Të dashur prindër – Letra përmban fjalët e fundit të dëshmorit Mehmed Tevfik i cili ishte plagos gjatë luftës në Çanakala,

Letra përmban fjalët e fundit të dëshmorit Mehmed Tevfik i cili ishte plagos gjatë luftës në Çanakala, nga një plumb anglez, dhe ai para se të vdiste e shkroi këtë letër:

Të dashur prindër,

Ju që më sollët në jetë dhe më rritët,
Në betejën e tmerrshme të Ariburnusë ku mora pjesë për herë të parë, më hyri një plumb nga ana e majtë, por, lavdi Zotit, shpëtova. Por nga që nuk kam shpresë se do të shpëtoj i gjallë këtej e tutje nga betejat ku do të marrë pjesë, po ju shkruaj këto radhë që t’ju mbeten si kujtim prej meje!
Lavdi Zotit që më lartësoi mua gjerë në këtë gradë! Gjithashtu, që si paracaktim hyjnor të Tij, më bëri ushtar! Edhe ju, si prindër, më rritët e më përgatitët ashtu siç duhej për t’i shërbyer vatanit dhe kombit tim! Ju më prutë në jetë dhe m’u bëtë frymëzim për gjithçka që ka arritur dhe merituar! Lavdi të pa kufi Zotit të madh dhe falënderime të pafund juve, prindër të mi!
Sot është dita për t’ia shpërblyer kombit tim paratë që më ka dhënë gjerë tani. Unë po përpiqem ta çoj në vend detyrën e shenjtë ndaj vatanit! Po qe se arrij pozitën e dëshmorit, do të mendoj se jam robi më i dashur i Allahut! Meqë jam ushtar, kjo mund të më ndodhë çdo çast!
Të dashur nënë e baba! Dritën e syve të mi, gruan time Munever, si dhe tim bir, Nezihun e vogël, po ia lë në mbrojtje dhe kujdes në fillim Zotit, pastaj juve! JU lutem të bëni ç’është e mundur për ta! Dihet se nuk kemi pasuri, prandaj dhe nuk kërkoj diçka jashtë mundësive. Edhe sikur të kërkoja, do të ishte e kotë! Letrën e mbyllur që ia kamë shkruar nuses, shokut tim të jetës, ju lutem t’ia jepni në dorë. Natyrisht që do të qajë dhe dëshpërohet, prandaj ngushëllojeni dhe qetësojeni. Kështu paska qenë vendimi i Allahut! Ju lutem t’i jepni rëndësi defterit të kërkesave dhe borxheve të mia që e kam futur në letrën për time shoqe. Edhe borxhet që mbanë në mend si dhe që i ka shënuar në defterin e saj Muneveri, janë të vërteta. Letra që i kam shkruar Muneverit, është më e gjatë e më e gjërë, prandaj pyeteni atë.
Të dashur nënë e baba! Ndoshta, pa dashje, kam bërë gabime ose kam lënë shumë gjëra mangët ndaj jush, prandaj, ju lutem të më falni e të ma bëni hallall! Ju lutem të më jepni bekimin tuaj! Ndihmojeni time shoqe t’i vërë në rregull punët
Motër e dashur, Lutfije!
Ti e di se sa të kam dashur! Kam dashur gjithmonë për ty të bëjë gjithçka që ka pasur mundësi për të bërë, por ndoshta edhe ndaj teje kam lënë gjëra mangët, prandaj, të lutem të më falësh! Kështu paska qenë e shkruar prej Zotit! Ma bëjë hallall e më beko! Edhe ti ndihmoji kunatës Munever dhe tët nipi, Nezih!
O të afërm dhe miq, të gjithëve lamtumirë! Të gjithëve ju lutem të ma bëni hallall! Edhe unë jua kam bërë hallall për gjithçka! Lamtumirë! Të gjithëve po ju lë në dorë të Zotit! I qofshi amanet Allahut për jetë të jetëve, të dashur nënë e baba!…
Biri juaj, Mehmed Tevfik 7).

Artikulli paraprakLetra e nënoficerit Mualim Hasan Et’hem për Nënën – Beteja e Çanakalasë
Artikulli vijuesLUFTA E ÇANAKKALAS -1915