë instinktive e ndjejnë nevojën për ushqim. Ushqimi i bimëve bëhet me rrugën natyrore me tërheqjen e organeve bimore, e jo me vullnet dhe dëshirë. Sistemi i ushqimit është argumenti i jetës, por jo i vetëdijes dhe punës së vetëdijshme. Ibn Sina ka folur për frytet e bimëve dhe për bimët bregdetare, si dhe për bimët të cilat rriten në toka të njelmëta, ranore, moçalore dhe malore, pastaj për shartimin, pyjet gjethërënëse dhe gjethëmbajtëse (halorët).
Në mes të botanistëve të njohur arab ka qenë edhe Ibn al-Bejtar, i lindur në Spanjë, Ibn al-Bejtar ka vizituar Afrikën veriore: Algjerin, Marokun dhe Tunisin. Ka qenë kryetar i botanistëve të Egjiptit. Ka studiuar shpërndarjen zonale të bimëve të Afrikës veriore dhe të Sirisë. Ka qenë shumë i njohur edhe si mjek me eksperiencë. Veprat më të rëndësishme, që ka shkruar në fushën e mjekësisë, farmacisë dhe botanikës janë: “El-Xhamiu fi mufredati-l-edvijeti ve-l-agdhijeti” (Leksikoni mbi drogat dhe ushqimin) dhe “El-Mugni fi-l-edvijeti” (Kompendij mbi drogat). Në veprën e parë me radhitje alfabetike ka dhënë përshkrimin e disa qindra bimëve mjekuese, ka treguar për Galenin, Diskoridesën dhe shkencëtarë të tjerë grekë, detajisht ka përshkruar përgatitjen e barërave, përdorimin e tyre, dobitë, dëmet etj. 
Përveç Ibn al-Bejtarit ndër botanistët shumë të njohur arbë kanë qenë, Davud al-Antaki dhe Abdel-latif al-Bagdadi. I pari në veprën e vet “tazkirat Davut”, e cila më shumë ka kuptim farmaceutik dhe mjekësor, ka dhënë shpërndarjen zonale të bimëve, ka folur për vjeljen e bimëve, ka dhënë emrat e bimëve në gjuhen arabe dhe në shumë gjuhë të tjera, ndërsa i dyti ka dhënë pasqyrën detaje mbi florën e Egjiptit. Në mes të tjerash ka përshkruar bananen, palmën, mamin, fikun egjiptian, limonin, bostanin, akacien, trangullin, çiçibunin etj. 
Bima mjekuese ballsamuar, si thotë Al-Bagdadi gjendet vetëm në rrethinën e Helipolisti në Egjipt në sipërfaqen prej rreth 400 ari. Bima është aromatike. Prej saj përfitohen materiale të ndryshme mjekuese në rend të parë vaj eteri, i cili përdoret në mjekësi. Abdel-latif al-Bagdadi ka jetuar në kohën e Salahudin-Ejubis. Ka qenë profesor në Universitetin Al-azhar të Kajros dhe në Emvi të Damaskut.
Al-Kazvimi me Kosmografinë e vet po ashtu i takon vend i dalluar në mesin e botanistëve Arabo-Islam. Ka përshkruar një numër të pakufishëm të bimëve të lashta, ka folur mbi sjelljen ditore të disa luleve dhe ka treguar interesim të madh për bimët shëruese. 
Ibn Sejjid në veprën e vet “Al-Muhassis” vëmendje të posaçme i ka kushtuar zhvillimit të botës bimore sipas radhës, duke përshkruar përveç drurit dhe gojushën edhe lloje të ndryshme të barit, ndërsa Al-Idrisi ka përshkruar bimët, të cilat Dioskorides nuk i ka shënuar në pasqyrën e vet të botës bimore si p.sh. tamarindin, xhenxhefilin, xhenxhefilin kinez, mërsin etj. 
Dioskorides, konsideron Al-Idrisi qëllimisht ka bërë atë pasi që shumica e këtyre bimëve gjendet jashtë zonës bimore të Greqisë. Al-Idrisi ka treguar edhe literaturën me të cilën është shërbyer. Në mes tjerash në dorë ka pasur veprat e Galenit, Hunjejna ibn Is-hakit, Ibn Gjulgjula dhe Az-Zehravit. ka shkruar me rendin alfabetik gjatë numrimit dhe komentimit të emrave të disa bimëve në gjuhën arabe, latine, persishte, greke dhe gjuhë të tjera. 
Gjithashtu me radhitje të njëjtë edhe Al-Daudi, Al-Dejnuri, Al-Gafiku, Al-Kurtubi dhe Ibn as-Suri kanë dhënë pasqyrën e shumë llojeve të bimëve. Në mes tjerash kanë përshkruar: fikun indian, karanfilin, zymbylin etj.
Ad-Dejnuri, i njohur si sheik i botanistve arabë, gjatë përshkrimit të bimëve dhe organeve të tyre ka marrë natyrën si burim të parë dhe të vetëm. Ai i vetmi nga shkencëtarët arabë ka lënë pas dore anën mjekuese të bimës. Flitet se në përcjellje me të ka qenë piktori, i cili ka vizatuar (me ngjyra) etapat të ndryshme të zhvillimit të bimës. 
Muhamed ibn Jusuf al-Havarizmi dhe Ad-Daudi kanë përshkruar shumë lloje të bimëve. I pari në veprën e vet Mefatihu-l-ulumi (Çelësat e shkencës) në mes tjerash ka përshkruar edhe këto bimë: zymbylin, genc
ianën, solanimun, nigrum etj. ndërsa i dyti në veprën e tij neshetu-n-nufusi ma’rifeti-n-nebati ve-l-ahgjari ve-l-eshgjari (Libri voluminoz mbi identifikimin e bimëve, gurëve të çmueshëm dhe pemëve (drunjve) vëmendje të posaçme i ka kushtuar: xhenxhefilit, rrëshin e pishës etj. 

Në mesin e botanistëve arabë vend të merituar zë edhe Al-Kurtubi. Ai ka përshkruar me qindra lloje të bimëve. Në mes tjerash ka përfshirë edhe këto: bungun, korianderin, anason (glikanxo), drurin e terpentinës, qepën, gencianën, barin e detit, hashashin, bimët prej familjes së solanacave, ricinusin, mërsina (myrtys), plepin etj.
Pa dyshim se bimët shëruese janë lëndë e parë e pazëvendësueshme në prodhimin e barërave, kanë tërhequr pjesën dërmuese të botanistëve arabë. Por shumica prej tyre, krahas bimëve shëruese, kanë studiuar edhe bimët joshëruese. Ata vëmdneje të posaçme i kanë kushtuar edhe kultivimit të bimëve, e cila bukur shumë është larg shfrytëzimit të shërueshmëris së bimëve.

 

3. ZOOLOGJIA

Shumë shkencëtarë arabë, përveç botës bimore kanë studiuar edhe botën shtëzore. Shumica duke ndjek Aristotelin kanë shkruar vepra me vlerë të përhershme. Në to kanë studiuar jo vetëm kafshët, prodhimet e të cilave kanë aplikim në mjekësi, por edhe ato, prodhimet e të cilave nuk kanë kurrfarë aplikimi në industrinë e barërave. 
Ibn Sina disa kapituj të veprës së vet të madhe “Ash-Shifa”, ia ka kushtuar zoologjisë. Në to ka përshkruar lloje të ndryshme të kafshëve. Prej organizmave ujorë, ka përshkruar shumë lloje të peshqve dhe të bretkocave, si dhe organizma të tjerë, të cilët vazhdimisht jetojnë në ujë ose përkohësisht të ngjitur për bazë si shpuzorët, guacat etj. Po ashtu në këtë vepër ka bërë fjalë edhe për eshtrat, venat, arteriet, membranat, lidhjet dej-dej si dhe lëvizjet e dëshiruara dhe mekanike të kafshëve. 
Ibn Sina, pastaj ka treguar si dhe në ç’mënyrë, zhvillohen funksionet e ndryshme te kafshët. ka shqyrtuar se si tretet ushqimi, frymarrjen e organizmit, si bëhet qarkullimi i gjakut, si dhe në ç’mënyrë bëhet shumëzimi i disa kafshëve etj. Ka dhënë përshkrimin e shumë grupeve të kafshëve: zogjve, peshqve, rrëshqitësve, amfibeve dhe sisorëve. Pa dyshim se Ibn Sina si dhe shumë shkencëtarë arabë kanë studiuar strukturën e organizmave me anë të prerjes. Vetëm në këtë mënyrë ka mundur të përshkruaj muskujt e lëmuar të lukthit, të cilët bëjnë tretjen e ushqimit. 
Gjithashtu shumë botanistë si Ibn el-Bejtar, Davud el-Antaki etj. përveç botës bimore kanë studiuar edhe botën shtazore. 
Al-Bagdadi vëmendje të posaçme i ka kushtuar botës shtazore të Egjiptit. Në mes tjerash gjërësisht ka bërë fjalë për peshqit, zogjtë, breshkat dhe kuajt e Nilit, ndërsa Al-Kazvini në Kozmografinë e tij në bazë të organeve të lëvizjes ka bërë klasifikimin e kafshëve. Botën shtazore sipas mënyrës së lëvizjes e ka ndarë në grupe dhe këtë përsëri në bazë të njëjtë në nëngrupe. Al-Kazvini ka folur edhe për mbledhjen e ushqimit dhe përgatitjen e tëmotjeve, pastaj për bletët dhe eksperiencën e tyre gjeometrike në bërjen e gjashtëkëndëshit këndëdrejtë, të cilin ndonjëherë nuk mund ta vizatojë as matematicienti më i mirë. Në Kozmografi Al-Kazvini ka përshkruar disa qindra lloje të kafshëve. 
Ibn Sejjid në disa kapituj të veprës së vet të madhe “Al-Muhassis” ka njoftuar për shumë veçori dhe cilësi të kalit, të deves, të dashit, sqapit, qenit, zogut, bletës, merimangës, thneglës dhe kafshëve të tjera. Posaçërisht i ka kushtuar vëmendje dhe në mënyrë precize ka përshkruar disa organe te kafshët, që është shumë me rëndësi për ata që merren me morfologji, shkencën e cila studion formën dhe ndërtimin e organeve, ndërsa Al-Xhahiz në Zoologjinë e vet, e cila përfshin shtatë kapituj, botën shtazore ka ndarë në tri grupe: 1 rrëshqitësit 2. peshqit 3. amfibët, zogjtë dhe sisorët. Këtë sistematizim ai e ka bërë në bazë të organeve për lëvizje. Grupin e fundit e ka ndarë në katër nëngrupe: njeriu, kafshët shtëpiake, egërsirat dhe insektet. Duke folur për sisorët Al-Xhahiz ka njoftuar edhe për delfinët dhe balenat, banorë të përhershëm të detit, të cilët edhe pse jetojnë në ujë prapë i takojnë sisorëve. Përveç kësaj Al-Xhahiz, botën shtazore e ka klasifikuar në bazë të organeve të zërit: njeriu dhe kafshët. Njeriu shërbehet me të folurit të artikuluar dhe shqipton fjalët sipas rrokjeve, ndërsa kafshët e kundërta me të, formojnë tingull të ndryshëm të paartikulluar si p.sh. cicërimë, lehje, blegërimë, hingëllimë e pallje, ulurimë etj. 
Në disa pjesë të librit Al-Xhahiz ka folur mbi përdorimin e dhëmbëvë te sisorët, ndërsa te të tjerët mbi formimin e mëlqisë dhe zhvillimin e embrionit te zogjtë, ndërsa në pjesën e tretë të librit hollësisht ka ekspozuar të gjitha për pëllumbin e egër, i cili është, si thotë, shumë interesant si nga mënyra e ndërtimit të çerdhes po ashtu edhe nga aspekti i rritjes së zogjve të vet. Ka folur edhe për sëmundjen e pëllumbit të egër dhe për mënyrën e shërimit, pastaj ka vazhduar ekspozimin e vet për mizat, fluturën, petritin, pupëzën, thneglën, grerëzin etj, dhe në pjesën e katërt prap ka folur për thneglën, majmunin, derrin, gjarpërin, petritin, minin kërcyes egjiptian, karakalecin dhe perkën.
Al-Xhahizi ka studiuar edhe strukturën e organizimit me prerje. Ai ka bërë eksperimete me kafshë. Disa kafshëve u ka dhënë të pijnë alkool që të konstatojë se çfarë ndikimi ka alkooli në organizmin e kafshës, ndërsa të tjerët ka vendosur nën enën e qelqit që të mund të vëzhgojë dhe të konstatojë sjelljen e tyre. 
Përveç Al-Xhahizit edhe Ad-Dumejri ka qenë zoolog i madh. Me rend alfabetik ka numëruar dhe ka përshkruar disa kafshë. Mendimin e vet e ka forcuar me shumë hadithe dhe me shumë tekste poezie paraislame arabe. Ka përshkruar: luanin, deven, lepurin, ngjalën, patën, fajkonin, laradashin, pleshtin, gomarin, lopën, hitin, krokodilin dhe qindra kafshë të tjera. Ai në këtë pasqyrë të botës shtazore ka pas në dorë veprat e zoologëve grekë dhe arabë; Aristotelit, Al-Xhahizit, Ibn Sejjidit, Al-Kazvinit etj.
Ad-Dumejri si edhe shumë shkencëtarë arabë për shkak të shkrimit encikolopedik në një pjesë të librit kanë përfshirë: zogjtë, peshqit, insektet dhe rrëshqitësit, e me këtë edhe shpërndarjen zonale të kafshëve, pastaj poezinë dhe letërsinë, me çka kanë bërë veprën vëllimore, të dobishme dhe njëkohësisht të lehtë për lexim.

 

4. FARMAKOLOGJIA

Thamë se farmakologjia si dhe botanika nuk janë studiuar si shkenca të veçanta, por janë studiuar në kuadër të mjekësisë poashtu theksuam se gati të gjithë shkencëtarët arabë, të cilët kanë shkruar në këta lëmenj, këto dy disiplina shkencore i kanë futë në shërbim të mjekësisë. 
Ibn Sina disa pjesë të veprës së vet të madhe “Kanoni i Mjekësisë” i ka kushtuar farmacisë. Në to detajisht ka përshkruar shumë bimë shëruese dhe minerale prej të cilave prodhohen barëra dhe droga të ndryshme. 
G
jithashtu edhe Al-Bejrni, Ibn al-Hejsem, Sabit ibn Kura, Ar-Razi dhe shkencëtarë të tjerë arabë kanë shkruar vepra të mëdha dhe shumë të rëndësishme nga kjo lami. Ar-Bejruni si dhe Ar-Razi kanë shkruar veprën me titull: Farmacia, ndërsa Ibn al-Hejsem Librin e mjekësisë. 

Ibn al-Bejtari në veprën e vet Doracak për drogat ka treguar si dhe në ç’mënyrë me përpunimin e lëndës së parë bimore, shtazore dhe të mineraleve mund të përfitojmë barin. Ai në tërësi ka përvetësuar të arriturat e grekëve të vjetër nga lëmi i farmacisë, biologjisë dhe i mineralogjisë. Në dorë ka pasë Anatominë e Galenit dhe Florën e Dioskoridës. Në veprën Doracaku mbi drogat Ibn al-Bejtari ka folur për përdorimin e barit, ndikimin e dobishëm dhe ndikimin e dëmshëm, ka treguar në lloje të ndryshme të bimëve me përpunimin e të cilëve përfitohen vajrat e ndryshme eteri dhe yndyrërat si p.sh. trëndafili, pelini, bathër e verdhë ose e bardhë etj. 
Davud al Antaki, në veprën “tezkiret”, vëmendje të veçantë i ka kushtuar sezonit të vjeljes së bimëve, mënyrën e ruajtjes dhe të shpërndarjes zonale të botës bimore, ndërsa Ibn an-Nefis gjatë shërimit të sëmundjeve të ndryshme më shumë është mbështetur në rregullimin e ushqimit të të sëmurit se sa në përdorimin e barërave për ç’arsye në një masë të madhe është bojkotuar nga ana e farmaceutëve arabë. Mirëpo, përveç kësaj Ibn an-Nefis disa pjesë të veprës së vet të madhe ia ka kushtuar farmacisë. 
Al-Idrisi në “Botanikën” e vet ka përshkruar shumë lloje të bimëve shëruese dhe të bimëve të tjera. Ai në këtë pasqyrim të botës bimore ka pasë në dorë veprat e botanistëve grekë dhe arabë: Dioskoridës, Galenit, Hunejin ibn Is-hakut, Ibn Shizuanit, Ibn Xhulxhulit, Az-Zahravit etj.
Muhamed ibn Jusuf al-Havarizmi dhe Abdurrahman ad-Dauni kanë qenë farmacistë të mëdhenj. I pari në veprën e vet “Miftahu-l-ulumi”, përveç analizës detaje të sëmundjes ka shkruar edhe për barërat e thjeshta dhe të përbëra, të cilat prodhohen prej bimëve shëruese dhe mineraleve të ndryshme si p.sh. mastika, zymbyli, xhenxhefili, citrat, fosforin, ekstraktet bimore, qumështin dhe rrëshira të ndryshme, ndërsa në veprën e dytë “Nuz-hetu-n-nufusi ve-l-efkari fima’rifeti-n-nebati”, përveç përshkrimit të zanafillës së dytë të bimëve dhe të mineraleve ka përshkruar edhe mundësinë e aplikimit të tyre në mjekësi, ka folur për përbërjen dhe përgatitjen e helmeve, verës, ekstrakteve të vajit dhe të yndyrës. 
Në mes të farmaceutëve të njohur arabë është edhe Al-Kurtubi. Ai në veprën Interpretimi i emrave ka shpjeguar se si dhe në ç’mënyrë mund të përfitojmë barërat me përpunimin e lëndës së parë bimore, shtazore dhe mineraleve. Prej bimëve shëruese prodhimet e të cilëvë përdoren si lëndë e parë në prodhimin e barërave ka cekur këto: hashashin, fierin, vruvën, prej mineraleve boraksin, sulfatin e bakrit, cinobrin, acidin squfurik të murmë, ndërsa prej kafshëve varonin dhe disa të tjerë.

5. MINEROLOGJIA DHE GJEOLOGJIA

Mineralet dhe minerologjia si shkencë kanë tërhequr një numër të madh të shkencëtarëve arabë. Shkencëtarët arabë kanë pranuar teorinë greke sipas së cilës tërë bota është ndërtuar prej katër elementeve: ajrit, ujit, dheut dhe zjarrit. Me kombinim të shkathtë të këtyre elementeve mund të përfitohet çdo materie, të cilën e dëshirojmë, kanë menduar grekët. Ky mendim ka tërhequr shumë shkencëtarë arabë të kërkojnë “gurin e diturisë” me të cilën metalet jo fisnik do të shndërronin në argjend dhe ari. Por shumica prej tyre kanë konsideruar si endje të pafrytshme dhe humbje të kohës. Në këtë periudhë të alkemisë një numër i madh i shkencëtarëve arabë, është marrë me kimi mjekuese. Ata kanë studiuar mundësinë e përdorimit të mineraleve kundër sëmundjeve të ndryshme. Vend të merituar në mes të arabëve ijatrokimist (kimia mjekuese) kanë qenë Ibn al-Bejruni. Al-Bejruni dhe Davud al-Antaki, ndërsa në mes të minerologve arabë Al-Bejruni ka shkruar disa vepra shumë të rëndësishme nga lëmi i mineralogjisë. Shumica e numërojnë në gjeologët më të mëdhenj dhe konsidërojnë se është e pamundur të shkruhet nga kjo lëmë, e mos të theksohet kontributi i tij në zhvillimin e kësaj disipline shkencore. Al-Bejruni si dhe Al-Hejsemi kanë caktuar peshën specifike të shumë metaleve, ndërsa Al-Kazvini detajisht ka folur mbi gurët e çmueshëm: diamantin, rubinin, zymrytin etj., pastaj mbi arin, argjendin, bronzin, hekurin, plumbin dhe përpunimin e tyre, mbi naftën, fosforin dhe minerale të tjera dhe lëndët e para në tokë.
Shumica e shkencëtarëvë arabë, përveç minerologjisë kanë studiuar edhe gemologjinë, petrografinë, okeanografinë, litosferën dhe degët të tjera të gjeologjisë. 
Utarid ibn Muhamed al-Hasib është siç thotë Sarton, shkencëtari i parë në gjirin e arabëve, i cili ka shkruar veprën nga lëmi i gemologjisë me titull “El-Xhevahiru ve-l-ehxharu (Gurët e çmueshëm), e pas tij vend të merituar zënë edhe Al-Kindi, Al-Bejruni dhe At-Tifasi. 
Ndër shkencëtarët arabë, të cilët kanë studiuar mbështjellësin e fortë të tokës, vend të merituar zë edhe Ibn Sina. Ai ka shkruar disa vepra shumë të rëndësishme nga kjo lami. Në to ka analizuar përbërjen, ndërtimin dhe zanafillën e litosferës. Ka treguar se nën ndikimin reciprok të forcave të brendshme dhe të jashtme në mbulesën e fortë të Tokës. Ndikimi i forcave të brendshme sipas tij shfaqet në lëvizjen e korës së tokës, aktivitetit të vullkaneve dhe termeteve. 
Në mesin e shkencëtarëve të njohur arabë, të cilët kanë studiuar relefin e Tokës, zanafillën e tij dhe zhvillimin është Al-Mes’udi. Ai si edhe Ibn Sina kanë treguar në forcat e brendshme dhe të jashtme, të cilat me ndikimin reciprok formojnë relefin e sipërfaqes së tokës. Al-Mes’udi ka folur mbi qarkullimin e ujit në natyrë, mbi rrjedhjen e ujërave dhe fundrimin e kripës në det. 
Duke studiuar zhvillimin gjeologjik të korës së tokës Ibn Sina, Al-Bejruni, Al-Mazini, Al-Gafiki dhe shkencëtarët të tjerë arabë, kanë treguar edhe në gurëzimin e mbeturinave të bimëve dhe të shtazëve në shkëmbinjt e litosferës. 
Në veprën e vet të madhe “Esh-Shifa” Ibn Sina thotë se Toka në të kaluarën e largët të saj ka qenë e pabanuar. Në kohën më të lashtë të saj nuk ka shenja jete, ndërsa më vonë në shkëmbinjt e saj hasim në shumë mbeturina të gurëzuara të bimëve dhe të kafshëve. 
Arabët dhe myslimanët qysh gjatë shekullit mesjetar, thotë Sarton kanë pasur pasqyrë të qartë mbi evolucionin, zanafillën dhe zhvillimin e jetës. Ibn Maskavejh, Al-Kazvini, Ibn Haldun, Ihvan as-Saffa dhe shkencëtarët tjerë arabë kanë pohuar se materialet minerale janë bazë e jetës në tokë. Nga materiet minerale me evolucion kanë zënë fill bimët, prej bimëve kafshët, ndërsa sipas mendimit të disave paraardhës i njeriut të sotëm ka qenë majmuni. 
Shkencëtarët arabë gjithashtu kanë shkruar numër të madh veprash nga hartografia. Hartografinë më së shumti e kanë studiuar për shkak të caktimit të lokacioneve të ndonjë vendi, drejtimin e Kibles dhe meridianin fillestar. Përveç Al-Havarizmit kartograf të
njohur kanë qenë: Al-Magdisi, Al-Ilstahir dhe Al-Belhi. Kanë hartuar shumë karta gjeografike.

Konkluzion

Duke rezimuar ekspozimet e gjertanishme mund të thuhet se shkencëtarët arabë në periudhën islame me punimet e veta shkencore kanë kontribuar në zhvillimin e mendimit shkencor, ndërtimin e kulturës dhe civilizimit njerëzor. Ata kanë përkthyer në gjuhën arabe të arriturat shkencore të grekëve dhe trashëgiminë kulturore të popujve, të cilët i kanë parapri historisë. Gjuha arabe ka qenë gjuhë shkencore. Me të janë shkruar vepra, të cilat janë lexuar në të gjitha pjesët e shtetit të madh islam, e cila territorialisht shtrihej prej Kinës në lindje deri në Francë në perëndim.
Shumica konsiderojnë se Ibn al-Hejsem, Al-Kindi, Ibn Sina, Al-Farabi, Al-Bejruni, Al-Havarizmi dhe shkencëtarë të tjërë arabë kanë qenë të domosdoshëm për paraqitjen e Galilejit, Keplerit, Njutnit, Kopernikut dhe shkencëtarëve të tjerë të renesansës evropiane. 
Shkencëtarët arabë përmes veprave të tyre kanë ndikuar fuqishëm në renesansën evropiane. Me përdorimin e numrave në bazë të sistemit decimal, në matematikë ata kanë bërë revolucion të vërtetë në lëmi të veprimtarisë njërëzore. 
Ibn an-Nafis disa shekuj para Harfijës ka sqaruar qarkullimin e vogël të gjakut (qarkullimi pulmunal), ndërsa Ibn al-Hejsem natyrën e dritës, shpejtësinë dhe ligjet e thyerjes së saj shumë më herët se shkencëtarët evropianë. 
Ibn Miskavej, Ibn Haldun dhe Ihvan as-Safa kanë shkruar dhe kanë folur mbi evolucionin, zanafillën dhe zhvillimin e jetës disa shekuj para Darvinit, ndërsa Al-Idrisi, Ibn Hazm dhe Ibn al-Hejsem kanë folur mbi gravitacionin shumë më herët se Njutni dhe shkencëtarët tjerë evropianë të shekullit XVII.
Shkencëtarët arabë kanë matur gjatësinë e meridianit Tokësor, ndërsa me ndihmën e saj edhe madhësinë e Tokës, kanë caktuar dimenzionet e planeteve dhe largësinë e tyre ndërmjet veti, kanë konstruktuar një numër të madh instrumentesh nga astronomia dhe kanë vënë themelet e kimisë shkencore. Ata kanë vendosur themelet e metodologjisë së re në punën kërkimore shkencore dhe me këtë kanë qenë paraardhës i Bekonës, Dekardit dhe shkencëtarëve të tjerë të renesansës evropiane. 
Por vala e zgjimit kulturor e cila kishte kapluar botën arabe u ndërpre me pushtimin dhe me shaktërrimin e mongolëve dhe të tatarëve, më vonë me depërtimin e turqve dhe në fund me kolonizimin e Evropës perëndimore, e cila tentoi të shlyej faqet më të ndritshme të së kaluarës islame. Sikur të gjitha këto të mos kishin ndodhë, renesansa evropiane do të ishte vepër e popujve islam. 
Arabët kanë luajtur rolin ndërmjetësues ndërmjet epokës greke dhe epokës së re shkencore. Në periudhën islame ata kanë qenë fortë nën ndikimin e grekëve të vjetër, por gjithashtu kanë ndikuar fuqimisht në shkencëtarët e renesansës evropiane, të cilët kanë qenë të njohur me të arriturat shkencore të arabëve përmes përkthimeve të veprave arabe në gjuhën latine dhe në gjuhë të tjera evropiane. 
Në këtë pasqyrim të shkurtër vërejtëm ndikimin e islamit dhe të arabëve në renesansën evropiane në fushën e shkencave natyrore.

Artikulli paraprakRidizejnohet Audi Q5
Artikulli vijuesStudentët kërkojnë drejtësi për rastin “Kiçina”