Të mbijetuarës së Restelicës Amsera Rekës nuk iu dhuruan 10 mijë eurot e premtuara

Nëse shumica e qytetarëve të Kosovës këtë vit do t’u gëzoheshin reshjeve të munguara të borës, banorët e Restelicës u frikësohen atyre. Nga bora, dy vjet më parë, kishin pësuar rëndë familjet e kësaj ane. Rruga që çon te këto shtëpi nuk frekuentohet thuajse nga askush, përveç bagëtive.

Nga fatkeqësia e shkurtit të vitit 2012 kishte shpëtuar vajza Amsera Reka. Ajo tani jeton me gjyshin e saj në lagjen Arbana në Prizren. Gjyshi i saj, Kamber Balje, duke mos dashur të flasë para kamerës, ka treguar se nuk kanë marrë asnjë ndihmë nga shteti, raporton KTV.
Pavarësisht se i ishin premtuar 10 mijë euro nga Presidentja Jahjaga si dhe ndërtimi i shtëpisë nga ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur. Për mosdhënien e këtyre ndihmave ka folur edhe nënkryetari i Komunës së Dragashit, Qasip Kushi.
E në Zyrën e Presidentes i kanë thënë KTV-së se i kanë dërguar një letër kryetarit të Komunës së Dragashit, me të cilën kanë kërkuar që të përcaktohet përfundimisht një xhirollogari ose një llogari bankare, institucionale, ku do të derdheshin mjetet e premtuara nga Presidentja për të mbijetuarit e tragjedisë së Restelicës, mirëpo deri tani nuk kanë marrë kurrfarë përgjigje nga Komuna e Dragashit.
Ndërkohë, njerëzit e paktë që mund të takoje në këtë pjesë të fshatit, thonë se nuk janë ndihmuar nga askush deri tash. Ata kanë frikë se kjo gjë mund të përsëritet./ind/kohaislame

Artikulli paraprakRrjedhin info të reja për Lumia 1520V
Artikulli vijuesEgjipt: Ekonomia në kolaps pas Mursit