Tensione mes Japonisë dhe Koresë së Jugut

0
178

Presidenti i Koresë së Jugut do të vizitojë një grup ishujsh të pretenduar edhe nga Japonia, një lëvizje që pritet të rrisë tensionet midis dy vendeve aziatike.

Zëdhënësi i Lee Myung-bak informoi se presidenti do të udhëtojë së shpejti në këto territore me helikopter, sapo moti ta lejojë këtë fluturim.

Ministri i Jashtëm i Japonisë lëshoi ndërkohë një apel të menjëhershëm për tërheqjen e vizitës, duke theksuar se nëse ajo do të realizohet, do të ndikojë në marrëdhëniet midis dy shteteve.

Ishujt njihen si Dokdo në Korenë e Jugut ose Takeshima në Japoni.

Secili prej dy kombeve aziatike ka pretendime historike mbi këto ishuj dhe çështja ka dëmtuar vazhdimisht marrëdhëniet midis dy shteteve.

Presidenti i Koresë së Jugut do të fluturojë fillimisht në rajonin kufitar të Ulleungut, përpara vizitës në zonën e diskutuar territoriale. Nëse vizita do të realizohet, ai do të shndërrohet në liderin e parë koreanojugor në historinë moderne të kombit që mbërrin në këto territore. /tch/kohaislame