Të sëmurët mendorë, mes psikiatrit dhe yshtarit

Dr. Muhamed El-mehdij

Gjatë diagnostikimit të sëmurëve tanë, ata ose të afërmit e tyre na drejtohen me pyetje tashmë tepër familjare për ne:”A është patologji, është pushtuar nga xhindet apo i është bërë magji?”

Me këto pyetje, ata duan të sigurohen se mundi dhe paratë e tyre nuk do të shkojnë kot. Të sëmurët kanë mbetur mes psikiatrit dhe yshtarit. Psikiatri, nga ana e tij është tepër i sigurt se rasti i të sëmurit kurohet nëpërmjet ilaçeve dhe trajtimit. Sakaq, yshtari i tij, bën be e rrufe se kemi të bëjmë me pushtim xhindesh dhe se dermani i vetëm është leximi i Kuranit, nxjerrja e xhindeve dhe mbajtja e hajmalive çudibërëse. Psikiatri ndihet në siklet, pasi ai i mohon gjëra të tilla. Atij i duhet të përplaset me ato që beson vetë i sëmuri dhe familjarët e tij. E nëse i pranon, ai pranon një model të menduarit magjik, në bodrumet e të cilit shuhet realiteti mjekësor dhe ai fetar së bashku. Në shumë raste, psikiatri nuk ka as kohën e duhur për t’u shpjeguar dhe shtjelluar në detaje sesi qëndron puna. E si mund të bëhet kjo me çdo të sëmurë dhe familjarët e tij?!

Nga një studim, është zbuluar se 70-80 % e të sëmurëve mendorë në Egjipt, frekuentojnë yshtarët. Sipas raportit të qendrës kombëtare për studime të vitit 2003, në Egjipt ekzistonin mbi një milionë banorë të cilët besojnë se janë pushtuar nga xhinde. Po sipas këtij raporti, numri i yshtarëve që ushtrojnë profesionin e ekzorcizmit, është mbi treqind mijë syresh. Të gjithë ata preferojnë të quhej terapistë, hoxhallarë ose shehlerë.

Por ky fenomen nuk është i kufizuar vetëm tek shtresat e ulëta dhe të varfra, pasi është shtrirë edhe tek shtresat e arsimuara, gjer tek profesorë universitarë. Situata rëndohet më shumë kur këto terapi popullore, maskohen me rite fetare, gjë që bëhet për të shtuar kredibilitetin dhe mënjanuar kritikat.

Lindja është e mbytur me ekzagjerime lidhur me botën e xhindeve, magjisë dhe hasetit. Këto gjëra vishen me imagjinata, iluzione dhe mite nga më të ndryshmet. Një pjese të madhe të popullsisë i janë tiposur besëtytni nga më të ndryshmet dhe të çuditshmet. Ata i atribuojnë xhindeve cilësi që nuk i kanë. Për shkak se numri i personave që vuajnë nga probleme psikike dhe i yshtarëve është rritur në mënyrë të frikshme, do të mundohemi që këtë çështja ta pastrojmë nga iluzionet dhe fantazitë e shthurura.

Xhindet janë një realitet i shpërfytyruar nga yshtarët

Bota në të cilën jetojmë, përbëhet nga krijesa, forca dhe gjëra të perceptueshme nga shqisat tona, por edhe të paperceptueshme. Ne duhet ta dimë se mes ekzistencës së diçkaje dhe perceptimit të saj ka diferencë. Kohë më parë, e kishim të pamundur të perceptojnë ekzistencën e mikrobeve dhe viruseve. E megjithatë, ato ekzistonin dhe influenconin jetën tonë, herë duke na rritur temperaturën dhe herë të tjera duke na sëmurë rëndë. Kjo ishte për qeniet që shihen vetëm me mikroskop. Kurse për ato që shihen vetëm me anë të teleskopit, më parë nuk dinim asgjë për shumë yje dhe planetë, pasi nuk i posedonim mjetet për ti parë. Pasi i shpikëm këto mjete, pamë dhe perceptuam aq sa na lejonin këto mjete, duke na bërë të besojmë se përveç nesh, ekzistojnë dhe botë të tjera të paperceptueshme aktualisht për ne.

Nëse të gjitha fetë flasin për botën e xhindeve, engjëjve, Arshin, Kursijin, xhenetin dhe zjarrin, nuk na shkon për shtat që ti mohojmë gjëra të tilla me pretekstin se nuk i perceptojmë dot. Ishte vullneti i Zotit që disa gjëra ti perceptojmë dhe ti shfrytëzojmë në dobinë tonë. Sakaq, ka krijesa dhe qenie të tjera, të cilat nuk i perceptojmë dot dhe kjo për një qëllim dhe urtësi, që nuk e di kush tjetër përveç Zotit. Thotë Zoti në Kuran:”Ai i ka çelësat e së padukshmes dhe vetëm Ai i njeh ato. Ai e di ç’ka në tokë dhe në det; asnjë gjethe nuk bie, pa e ditur Ai dhe nuk ekziston asnjë kokërr në errësirën e tokës, as e njomë, as e thatë, që të mos jetë shënuar në Librin e qartë (Leuhi Mahfudh).” (En’am, 59)

Prandaj, ne besojmë se ekzistojnë forca pozitive siç janë engjëjt, të cilët kanë ndikim në jetën tonë, pavarësisht nëse i perceptojmë apo jo. Ashtu siç besojmë se ekzistojnë forca negative, të mishëruara tek shejtanët dhe xhindet rebelë. Në Kuran, kemi një sure të plotë e cila flet për xhindet, natyrën e tyre, nga se janë krijuar, funksionet dhe ligjet që rregullojnë jetën e tyre. Një ndër këto ligje, është se ata na shohin, ndërkohë që ne e kemi të pamundur ti shohim. “O bijtë e Ademit, le të mos ju mashtrojë kurrsesi djalli, ashtu si i nxori prindërit tuaj nga Xheneti, duke ua zhveshur rrobat për t’u dukur vendet e turpshme! Ai dhe shpura e tij ju sheh, prej nga ju nuk i shihni ata. Ne i kemi bërë djajtë roje të atyre që nuk besojnë.” (Araf, 29)

Kjo, përveç aftësisë së tyre për të lëvizur dhe për të ushtruar ndikim. Që këtu, lindi frika e njeriut nga kjo forcë e fshehtë, e cila paska fuqi të ndikojë në jetën e tij (vetvetiu prej xhindeve apo të shtyrë nga njerëzit e ligj) pa e parë dhe pa pasur asnjë mjet për ta hequr qafe. Një frikë e tillë, e ka veshur temën e xhindeve me shumë mite dhe fantazi.

Këtë frikë, e kanë shfrytëzuar në maksimum yshtarë e magjistarë, duke e ekzagjeruar dhe fryrë në mendjet e njerëzve. Mbi këtë bazë, ata kanë ngritur një pirg besëtytnish dhe praktikash mitologjike, të cilat u kanë dhënë pushtet tek shtresat dhe shoqëritë e prapambetura. Me qëllim që pushteti dhe privilegjet e tyre të mos cenohen, besëtytnive të tyre u shtojnë disa ngjyrime fetare, pasi kështu e forcojnë ndikimin që kanë tek njerëzit. Për fat të keq, ndikimi i tyre nuk ka qenë i kufizuar vetëm tek shtresat ulëta të shoqërisë. Falë dredhive dhe mashtrimeve, si dhe përdorimit të simboleve fetare, ata kanë arritur të pushtojnë dhe mendjet e disa intelektualëve dhe të arsimuarve. Kështu, frekuentuesit e tyre, një pjesë jo e vogël, mbajnë dhe diploma të larta.

Nga ana tjetër, zbulimet mjekësore në rrafshin e sëmundjeve psikike, i ka qartësuar shumë gjëra enigmatike deri dje. Rastet që deri dje interpretoheshin se pushtim të xhindeve, tashmë shpjegohen nëpërmjet pavetëdijes, e cila është një sistem mekanizmash mbrojtës. Patologjia më e përhapur dhe më e debatueshme është histeria, e cila është (keq)përdorur nga yshtarët për të manifestuar aftësitë dhe pushtetin e tyre. Zakonisht, anormalitete të tilla prekin personat e papjekur emocionalisht dhe që sugjestionohen shpejt. Përballë presioneve të caktuara në jetë, paaftësi e studentit, mungesë dëshire për të përfunduar studimet, mos familjarizimi i gruas në jetën bashkëshortore etj…, mund të shkaktojnë defekte në vetëdije. Kjo shkakton humbje të ndjenjave, skizofreni, histeri, personi sillet sikur është dikush tjetër për të shprehur ato që nuk i shpreh dot në gjendje normale, ndonjëherë i ndryshon dhe zëri, vepron gjëra që tërheqin vëmendjen e njerëzve etj… Të gjendur përballë këtij problemi, familjarët u drejtohen yshtarëve popullorë, të cilët i sugjestionojnë, madje mund dhe ti lëndojnë duke i qëlluar. Kjo, e bën të sëmurin të vijë në vete, të zgjohet nga ajo gjendje histerike. Pasojat i mrekullojnë njerëzit e pashkolluar dhe ua shtojnë besimin tek ky yshtar. Por sindromat i kthehen sërish gjatë presionit më të vogël social, pasi yshtari nuk u mor aspak me shkaqet, por thjesht trajtoi sindromin. Madje, për shkak të atyre që ka dëgjuar rreth xhindeve dhe magjive, i sëmuri fillon dhe e thellon hendekun me realitetin, duke i kompleksuar gjërat, për tu kthyer sërish tek yshtari që nxjerr shpirtrat e këqij. Kohët e fundit janë përhapur frikshëm shumë kaseta të cilat kanë tmerruar këdo që i ka dëgjuar. Unë kam dëgjuar disa syresh prej tyre dhe nga përshkrimi, kam parë se të gjithë rastet janë histerike.

Thotë shejh Sharavi:”Zoti i lartësuar na e largon frikën dhe ankthin nga dëmet që mund të na shkaktohen nga këto krijesa të cilët na shohin dhe nuk i shohim. Ai na qetëson, na ruan dhe kujdeset për ne. Ai nuk fle kurrë, nuk shkujdeset dhe as dremit. Gjithçka është nën vëzhgimin dhe mbikëqyrjen e Tij të rreptë. “Allahu! Nuk ka zot tjetër (që meriton adhurimin) përveç Tij, të Gjallit, të Përjetshmit, Mbajtësit të gjithçkaje! Atë nuk e kaplon as dremitja, as gjumi!” (Bekare, 255)

Mandej, Zoti na qetëson dhe më shumë, duke konfirmuar se Ai është Krijuesi i qiejve dhe tokës dhe se askush nuk mund të dalë kundër dhe jashtë vullnetit të Tij. Të gjithë krijesat i janë nënshtruar totalisht ligjeve të vendosura nga Krijuesi. Është e paimagjinueshme që ata të rebelohen ndaj këtyre ligjeve. Me qëllim që as mos mos e çojmë ndërmend se ndonjë nga këto krijesa mund të rebelohet ndaj Krijuesit, Ai na thotë:” Atij i përket gjithçka që gjendet në qiej dhe gjithçka që gjendet në Tokë.”  (Bekare, 255)”

Për shkak të praktikave, fatkeqësisht të gabuara në këtë fushë, shumica e mjekëve i kanë dënuar ashpër, duke përfshirë dhe realitete të konfirmuara qartë në Kuran dhe traditën profetike. Kjo ka ardhur për faj të shkeljeve dhe tejkalimeve nga ana e yshtarëve.

Xhindet mund të ndikojnë tek njeriu në mënyra që ne nuk e dimë formën, gjë e cila nuk është e kufizuar vetëm për xhindet. Sa gjëra mund të ndikojnë dhe ndikohen nga njëra-tjetra në këtë univers? Thotë Zoti në Kuran:” Ata që marrin fajde, do të ringjallen (në Ditën e Gjykimit) si ai që djalli e ka çmendur me prekjen e vet” (Bekare, 275)

Thotë Ibnu Kethir në interpretimin e këtij ajeti:”Ata do të ngrihen nga varret e tyre, njëlloj siç hidhet përpjetë epileptiku kur mbërthehet nga sëmundja, nga cytjet e shejtanit.” Kurse Ibnu Abasi, duke interpretuar këtë ajet thotë:”Ai që përdor kamatën, Ditën e Kiametit do të ringjallet si një i çmendur që po mbytet.” Në një hadith të transmetuar nga imam Buhari dhe Muslim, Profeti a.s thotë:”Shejtani qarkullon në trupin e njeriut me qarkullimin e gjakut.”

Këto tekste, flasin mbi mundësinë e ndikimit të shejtanëve tek njeriu, duke i ndryshuar normalitetin e përditshëm në sjellje dhe lëvizje.

Ajo që ka ndodhur është se ata që pretendojnë se dinë gjithçka rreth xhindeve, e kanë ekzagjeruar me gjëra të tilla, duke thënë se të gjitha sëmundjet janë pushtim prej xhindeve, ose kanë burim magjinë. Kështu, këta kanë joshur hallexhinjtë e sëmurë, sidomos ata me sëmundje kronike të cilët e kërkojnë shërimin vend e pa vend dhe me çdo mënyrë. Kjo ka çuar në rritje të ndjeshme të yshtarëve mashtrues, fallxhorëve dhe magjistarëve, të cilët fshihen pas ajeteve të Kuranit.

Nga ana tjetër, kemi doktorë dhe profesionistë të fushës, të cilët kanë mohuar çdo ndikim të xhindeve, magjisë dhe hasetit, duke u bazuar vetëm në zbulimet shkencore. Shumë prej tyre besojnë se tashmë nuk kanë mbetur shumë gjëra që mund të studiohen dhe eksperimentohen.

E vërteta është se për shumë sëmundje mendore, teoritë kanë ndryshuar nga një kohë në një tjetër dhe se shumë gjëra janë akoma enigmë dhe të pashpjegueshme. Po, shumë sëmundje diagnostikohen, por për shkaktarët e tyre lipsen studime të thella. Me këto që them, nuk dua të justifikoj ata që flasin ditë e natë për ndikimin e xhindeve, duke lënë mënjanë studimet serioze rreth shkaktarëve që mund të trajtohen me mjetet moderne. Unë uroj që të dy palët kontradiktore të heqin dorë nga  qëndrimet e tyre ekstreme.

Çdo sëmundje ka ilaç

Në koleksionin e Buhariut dhe të Muslimit, Profeti a.s thotë:”Për çdo sëmundje, Zoti ka caktuar dhe një ilaç.”

Transmeton imam Muslimi se Ebu Zubejr ka dëgjuar Xhabir ibnu Abdila, se Profeti a.s ka thënë:”Çdo sëmundje ka një ilaç. Nëse ilaçi i përshtatet sëmundjes, shërohet me lejen e Zotit.”

Në këtë hadith, Profeti a.s e kushtëzon shërimin me përshtatjen e ilaçit me sëmundjen. Çdo krijesë ka të kundërtën e saj, gjë të cilën e vërteton ideja e ilaçeve të ndryshme për sëmundje të ndryshme. Jo të gjitha sëmundjet, trajtohen me të njëjtën mënyrë, siç ndodh rëndom me mjekët popullorë, të cilët u japin të sëmurëve të njëjtin bar për shumë lloje sëmundjesh. Ky është një përgjithësim që e kundërshton dhe Profeti a.s në hadithet e lartpërmendura.

Në një hadith tjetër, Profeti a.s thotë:”Ju jeni më të informuar lidhur me çështjet e jetës.” Ky është një rekomandim profetik, që secilit ti besohet fusha në të cilën është specializuar dhe mbi të cilën ka fituar përvojë.

Transmeton Ebu Khuza’a:”I thashë të dërguarit të Zotit:”Çfarë mendon për këndimin (rukja), për ndonjë ilaç me të cilin mjekohemi dhe për ndonjë kujdes që bëjmë? A thua se e ndryshojnë caktimin (kaderin) e Zotit?” Profeti a.s mu përgjigj:”Ato janë prej kaderit (caktimit) të Zotit.”

Këto hadithe konfirmojnë lidhjet shkak-pasojë.

Thotë Ibnul Kajjim në librin e tij “Mjekësia profetike”:Në hadithe të sakta, Profeti a.s urdhëron të trajtohemi me ilaçe, gjë e cila nuk bie aspak ndesh me mbështetjen (tek Zoti), ashtu siç nuk bie ndesh thyerja e urisë, etjes, vapës dhe të ftohtit me të kundërtat e tyre. Madje, thelbi i teuhidit, nuk përmbushet veçse duke përmbushur shkaqet të cilat janë pjesë e kaderit të Zotit dhe injorimi i shkaqeve, cenon thelbin e mbështetjes.”

Hadithi se “Çdo sëmundje ka një ilaç” i jep forcë të sëmurit por edhe vetë doktorit, të cilin e nxit të kërkojë ilaçin e duhur. Nëse i sëmuri ndërgjegjësohet se sëmundja e tij e ka një ilaç, zemra e tij i pulson plot rixha, e dëbon demoralizimin dhe hap portën e shpresës.

Epilepsia e trupit dhe ajo e shpirtit

Thotë Ibnul Kajjim në librin e tij “Mjekësia profetike”, faqe 66:”Epilepsia është dy lloje: Epilepsi që vjen nga shpirtrat e lig për shkak të përzierjeve të ndryshme, dhe ajo mbi të cilën flasin doktorët rreth shkaqeve dhe trajtimit të saj.”

Por Ibnul Kajjim nuk jep asnjë detaj mbi dallimet mes dy llojeve që ka cekur më lart, për të cilën ne i japim të drejtë, pasi asokohe mungonin metodat moderne të diagnostikimit, siç është dhe EEG-ja.

Simptomat e histerisë nuk njiheshin asokohe. E megjithatë, ai ka meritën se bëri ndarjen e dy llojeve të ndryshme të atyre krizave që godisnin njeriun.

Në hadithin e Jala ibnu Murre, Profetit a.s i vjen një grua me djalin e saj të sëmurë. Profeti Muhamed a.s, duke iu drejtuar djalit thoshte:”Dil o armik i Zotit!” (Imam Ahmed, 4/170)

Në disa tregime të tjera, rrëfehet se Ibnu Tejmije merrej me nxjerrjen e xhindeve, gjë të cilën e përmend Ibnul Kajjim në “Mjekësia profetike”. Besoj se Ibnu Tejmije është mbështetur dhe bazuar në intuitën e tij të veçantë, fuqinë e besimit dhe devocionin e tij.

E megjithatë, nuk transmetohet nga profeti Muhamed a.s të ketë trajtuar të sëmurë duke i goditur apo duke u futur thonjtë në fut. Terapia me goditje, është përdorur vetëm nga Ibnu Tejmije. Në historinë islame, nuk gjejmë raste ku arabët e Gadishullit Arabik të jenë drejtuar me qindra e mijëra drejt Profetit a.s, duke kërkuar prej tij derman, qoftë dhe me rukja (lexim Kurani). Kjo nuk ka ndodhur as me shokët e tij të ndershëm. Në fakt, njerëzit grumbulloheshin rreth Profetit a.s vetëm për të mësuar më shumë mbi islamin si fe dhe sistem jete. Kurse në shekujt e prapambetjes civilizuese, shumë prej atyre që yshtin, me apo pa dije, i konsiderojnë të gjithë patologjitë si pushtim prej xhindeve dhe shpirtrave të këqinj. Sipas tyre, mënyra më e mirë për nxjerrjen e tyre, është rrahja e të sëmurit, futja e gishtave në fyt, djegia me hekur të nxehtë etj… pasi mendohet se ato ndikojnë në mënyrë direkte tek xhindi dhe jo tek i sëmuri. Si rrjedhojë, janë regjistruar raste me pasoja katastrofike, deri në humbjen e jetës nga ana e të sëmurit. Në Egjipt, më kujtohet rasti i një gruaje të cilën e rrahën derisa humbi jetën. Një i ri tjetër edhe ai vdiq për shkak të goditjeve me pretekstin se po detyrojnë xhindin të dalë. Kësaj, shtoji shumë raste ç’nderimi të grave nga yshtarët dhe dallaveraxhinjtë, të cilët në shumë raste keqpërdorin Kuranin për të mbuluar ligësitë e tyre dhe për të mashtruar njerëzit.

Pyetja që shtrohet fuqishëm është: Kush është ai që mund të bëjë dallimin mes një sëmundjeje e shkaktuar nga xhindet (siç pretendojnë yshtarët) dhe një sëmundje patologjike tjetër?

Si përgjigje, them se nuk është dhe aq e lehtë. Nga përvoja ime në fushën e psikiatrisë, kam parë shumë yshtarë të cilët orvaten të trajtojnë raste me çrregullime nervore ose fizike të cilat njihen dhe ndjekin një linjë shkakore dhe logjike të qartë në jetën e të sëmurit. Edhe pse simptomat janë të qarta, yshtarët insistojnë se i sëmuri është pushtuar nga një ose më shumë xhinde. Këta të sëmurë, janë rënduar shumë për shkak të imazheve imagjinarë të xhindeve të cilat u induktohen nga yshtarët. Çrregullimet e tyre janë thelluar edhe më shumë, për shkak të frikës dhe panikut që i mbërthen nga këto forca të padukshme me të cilat qenkan në luftë.

Magjia: Universi ku jetojmë banohet edhe nga forca të padukshme, siç e cekëm dhe më lart. Magjia, nuk është realitet, por thjesht një imagjinatë e diçkaje joreale dhe se ato që magjepsen, janë vetë sytë e njeriut. Magjia mbjell frikë dhe panik tek njerëzit dhe u imponohet ti dorëzohen magjistarit, i cili ndërvepron me elementë të cilët janë më të fuqishëm se njeriu, thënë ndryshe xhindet shejtanë. (Sharavij 1990). Thotë Zoti në Kuran:”Kur magjistarët hodhën shkopinjtë e tyre, i magjepsën sytë e njerëzve, i frikësuan ata dhe shfaqën një magji të madhe.” (Araf, 116)

Magjia, ose sihri, është cekur në Kuranin fisnik, ku mund të cekim si shembull ajetin:” dhe shkuan pas shpifjeve që bënin djajtë kundër mbretërisë së Sulejmanit. E Sulejmani nuk ishte mohues, por djajtë ishin mohues. Ata u mësonin njerëzve magjinë dhe dijeninë që u ishte dërguar dy engjëjve në Babiloni – Harutit e Marutit. Këta engjëj nuk i mësonin ndokujt magji, pa i thënë: “Ne jemi dërguar për t’ju vënë në provë, andaj ti mos u bëj mohues (duke mësuar apo ushtruar magjinë)!” Dhe njerëzit mësuan nga këta të dy se si t’i ndajnë bashkëshortët. Por magjistarët nuk mund t’i bëjnë dëm askujt pa lejen e Allahut. E megjithatë, njerëzit mësojnë ato gjëra që i dëmtojnë e nuk u bëjnë dobi. Në të vërtetë, ata e dinin se ai që e përvetësonte këtë mjeshtëri, nuk do të kishte kurrfarë të mire në jetën tjetër. Eh, sa e keqe është ajo për të cilën shitën shpirtrat e veta! Ah, sikur ta dinin ata!” (Bekare, 102)

Nga këto ajete, kuptojmë që magjia është diçka e fshehtë, të cilën njerëzit e mësojnë nga shejtanët dhe që mund të influencojë në sjellje. “si t’i ndajnë bashkëshortët.” Por ky ndikim varet nga vullneti i Zotit “Por magjistarët nuk mund t’i bëjnë dëm askujt pa lejen e Allahut.” Dhe se magjia nuk ka asnjë dobi, veçse dëm. “E megjithatë, njerëzit mësojnë ato gjëra që i dëmtojnë e nuk u bëjnë dobi.” Kjo është diçka që konstatohet kollaj tek magjistarët, të cilët edhe pse mbështeten nga forca të fshehta djallëzore, për vete bëjnë një jetë mizerje, plot vuajtje e mjerim. Si është e mundur që njerëz të tillë, nuk i bëjnë dot faide vetes së vet, sakaq pretendojnë se i bëjnë fajde njerëzve me halle e probleme?! Si është e mundur që ata hapin sytë çfarë t’ju japin njerëzit hallexhinj, edhe pse pretendojnë se kanë fuqi të mbinatyrshme për tu zgjidhur hallet të tjerëve?!

Ndikimi i parë i magjisë, siç ceket dhe në ajetin e mësipërm, është në ndikimin që ushtron për të ndarë çiftet e martuara. Diçka e tillë mund të ndodhë me shumë mënyra. E para, është ajo materiale ose teknike. A nuk ka plot njerëz të cilët merren me thashetheme të cilat i përcjellin ku të munden, duke ndarë burrin nga gruaja? Sigurisht që ka plot njerëz të tillë. E nëse kjo ndodh në jetën e përditshme, mund të ndodhë dhe në botën e padukshme dhe shpirtërore. Në Kuran, Zoti na thotë se në çështjet e botës së gajbit, të padukshmes, nuk ka vend për të pyetur “përse”. Vetë Ai na ka treguar se ndarja e divorci mes burrit e gruas mund të ndodhë me anë të magjisë, duke mos na treguar asgjë mbi mënyrën si ndodh kjo. Gjithashtu, Ai na ka treguar se magjia është e dëmshme, por nuk na ka thënë asnjë fjalë si ndodh dëmi. (Shejh Sharavi)

Transmeton imam Buhari dhe Muslim nga Aisheja të ketë thënë:”Një hebre nga hebrenjtë e Benu Zerik, me emrin Lebid ibnul Asam, i bëri magji të dërguarit të Zotit a.s. Profetit a.s i dukej sikur e kryen një veprim, edhe pse nuk e kryente relisht. Një natë, i dërguari i Zotit a.s u lut e u lut, mandej më tha:”O Aishe! Ndjej se Zoti më informoi për diçka që ia kërkova vetë. Më erdhën dy burra, ku njëri qëndroi tek koka e tjetri tek këmbët. Ai që qëndronte tek koka, e pyeti atë që qëndronte tek këmbët:”Çfarë ka ky?” Ai u përgjigj:”I është bërë magji.” Ai tek koka e pyeti:”Kush ia ka bërë magjinë?” Tjetri u përgjigj:”Lebid ibnul Asam.”

I pari:”Ku e ka futur?” Tjetri:”Krehrin me flokë (të Profetit a.s) e ka mbështjellë me një gjethe palme mashkull.”

E pyeti:”Ku e ka fshehur?” Tjetri u përgjigj:”Në pusin e Dhu Ervan.”

Më pas, Aishja shkon tek Profeti a.s bashkë me disa njerëz dhe ai i thotë:”O Aishe! Pasha Zotin, uji i pusit dukej si lëng kënaje, kurse palmat si koka shejtanësh.”

Aishja i tha:”A ta djeg (magjinë) o i dërguar i Allahut?”

Profeti a.s iu përgjigj:”Jo. Unë e groposa atë pasi nuk doja të shkaktoj konflikte mes njerëzve.”

Ky hadith ka shkaktuar debate të shumta mes dijetarëve dhe studiuesve. Ai është marrë si bazë për shumë praktika.

Fakti që Muhamedi a.s është prekur nga magjia e përgatitur nga një çifut, nuk e cenon personalitetin e Profetit a.s. Në fakt, nuk është gjë tjetër vesçe një sfidë si për xhindet dhe për njerëzit që të bëjnë ç’të duan, pasi ai gëzon mbrojtjen dhe përkujdesjen e Zotit. Me këtë akt, Zoti deshi ti çarmatosë dhe nga arma e fundit kundër Profetit a.s, me të cilën mund ta kërcënonin dhe ti bënin shantazh. Por Zoti deshi që ta magjepsë profetin Muhamed a.s ashtu siç magjepsi Musanë a.s më parë, e mandej ia tregoi vendin e magjisë që ta prishë. Magjia që preku profetin Muhamed a.s është e njëjta që preku profetin Musa a.s, pasi ishte magjia iluzionare, e cila ndikonte vetëm tek shikimi, pa ndikuar në mendje dhe në gjymtyrë.

Nëse Zoti ua ka mundësuar disa njerëzve të kërkojnë ndihmën e shejtanëve në dëm të njerëzve, duhet ditur, që Ai, e ka ruajtur të drejtën për ta lejuar ose jo dëmin të ndodhë. Po ashtu, Zoti na ka obliguar që të kërkojmë ndihmën e Tij në rast magjie.” (Sharavi 1990)

Thotë Zoti në Kuran:”Ata nuk dëmtojnë askënd veçse me lejen e Zotit” (Bekare, 102)

Sot, ka njerëz të cilët kanë abuzuar dhe veprojnë gjëra që nuk i lejon Zoti dhe i dërguari i Tij. Kështu, ka prej tyre që punën e magjisë e kanë shndërruar në profesion dhe një pjesë e madhe e masave janë mashtruar pas tyre. Madje, do të thosha që edhe intelektualë shkojnë tek këta mashtrues. Ligësia e tyre merr përmasa të frikshme, kur të tregojnë qime flokësh, gjoja si magji e nxjerrë nga trupi i të sëmurit, për ta ngjasuar me atë të hadithit të profetit Muhamed a.s.

Por po të vërejmë, profeti Muhamed a.s kur iu bë magji, iu drejtua Zotit me lutje dhe nuk iu drejtua fallxhorëve e magjistarëve. Profeti a.s na e ka ndaluar në shumë thënie të qarta që të shkojmë tek fallxhorët, për të na hequr magjinë, largimin e zilisë dhe nxjerrjen e xhindeve.

Në librin e imam Dhehebij, magjia përmendet si gjynahu i tretë më i rëndë, pas shirkut dhe vrasjes. Transmeton imam Ali ibnu Ebi Talib se fallxhori dhe magjistari janë qafirë, mosbesues. Fallxhorët janë ata që pretendojnë se njohin të ardhmen, kurse magjistari pretendon se ka ndikim në ndryshimin e caktimit të Zotit.

Transmetohet nga Ebu Musa, Zoti qoftë i kënaqur me të, se i dërguari i Zotit a.s ka thënë:”Tre veta nuk do të hyjnë në xhenet: Ai që ka vartësi ndaj alkoolit, ai që nuk flet me farefisin dhe ai që i beson magjistarit.” (Imam Ahmed)

Bexhale ibnu Abde ka thënë:”Na erdhi një letër nga Umer ibnul Hattabi, një vit para se të vdesë, në të cilën na urdhëronte të vrasim çdo magjistar dhe magjistare. (Buhari)

Magjistarët përhapin konflikte, mëri dhe panik mes njerëzve, ashtu siç përhapin mendime mitologjike, të cilat islami i lufton. Shejh Sharavi thotë rreth magjisë:”Ai që kërkon ndihmën e magjisë, kërkon ndihmë nga një fuqi që është më e madhe se fuqia e njeriut. Kjo gjë, shkakton çrregullim të shoqërisë njerëzore. Është njëlloj si ai që mban pistoletë mes një grupi njerëzish që nuk kanë armë. Pistoleta i jep besim dhe siguri në vetvete, ajo e shtyn për padrejtësi dhe shkelje. Pikërisht për këtë Zoti e ka ndaluar të kërkohet ndihmë nëpërmjet magjisë, duke e konsideruar një lloj kufri (mosbesimi), pasi magjistari mendon se ai vetë mund të kontrollojë të tjerët.” (Sharavi 1990)

Transmetohet nga Ebu Hurejre se Profeti a.s i ka thënë:”Distancohuni nga shtatë gjynahe shkatërruese!” Unë e pyeta:”Cilat janë ato o i dërguar i Allahut?” Ai tha:”Shirku, magjia, vrasja e dikujt gjë të cilën Zoti e ka ndaluar, përdorimi i kamatës, zaptimi i pasurisë së jetimit, të kthesh shpinën në betejë, të akuzosh besimtaret e ndershme dhe të pambrojtura.” (Buhari dhe Muslim)

Shohim që magjia përmendet direkt pas shirkut, gjë e cila tregon sa vepër e rëndë është. Magjinë nuk e mëson një besimtar. Zoti e ka bërë magjinë një sprovë dhe test për ata që duan të ndërrojnë besimin me mosbesim.

Dikush mund të pyesë: Nëse magjia shkakton kaq dëm, atëherë ku qëndron urtësia që Zoti e lejon?

Urtësia e Zotit ka dashur që njeriun ta sprovojë me të mira dhe të këqija, siç thuhet dhe në ajetin:”u sprovojmë me të mirën dhe të keqen” (Enbija, 35) Është ligj i Zotit në univers që forcat e së keqes të përballen me forcat e të mirës, me qëllim që besimtari të zgjedhë dhe pastaj ti kërkohet llogari në bazë të kësaj zgjedhjeje. Veç kësaj, prezenca e kësaj fuqie të fshehtë nga e cila njeriu nuk mbrohet dot, e detyron ti drejtohet Zotit dhe të kërkojë ndihmën e mbështetjen e Tij.

Haseti/smira

Smira është përmendur në suren Felek:” Thuaj: “Kërkoj mbështetje te Zoti i agimit, që të më mbrojë nga sherri i gjithçkaje që Ai ka krijuar dhe nga sherri i natës, kur kaplon terri dhe nga sherri i falltarëve, që fryjnë në nyje (duke bërë magji) dhe nga sherri i smirëziut, kur vepron me smirë.” (Felek)

Smira është kur dëshiron dhe uron privimin e dikujt nga të mirat që i ka dhënë Zoti, pa përfituar vetë ziliqari nga kjo. Smira dhe hasedi është një realitet, i cili përmendet dhe në Kuran. Ai është një forcë e fshehtë e cila e dëmton njeriun. Prandaj, Zoti na sugjeron që ti kërkojmë mbrojtje kundër fuqisë së hasedit. Meqë nuk dimë shumë gjëra rreth smirës dhe zilisë, mund të themi se gjërat sa më të vogla dhe të pakapshme nga syri e shqisat të jenë, aq më ndikim të madh kanë. Kështu, viruset dhe mikrobet ushtrojnë ndikim të madh në trupin tonë, saqë u rezistojnë edhe ilaçeve shpesh herë. Për ta përafruar më shumë, themi që rrezet lazer që janë shpikur në kohët moderne, përdoren në operacione kirurgjike të ndërlikuara, edhe pse i sëmuri nuk i sheh me sy teksa depërtojnë në trupin e tij. Prandaj, ekzistojnë gjëra të fshehta që nuk kapen me sy, të cilat depërtokan në trupin tonë duke ushtruar ndikimin e tyre. Ne nuk e dimë nëse syri i ziliqarit dhe smirëxhiut, nuk nxjerr rreze akoma më të rrezikshme dhe vdekjeprurëse se ato lazer. (Sharavi 1990)

Jo fallxhorëve, astrologëve, parashikuesve të fatit dhe atyre që lexojnë filxhanin!

Ka dashur Zoti që në univers të ekzistojnë forca të fshehta të cilat nuk i perceptojmë dot. Ato ushtrojnë ndikim tek njeriu në një mënyrë që ne nuk e dimë dhe ky ndikim nuk ndodh veçse me lejen dhe vullnetin e Zotit. Përderisa është kështu, logjika e kërkon që të kërkojmë ndihmën dhe mbështetjen e Zotit kundër këtyre forcave të fshehta, pa pasur nevojë për ndërmjetës. Vetë Zoti i lartësuar na mëson që të kërkojmë ndihmën e Tij në suret Felek dhe Nas.

Por ajo që ka ngjarë është se shumë njerëz e kanë ekzagjeruar ndikimin e këtyre forcave të padukshme. Atyre u është rrënjosur një frikë e madhe prej këtyre forcave, gjë e cila i ka shtyrë të kërkojnë ndihmën e fallxhorëve, astrologëve dhe lexuesve të filxhanit. Kështu ka ndodhur një devijim në besim, pasi në vend që të kërkojnë ndihmën e Krijuesit, kërkojnë ndihmën e krijesës.  Meqë kjo çështje prek thelbin e kredos islame, kemi shumë tekste të shenjta të cilat i orientojnë njerëzit drejt besimit të drejtë, në rrugën që i çon tek Zoti, i cili ka gjithçka nën sundim.

Nga Aishja, transmetohet të ketë thënë:”Disa njerëz e pyetën të dërguarin e Zotit mbi fallxhorët. Ai u tha:”Nuk janë gjë.” Ata i thanë:”O i dërguar i Allahut! Ata parashikojnë gjëra të cilat ndodhin njësoj siç i parashikuan.” Profeti a.s u përgjigj:”Ato janë lajme të cilat i dëgjojnë xhindet në qiell dhe ua transmetojnë këtyre njerëzve në vesh. Kur e bëjnë këtë, e përziejnë këtë lajm me njëqind gënjeshtra.” (Buhari dhe Muslim)

Nga Safije bintu ebi Abid, tregohet se disa nga gratë e Profetit a.s transmetojnë se Profeti a.s ka thënë:”Kush shkon tek një fallxhor, e pyet dhe e beson për atë që thotë, nuk i pranohet namazi për dyzet ditë.” (Muslim)

Ibnu Abasi thotë:”Ka thënë i dërguari i Zotit a.s:”Kush përfton dije nga astrologjia, ka përftuar një degë të magjisë.” (Ebu Daud)

Terapia me nuska

Një person i kishte shkruar një letër shejh Jusuf Kardavit, ku i tregonte se e shoqja po i trajtohej nga një yshtar, i cili i lexonte dhe i jepte nuska. Shehu i kthen përgjigjen e mëposhtme:”Në shumë hadithe, profeti Muhamed a.s i ndalon myslimanët që trajtimin e sëmundjeve ta bëjnë me nuska dhe gjëra të tilla. Arabët ua vendosnin fëmijëve të tyre në qafë, me qëllimin që të groposin xhindet dhe të largojnë syrin e keq. Profeti a.s thotë:”Yshtja, nuskat dhe magjia (që pretendon se shton dashurinë mes bashkëshortëve) është shirk.”

Me yshtje, kemi qëllim formulat e pakuptueshme që i lexohen të sëmurit. Është pikërisht kjo ajo që ndalohet. E nëse bëhet me lutje që janë transmetuar nga profeti Muhamed a.s, lejohet. Si shembull, mund të sjellim:”O Zoti i njerëzve, largoje sëmundjen, Ti je Shëruesi, s’ka shërues përveç Teje. Ti shëron dhe nuk lë sëmundje pas.”

Ti duhej ti ishe drejtuar një mjeku specialist për problemin e gruas tuaj. Profeti a.s thotë:”Mjekohuni o robër të Zotit, pasi Zoti ka zbritur ilaç për çdo sëmundje.” (Ahmed)

Në koleksionin e haditheve të imam Buhariut, Profeti a.s thotë:”Mjekimi gjendet në tre komponentë: ngrënien e mjaltit, hixhame dhe djegia me zjarr.” Shohim që Profeti a.s nuk i ka përmendur fare nuskat dhe yshtjet me formula të çuditshme dhe të pakuptueshme. Ai ka cekur gjëra të natyrshme si ushqimet e shëndetshme, hixhameja e cila përfshin ndërhyrjet kirurgjikale që  bëhen sot dhe djegien me zjarr, e cila ngjan me seancat elektrike. Të gjitha këto hyjnë tek fusha e mjekësisë.””

Zgjedhja e doktorit të aftë

I dërguari i Zotit a.s na ka urdhëruar që të zgjedhim doktorët më të aftë profesionalisht. Imam Malik, në librin e tij “El-muvetta” transmeton nga Zejd ibnu Eslem, se një burrë në kohën e Profetit a.s mori një plagë, e cila i rridhte gjak. Ai mori dy persona nga fisi Benu Enmar për ta kuruar. I dërguari i Zotit a.s i pyeti:”Cili nga ju të dy është më profesionist?”

Njëri prej tyre e pyeti:”A edhe në mjekësi ka profesionalizëm o i dërguar i Allahut?” Profeti a.s iu përgjigj:”Ai që ka sjellë sëmundjen, ka sjellë dhe ilaçin.”

Transmeton Amr ibnu Dinar nga Hilal ibnu Jesaf, se i dërguari i Zotit a.s vajti të vizitojë një të sëmurë. Pasi e pa, Profeti a.s tha:”Çojeni tek një doktor!” Dikush ndërhyri dhe e pyeti:”Edhe ti e thua këtë o i dërguar i Allahut?!” Profeti a.s tha:”Po, Zoti për çdo sëmundje që ka zbritur, ka zbritur bashkë me të dhe ilaçin.”

Profeti Muhamed a.s e dënon ushtrimin e mjekësisë nëse nuk ke dijet e duhura, duke e bërë garant për pasojat që mund ti shkaktojë të sëmurit. Në një hadith, ai thotë:”Kush e ushtron mjekësinë pa pasur dijen e nevojshme, është garant i dëmit që shkakton.”

Rreziqet e ilaçeve popullore që fshihen pas simboleve paksa fetare:

1 – Misteri që e shoqëron procesin trajtues nga fillimi gjer në fund. Për shkak të mistereve të njëpasnjëshme, i sëmuri e sheh veten të notojë në zona të panjohura, ku s’ka asnjë tregues dhe garanci suksesi. Misteri që e rrethon yshtarin bën që përvoja e tij të mos trashëgohet tek të tjerët, veçse me disa kritere të fshehtë.

2 – Pasiviteti tek i sëmuri dhe familjarët e tij, të cilët thjesht duhet ti dorëzohen plotësisht terapistit popullor dhe udhëzimeve të tij të mistershme.

3 – Nënkuptimi i zgjidhjes magjike. Shumë nga yshtarët i lënë të kuptojnë të sëmurit dhe familjarëve zgjidhjen magjike të problemeve të tyre, zgjidhje e cila nuk kërkon ndonjë mund dhe lodhje të veçantë nga i sëmuri dhe familja e tij. Atij thjesht i kërkohet të pijë disa lëngje, të veshë ca nuska dhe të recitojë disa formula të pakuptueshme. Kjo shkakton shumë probleme konjitive dhe bihejviorale të rrezikshme, pasi ngulit idenë e të menduarit magjik, krijon pritshmëritë e zgjidhjeve magjike të problemeve të përditshme, të cilat kërkojnë përpjekje dhe mund nga i sëmuri, familja dhe shoqëria.

5 – Mungesa e kodit etik dhe ligjor që e kontrollon ushtrimin e mjekësisë popullore.

6 – Përdorimi dhe shfrytëzimi i disa tablove fetare për të fshehur aktivitete të dëmshme të  cilat nuk kanë asnjë lidhje me fenë. Kjo shkakton përzierjen e koncepteve të gabuara me ato fetare dhe shkakton çrregullim në perceptimin e besimit.

7 – Shenjtërimi i yshtarit nëse arrin ndonjë farë suksesi të dukshëm tek disa raste, gjë e cila e bën të sëmurin dhe familjen, ta adhurojnë atë. Kur shejh Uthejmini është pyetur nëse të sëmurët mund ta shenjtërojnë yshtarin dhe ai ka thënë:”Kjo varet shumë nga individi. Ka njerëz që e shenjtërojnë vetëm se i ka bërë një të mirë sado e vogël të jetë. Ka të tjerë që nuk e shenjtërojnë por e ndjejnë veten borxhli derisa ti zgjidhë një hall. Por nëse trajtimi dhe shërimi bëhet me lexim të teksteve fetare, njeriu është më i prirur drejt shenjtërimit të yshtarit. Kjo, sepse njeriu mund të besojë se yshtari gëzon një status të veçantë tek Zoti, gjë e cila u manifestua në faktin që ai u shërua nga sëmundja. Por ajo që duhet ditë, është se shërimi është në dorën e Zotit, se leximi është thjesht një shkak.”

8 – Përdorimi i disa mjeteve që e dëmtojnë të sëmurin, madje që mund ti marrin jetën, siç është mbytja, rrahja, djegia, goditjet elektrike etj… nga ana e terapistëve. Thotë shejh Abdul Aziz Hamdan:”Përdoren mekanizma dhe mjete të dëmshme dhe të gabuara që përdoren nga disa persona, si djegia e duarve të grave me zjarr apo me elektroshok, mbytja, rrahja etj… me pretekstin e nxjerrjes së xhindit nga gjaku. Këto gjëra më lënë pa mend. Ato më lënë të kuptoj se sipas tyre, fjala e Zotit është e pamjaftueshme në këto terapi. U dashka rrahja dhe ndëshkimi fizik për të nxjerrë xhindet! Prandaj, them që fjalët e Zotit mjaftojnë në kësi rastesh. Nëse fjala e Zotit i zbritet një mali, do të dridhej dhe çahej.”

9 – Zhvatja e pasurive të njerëzve me pretekste të ndryshme si donacione, pagimi i ujit apo vajit që i jepet të sëmurit për të pirë, blerja e kurbaneve etj…

10 – Përgjithësimi, ku çdo i sëmurë shihet si i zaptuar nga xhindet, i prekur nga syri i keq apo i bërë magji, me të cilët ndiqen të njëjtat metoda në terapi. Si rezultat, disa yshtarë dhe terapistë, trajtojnë një numër të pafund të sëmurësh me anë të mikrofonave dhe altoparlantëve.

11 – Konkludimet e rrezikshme të pambështetura në fakte dhe prova. Disa yshtarë dhe terapistë të thonë se ky i sëmurë ka xhinde, sy të keq apo magji, pa pasur fakte konkrete për këtë. Pretendimin e tij e mbështet në sindroma që u ndodhin shumë njerëzve si ëndrrat e frikshme, dhimbje koke, frymëmarrje të vështirë, kur mjekët nuk e gjejnë dot diagnozën etj… Vlen të dihet se të gjitha sëmundjet e tanishme, ka qenë një periudhë kohe kur mjekët nuk i diagnostikonin dot, e aq më pak trajtimin e tyre. Prandaj, dështimi dhe pështjellimi i mjekëve në diagnostikimin e sëmundjes, nuk shërben si argument dhe fakt se i sëmuri është pushtuar nga xhindet, apo syri i keq dhe magjia.

Shejh Ali Amirij, një nga terapistët më të shquar me Kuran, i cili tashmë ka hequr dorë nga kjo, thotë:”Unë jam ndër të parët që i kemi hyrë kësaj rruge. Kushdo që më vinte, rrëzohej dhe bërtiste fort, e diagnostikoja si të pushtuar nga xhindet, sepse s’ia kisha haberin se çfarë kishte në fakt. Por dymbëdhjetë vite duke u marrë me këtë fushë, më mjaftuan për ti studiuar rastet më afër dhe për të dalë me një rezultat të qartë. Pas kësaj përvoje të gjatë, kuptova se ka xhinde që e pushtojnë njeriun në këtë mënyrë siç përshkruhet dhe se kushdo që e pretendon diçka të tillë, është kokrra e mashtruesit, përveç disa rasteve të caktuara.”

Cila është zgjidhja:

Përgjigjen mund ta përmbledhim në disa pika:

1 – Xhindet, magjia dhe zilia janë energji të fshehta dhe të padukshme. Ato përmenden dhe pranohen nga Kurani fisnik dhe tradita profetike, por që thelbin e tyre nuk e di kush tjetër veç Zotit. Ato nuk dëmtojnë dhe nuk sjellin dobi veçse me lejen dhe vullnetin e Zotit, për urtësi dhe shkaqe që i di vetëm Ai. Për tu mbrojtur nga këto gjëra, i drejtohemi vetëm Zotit të lartësuar, pa ndërmjetësimin e fallxhorëve dhe magjistarëve, kushdo qofshin dhe sado të fshihen pas simboleve fetare.

2 – Pretendimi i disa terapistëve popullorë, çfarëdo emri dhe titulli të mbajnë, se disa persona janë pushtuar nga xhindet, kanë magji apo sy të keq, janë pretendime të cilat nuk bazohen në fakte empirike, apo dhe fetare. Ky është njëfarë guximi për të folur mbi gajbën “të fshehtën” që e di vetëm Zoti.

3 – Psikiatrit vërejnë se shumica e rasteve që janë paraqitur para tyre, kanë ndjekur një linjë patologjike dhe një vijimësim të logjikshëm. Këto raste kanë pasur reagime të arsyeshme ndaj medikamenteve. Nëse një përqindje e sëmundjeve psikike nuk u dihet shkaku i vërtetë, kjo na bën të thellohemi në studimin e tyre derisa të mbërrijmë tek origjina e problemit. S’ka gjë më të dëmshme për profesionalistët e kësaj fushe sesa pretendimi se të sëmurët janë pushtuar nga xhindet, apo se kanë magji dhe sy të keq, pasi kështu hiqet dorë nga kërkimet dhe hulumtimet shkencore. Përndryshe, asnjë sëmundje nuk do të ishte diagnostikuar.

4 – Është e vështirë për çdo person që të përcaktojë me siguri se një rast i caktuar është zaptuar nga xhindet, ka magji apo hased. Nuk është raportuar se i dërguari i Zotit a.s i ka trajtuar të gjithë të sëmurët si të prekur nga xhindet, syri i keq, hasedi apo magjia. Përkundrazi, ai përdorte të gjitha mjetet ekzistuese të kohës për trajtimin e tyre. Disa raste ai i trajtonte me mjalt, raste të tjera me regjim ushqimi, të tjera me farën e zezë, këna etj… Ai i urdhëronte shokët e tij të shkonin tek mjeku, edhe pse ishte i dërguari i Zotit dhe i pranoheshin lutjet. Me këtë, ai na mëson që të fokusohemi tek shkaqet. Prandaj, përgjithësimi që bëjnë disa “terapistë” popullorë sot, është tregues i injorancës në çështjet e fesë, por edhe të mjekësisë.

5 – Profeti a.s e ka ndaluar frekuentimi ne fallxhorëve, e aq më tepër besimin e tyre. Ajo që bëjnë shumë terapistë primitivë sot, ia kalon edhe vetë fallxhorëve dhe astrologëve, pasi insistojnë fort në pushtimin e të sëmurit nga djajtë, duke u maskuar pas simboleve fetare. I sëmuri, kur shkon tek këta sharlatanë, thjesht e ka hedhë veten në krahët e misterit.

6 – Të kërkosh ndihmën e Zotit prej xhindeve, magjisë dhe hasetit, na e mëson vetë i dërguari i Zotit a.s, i cili na këshillon që këtë ta bëjmë duke lexuar dy suret e fundit të Kuranit, ajetin Kursij, lutjet e mëngjesit dhe të darkës dhe forcimin e marrëdhënieve me Zotin. Të gjitha këto janë lutje që mund ti lexojë vetë i sëmuri, cilado qoftë sëmundja e tij, ose mund t’ia lexojë dhe ndonjë i afërt apo mi, pa pasur nevojë për një person specifik. Në të kundërt kemi të bëjmë me yshtarë e sharlatanë.

7 – Jo që nuk shihet si pengesë, por është e rëndësishme që bashkë me leximin e lutjeve, të bëhet dhe trajtimi me medikamente që jepen nga mjeku ekspert. Gjithçka hyn tek vullneti dhe caktimi i Zotit. Nuk ka përse trajtimin ta fokusojmë vetëm me njërin aspekt. A nuk është njeriu fizik dhe shpirt, të cilët nuk mund të ndahen nga njëri-tjetri? Shpirti ka ushqimet e veta, ashtu siç trupi ka të vetat.

Rukja fetare (leximi i lutjeve)

Në koleksionin e imam Muslim-it, nga Seid El-hudrij transmetohet se Xhibrili a.s i vajti Profetit a.s dhe e pyeti:”O Muhamed! A u ankove (nga sëmundja)?” Profeti a.s iu përgjigj:”Po.” Xhibrili a.s i tha:”Me emrin e Zotit të lexoj (lutem) që të mbrojë çdo gjë që të shqetëson, nga çdo e keqe e njeriut, syrit të keq apo ziliqarit. Zoti të shëroftë, në emrin e Zotit lutem.”

Këtë formulë lutjeje kaq të thjeshtë, mjafton ta lexojë njëri nga të afërmit e të sëmurit, pa pasur nevojë ta çojnë  tek sharlatanët, fallxhorët dhe mashtruesit, ata që pretendojnë se dinë të fshehtën duke i thënë të sëmurit se është pushtuar nga djajtë, se ka magji. Kjo, edhe pse për këtë e bazojnë në hamendësimet e tyre.

Kur dikush nga të afërmit i lexon lutjen e mësipërme të sëmurit, pasi ti ketë vendosur dorën në ballë, është një mesazh dashurie, dhembshurie dhe miqësie që i dërgohet atij, bashkë me bereqetin e lutjes dhe ndikimin e saj shpirtëror.

Përmbledhje:

Për ta përmbledhur të gjithë këtë, nuk kam gjetur fjalë më të bukura se ato të shejh Sharavit, i cili thotë:

Nëse besimi ynë tek Zoti është i fortë, i drejtohemi dhe kërkojmë mbrojtjen e Tij, do të na mbrojë nga çdo e keqe. Ajo që ndodh është se nuk kërkojmë mbrojtjen e Zotit, e për rrjedhojë, kur na ndodh diçka e padëshirueshme, orvatemi të kërkojmë ndihmën e njerëzve. Nëse njeriu preket nga magjika, ai kalon nga një dorë magjistari tek një tjetër, duke u rrekur të prishë magjinë. Kjo, edhe pse po ti drejtohej Zotit me zemër të pastër dhe të insqertë, kjo magji do të prishej, po ashtu dhe ndikimi i hasetit. Por ajo që ndodh, është se ne kërkojmë ndihmën e hajmalive dhe nuskave, apo qoftë dhe të patkonjve ngjyrë blu që i varim tek dera etj… Të gjitha këto janë hajmali që nuk sjellin as dëm dhe as dobi, nuk heqin hasetin dhe nuk shërojnë nga magjia. Ato shihen si një lloj shirku, sepse ai që ka në dorë dëmin dhe dobinë është vetëm Zoti dhe vetëm Atij i kërkohet ndihmë dhe mbrotje. Nëse kërkojmë mbrojtjen e dikujt tjetër përveç Zotit, ne sikur e kemi bërë shok dhe rival të Zotit në kompetenca që i ka vetëm Zoti dhe Krijuesi ynë. Në Kuran, Zoti na ka urdhëruar që të kërkojmë mbrojtjen e Tij, duke thënë:”Thuaj: “Kërkoj mbështetje te Zoti i agimit, që të më mbrojë nga sherri i gjithçkaje që Ai ka krijuar dhe nga sherri i natës, kur kaplon terri dhe nga sherri i falltarëve, që fryjnë në nyje (duke bërë magji) dhe nga sherri i smirëziut, kur vepron me smirë.”

Si dhe:” Thuaj: “Kërkoj mbështetje te Zoti i njerëzve, Sundimtari i njerëzve, i Adhuruari (i vetëm me të drejtë) i njerëzve, nga sherri i djallit cytës që fshihet (pasi cyt) e që hedh dyshime në gjokset e njerëzve, (qoftë ai djall) prej xhindeve apo njerëzve!”

Në suren Felek, ne kërkojmë mbrojtjen e Zotit për ato gjëra të pamundshme për ne, dëmi i të cilave nuk mund të bëhet në mënyrë vetjake. Sakaq, në suren Nas, kërkojmë mbrojtjen dhe ndihmën e Zotit në gjërat që bëhen nga njerëzit, por që karshi tyre jemi të dobët. Magjia dhe hasedi, janë energji të fshehta në gjithësi, por janë energji dhe forca të kufizuara, për të cilat na ka folur Zoti. Ai na ka dhënë Kuranin fisnik për të na mbrojtur nga këto energji dhe forca, si dhe na ka sugjeruar që të kërkojmë ndihmën dhe mbrojtjen e Tij prej tyre. Si mbrojtës, Zoti na ka dhënë dy suret e fundit të Kuranit, Felek dhe Nas. Nëse i lexojmë çdo natë, ata na mbrojnë. Ajeti Kursij është një mbrojtës tjetër nga çdo e keqe, për atë që e lexon. Kështu, ne mësojmë ti drejtohemi vetëm Zotit, si shpëtimtari dhe mbrojtësi ynë i vetëm në jetë.”

Në fund, uroj që peshorja të jetë balancuar mes asaj që i përket mjekësisë si fushë dhe asaj që i përket botës së gajbit (të padukshmes) të cilën e besojmë si besimtarë, larg miteve, iluzioneve dhe sharlatanizmave. Islami është fe i të vërtetës dhe i të mesmes së artë.

 

Përktheu: Elmaz Fida

Artikulli paraprakSIHRI – MAGJITË
Artikulli vijues5 lutjet që të mbrojnë nga magjia.