Sekretari amerikan i Mbrojtjes James Mattis, në ditën e tij të parë në Pentagon ka telefonuar menjëherë Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, duke konfirmuar se SHBA mbetet e palëkundur për forcimin e NATO-s.
Kjo telefonatë, raporton Politico, ju ka ngritur humorin zyrtarëve të Brukselit, pas deklaratave të presidentit Trump për NATO-n.
Ai e pati konsideruar të vjetruar Aleancën dhe pati deklaruar se anëtarët e tjerë do të duhet të paguajnë më shumë.
Por Sekretari amerikan i Mbrojtjes gjatë telefonatës me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, theksoi rëndësinë e Aleancës së Atlantikut të Veriut.
Ndërkohë, Mattis ka telefonuar edhe Sekretarin britanik të Mbrojtjes, Michael Fallon.
Sipas Pentagonit, në bisedën mes tyre u theksua rëndësia e forcimit të NATO-s dhe në veçanti marrëdhënia e ngushtë e SHBA-së dhe Britanisë, e cila do të vazhdojë të reflektohet në strategjinë e mbrojtjes.
Në bisedat telefonike me zyrtarët evropianë ai theksoi rëndësinë e Aleancës së Atlantikut të Veriut.
Mattis, i cili do të jetë i pranishëm në samitin e NATO-s në muajin shkurt, tha se kur Shtetet e Bashkuara kërkojnë aleatë për të mbrojtur vlerat e tyre e fillojnë gjithmonë nga Evropa.