Tërmeti, fenomen i rastësishëm apo ndëshkim prej Allahut!?

Mr. Orhan ef. Bislimaj

Allahu i Madhëruar në Kur’an ka thënë: “Andaj, ata përjetuan tërmetin dhe u gdhinë në shtëpitë e tyre kufoma të ngrira.”(Kur’ani, El-A’raf, 78).

 1. Hyrje

Tërmeti (dridhja e tokës) është fenomen natyror, që i godet vendet e ndryshme të botës. Pasojat e tij, kryesisht janë fatale. Shkenca e shkencëtarët kanë diskutuar për shkaqet fizike të tërmetit, por ai akoma mbetet një fenomen enigmatikë, i pandalshëm dhe i befasishëm. E, përtej kësaj, Kur’ani ka folur për aspekte metafizike të tërmetit, sipas të cilave, tërmetet ndodhin brenda vullnetit të Allahut, dhe përçojnë mesazh për shoqërinë.

2. Konteksti i ajetit dhe hipotezat e çështjes

Ajeti i sipërshënuar (El-A’raf, 78) flet për realitetin e tërmetit si një prej fatkeqësive të shpeshta natyrore. Në të vërtetë, ajeti vjen si një përmbyllje e një konteksti kur’anor, ku Allahu i Madhëruar e rrëfen ngjarjen e një grupi njerëzish nga populli i pejgamberit Salih a.s., të cilët e kishin përjetuar tërmetin gjatë natës, për shkak të arrogancës ndaj shpalljes dhe të Dërguarit të Allahut. Grupi, që nuk i besoi thirrjes së Salihut a.s., tregoi kryeneçësi dhe nënçmim banal ndaj shpalljes së Allahut. Si pasojë e kësaj, ata u goditën me një tërmet të fuqishëm, i cili i rrënoi shtëpitë e tyre, më se, në mëngjes u gdhinë të vdekur. Siç shihet, ajeti në mënyrë përmbajtësore e thekson tërmetin, duke ndërlidhur në mënyrë të pandashme shkaqet e tij, ndodhien si dhe pasojat. Prandaj, në këtë kontekst, hipotezat kryesore të çështjes janë si në vijim:

1) Tërmeti nuk ndodhë rastësisht; dhe

2) Tërmeti, mbase është ndëshkim prej Allahut.

3. Domethënia e “tërmetit”

“Tërmeti” si nocion nënkupton lëkundjen e fuqishme të një pjese të kores së tokës[1], që shkaktohet nga çlirimi i papritur i energjisë së grumbulluar. Në sipërfaqen e tokës, tërmeti shkakton krijimin e valëve sizmike, dhe nganjëherë edhe në krijimin e dallgëve detare, cunami. Ai, mund të shkaktojë dëmtime të mëdha njerëzore dhe materiale. Intenziteti i tij matet me ballë.[2] Në Kur’an, për nocionin “tërmet”, ka ardhur fjala “er-rrexhfetu”[3], që do të thotë: “dridhje e ashpër ( الزلزلة الشديدة).[4] Po ashtu, për dridhjen e tokës, ka ardhur edhe fjala “Ez-zilzal”.[5]

      4. Llojet e tërmeteve

Ekzistojnë dy lloje të tërmeteve:

1) Tërmetet me origjinë natyrore (tektonike), të cilat konsiderohen si lëkundje të fuqishme dhe përfshijnë sipërfaqe të mëdha të tokës. Vatra e këtij tërmeti gjendet në rreth 70 km thellësi të Tokës e në disa raste edhe më thellë. Rreth 90% e të gjitha tërmeteve janë tërmete tektonike. Në vit, shfaqen rreth 80.000 tërmete tektonike, e prej tyre rreth 10 janë shumë të fuqishme.[6] Në kuadër të këtij lloji janë edhe tërmeti “vithisure”, të cilat ndodhin kur shembet ndonjë shpellë dhe të ngjashme, dhe përfshijnë rreth 3 % e tërmeteve në botë, si dhe Tërmetet “vullkanike”, që shkaktohen nga erupcioni i aktiviteteve vullkanike, dhe përbëjnë rreth 7 % të tërmeteve; dhe

2) Tërmetet me origjinë njerëzore (artificiale), të cilat janë prodhim i ndërhyrjes së njeriut, sikurse janë shpërthimet e ndryshme të eksplozivëve, bombardimeve me armë të rënda luftarake, etj.[7]

Ne, në këtë punim do të flasim, në mënyrë të veçantë për tërmetet me origjinë natyrore, po edhe për tërmetet artificiale si një akt, që zhvillohen brenda krijimit të Allahut.

5. Tërmeti nuk ndodhë rastësisht

 5.1. Allahu i Madhëruar e krijon tërmetin

Problematika e prejardhjes së tërmetit është pika neuralgjike që determinon qëndrimin e njerëzve në raport me realitetin e tërmetit. Natyrisht, njerëzit me pikëpamje ateiste (materialiste), tërmetin e shohin si një fenomen që ndodhë rastësisht dhe është rezultat i një procesi të brendshëm të tokës, i pavarur, dhe që nuk ka të bëjë me ndonjë implikim metafizik nga jashtë, etj. Mirëpo, sipas Kur’anit të Madhërishëm, e vërteta është ndryshe, asgjë nuk ndodhë rastësisht dhe vetvetiu. Ky është parim themeltar i besimit islam për realitetin e gjithësisë në përgjithësi. Allahu është Krijues i kësaj gjithësie dhe i të gjitha gjendjeve, bashkë me shkaqet e tyre, përfshirë njeriun, veprat dhe lëvizjet tij, tërmetin, ujin, të nxehtin, të ftohtin, të ngurtën, të zjarrtën, të mirën, të keqën, dhe çdo gjë tjetër që e dimë apo nuk e dimë. Allahu në Kur’an thotë:

ٱللَّهُ خَالِقُ كُـلِّ شَيْءٍ وَهُوَ عَلَىٰ كُلِّ شَيْءٍ وَكِيلٌ

      “All-llahu është krijues i çdo sendi dhe Ai ëshë mbikëqyrës ndaj çdo gjëje.” (Ez-Zumer, 63). Këtu, fillon dhe mbaron gjeneza e çështjes së krijimit të tërmetit. Ky ajet dhe shumë të tjerë, vërtetojnë se Allahu është Krijuesi i vërtetë, dhe tjetër krijues në këtë gjithësi nuk ka. Kjo gjithësi, sikur t’i kishte dy krijues do të shkatërrohej (shih: El-Enbija, 22). Duke e konsideruar këtë si një fakt përfundimtar, konstatojmë se vullneti i Allahut mbi gjithësinë është kompetencë absolute e Tij. Nëse, ngritim dyshime ndaj fuqisë së Allahut, atëherë, e kemi cilësuar Krijuesin me paaftësi, dobësi, inkompetencë, etj, e këto nuk i përkasin Krijuesit të Gjithësisë, dhe apriori çojnë në mosbesim (kufr). Ai, çka do bë(het)n në këtë gjithësi, e çka do nuk bë(het)n, krijon krijesa të reja prej asgjës, bashkë me shkaqet e tyre, e krijon tërmetin, të mirën, të keqen, etj. Tashmë, këtë e dinë, të gjithë njerëzit, pa dallim feje. Teoritë materialiste, që mohojnë “Krijuesin”, duke dhënë arsyetime irracionale, kanë marrë fund si të pavërteta dhe utopike. Shkenca, përditë arrinë të vërtetojë se gjithësia, është një “embrion” gjenerues, që tejkalon çdo parashikim intelegjent të njeriut. Në të vërtetë, ajo si një mozaik absolut i krijimit të Allahut, funksionon sipas një rregulli të diktuar. Dielli, toka, hëna, dhe të gjitha planetet e tjera i nështrohen rreptësisht misionit të tyre, me të cilin i ka ngarkuar Krijuesi i tyre. Njerëzit e mençur mbesin të magjepsur para madhështisë komplekse të krijimit, dhe ekuilibrit të pathyeshëm. Edhe ateisti më i përbetuar e di se, kjo gjithësi bashkë me proceset e saj, është e krijuar nga një i “gjithëfuqishëm”. Muslimanët e quajnë Allah, e ateistët e përziejnë me natyrën. Mirëpo, përtej kësaj, nuk do të dalë askush, e të “zbulojë” një të “arrirë”, se kjo gjithësi, bashkë me të gjitha proceset e brendshme, është çpikur vetvetiu?! Për më shumë, Allahu e ka cilësuar Veten e Tij me cilësinë “El-Kah-har” – Mbajtësi absolut i rendit në gjithësi. “El-Kahir” është i Plotëfuqishmi, i cili e pengon tjetrin që të veprojë në kundërshtim me vullnetin e tij ( و القاهر هو القادر علي منع غيره أن يفعل بخلاف ما يريده). [8] Në këtë rast, as që mund të mendohet që toka të bëjë ndonjë dridhje (tërmet) pa lejën dhe vullnetin e Allahut. Për këtë arsye, të gjitha idetë, përfundojnë në një pikë të vetme, e cila konsiston në fakin se asgjë nuk ndodhë rastësisht në këtë gjithësi, as tërmeti dhe as fenomenet e tjera natyrore, veçse sipas urdhërit të Krijuesit.

5.2. Allahu është i Gjithëdijshëm për çdo imtësi të tërmetit

Muslimani e ka për obligim të besojë se çdo gjë që zhvillohet në këtë gjithësi, Allahu i Lartësuar është hollësisht i njohur me të vërtetën e tyre, qoftë një gjë e imtë apo diç madhështore, përfshirë edhe tërmetin. Sepse, Ai që e krijon krijesën, është hollësisht i njohur me çdo detaj. Bile, Allahu i Madhërishëm, duke e vërtetuar këtë të vërtetë, thotë: “Ai e di çka ka në tokë dhe në det, Ai e di për çdo gjeth që bie dhe s’ka kokërr në thellësi të tokës, s’ka të njomë dhe s’ka të thatë që nuk është (shënuar) në librin e qartë (Lehvi Mahfudh)” (El-En’am, 59). Në Kur’an dhe Hadith, citate të ngjashme, ekzistojnë shumë. Me këtë dëshirojmë të themi, se Allahu, absolutisht e di se ku e shkakton tërmetin, dhe çfarë pasoja do të shkaktojë ai tërmet, si dhe kë do ta vdesë, kë do ta lë të gjallë apo kë do ta frikësojë. Çdo detaj i tij, veçse gjendet i regjistruar në “Levhi Mahfudh”.[9] Toka dhe trupat qiellor i nënshtrohen urdhërit të Allahut. Për shembull, në kohën e Nuhit a.s., kur sipërfaqja e tokës ishte mbuluar me ujë, dhe dënimi i Allahut ndaj asaj shoqërie u përmbush, Allahu e dha këtë urdhër: “Oj tokë, përbije ujin tënd, dhe o qiell, ndërpreje (shiun), uji u tërhoq, urdhëri u zbatua dhe ajo (anija) u ndal në (kodrën) Xhudij…” (Hud, 44). Ky ajet, drejtpërdrejt, vërteton nënshtrimin e tokës ndaj urdhërit të Krijuesit, respektivisht e legjitimon komunikimin e Allahut me tokën, dhe kjo përbën një rëndësi për çështjen. Allahu si krijues absolut disponon me krijesat, pa kufizim. Zatën, gjallëria e çdo qenie të gjallë, mund të mendohet vetëm në këtë aspekt. Sepse, për shembull, njeriu ka arritur që nga distanca, në largësi qindra mijëra kilometërshe, të komandojë një makinë nëpërmjet teledirigjimit. Në botën bashkëkohore, kjo është fare e thjeshtë. Në momentin që e shtyp butonin e aktivizimit, njeriu, veçse është i njohur se çfarë lëvizje do të bëjë kjo makinë, do të ecë, do të fluturojë, etj., varësisht prej llojit. Mirëpo, nëse nuk e shtyp butonin, makina qëndron në vend, pa asnjë lëvizje, dhe e tëra kjo, ngase kështu është programuar nga vetë bërësi i saj, në këtë rast njeriu. E, nëse njeriu ka arritur këtë nivel, që të prodhojë një makinë, që i nënshtrohet vullnetit të tij, dhe nuk po dyshojmë në këtë, atëherë, po çfarë mund të themi për Krijuesin, i cili është jashtë çdo krahasimi me njeriun, krijesën e Tij. Pas kësaj, kush mund të thotë se toka, si një krijesë e Allahut vepron pa urdhërin e Krijuesit, dhe jashtë rregullit që është programuar nga Ai!? I Lartëmadhëruar dhe i Plotëfuqishëm është Allahu për çdo gjë. Prandaj, çdo konstatim, që përjashton ndikimin e Krijuesit në shkaktimin e tërmetit, është i pakuptimtë dhe paradoksal.

6. Tërmeti si formë e ndëshkimit ndaj njerëzve

6.1. Allahu i ndëshkon njerëzit dhe shoqëritë në këtë botë

Mendoj, se tani, kemi arritur në pikën më të rëndësishme të këtij punimi. Por, para se të flasim për tërmetin si formë e ndëshkim prej Allahut, dëshiroj të flas për mundësinë e ndëshkimit të Allahut ndaj njerëzve në këtë botë. Sepse, shumë njerzë mendojnë se ndëshkimi i Allahut, do të ndodhë vetëm në botën tjetër (ahiret). Ndoshta, kjo bindje është krijuar, ngase çështja e shpërblimit dhe e dënimit kryesor, ndërlidhet me xhennetin dhe xhehennemin, e të cilët janë specifikë për jetën pas vdekjes, respektivisht pas shkatërrimit të kësaj bote (Kijametit). Sikundër kësaj, shpërblimi i Allahut dhe ndëshkimi i Tij ndaj njerëzve ndodhin dhe në këtë botë, në mënyrë të vazhdueshme. Këtë fakt, njerëzit e vërejnë përditë.

Në Kur’an dhe Hadith, kanë ardhur shumë citate që vërtetojnë se Allahu i Madhëruar i ka dënuar deri në shkatërrim të përgjithshëm të gjitha ato shoqëri njerëzore, që nuk e kanë pranuar udhëzimin e Tij (shpalljen), dhe kanë treguar kryeneçësi, nënçmim dhe tallje. Allahu thotë: “Sa fshatra (banorë) kemi shkatërruar (me fajin e tyre) e dënimi Jonë u erdhi atyre natën, a (ditën) kur ishin duke pushuar(duke fjetur). Kur u erdhi atyre dënimi Jonë, s’kishin ç’të kërkonin tjetër, vetëm të thonë: vërtetë, ne ishim zullumqarë (të pranojnë gabimin)” (El-A’raf, 3-4). Ndërsa, ajeti në vazhdim e sqaron më saktë atë që dëshirojmë ta themi:

وَإِنْ مِنْ قَرْيَةٍ إِلَّا نَحْنُ مُهْلِكُوهَا قَبْلَ يَوْمِ الْقِيَامَةِ أَوْ مُعَذِّبُوهَا عَذَابًا شَدِيدًا كَانَ ذَلِكَ فِي الْكِتَابِ مَسْطُورًا

      “Nuk ka asnjë nga fshatrat (nga vendbanimet e kundërshtarëve) e që Ne nuk do ta shkatërrojmë ose ndëshkojmë atë me një dënim të ashpër para ditës së Kijametit. Kjo është e theksuar në Libër (Levhi Mahfudh).” (El-Isra, 58).

Është interesante, në këtë ajet Allahu ka vërtetuar se ndëshkimi i Tij, do të ndodhë gjithësesi, në këtë botë, pra, para Ditës së Kijametit, kundër jobesimtarëve dhe vepërkëqinjëve. Ky është “vendim i prerë i Allahut” ( أن هذا الحكم حكم مجزوم به واقع), me vetë faktin që Fuqiploti ka thënë: “…Kjo është e theksuar në Libër (Levhi Mahfudh)”.[10] Po ky ajet, dënimin e Allahut në këtë botë e kategorizon në dy lloje:

a) Ndëshkimi me shkatërrim (الهلاك). Kur’ani përmend se, në të kaluarën (para Muhamedit a.s.), ka patur raste kur Allahu e ka dënuar një popull me zhdukje të tërësishme (الاستئصال), siç ka ndodhur me tufanin e popullit të Nuhit a.s., pastaj popullin Ad, Irem, Themud, as’habur-rres-si, as’habu’l-ejketi, populli i Tubbeit, etj. Por, ky lloj i ndëshkimit, sipas ulemave, është larguar për ymmetin e fundit, dhe atë për hirë të pejgamberisë së Muhamedit a.s., pasiqë Allahu ka thënë: “E Ne të dërguam ty (Muhammed) vetëm si mëshirë për të gjitha krijesat.” (El-Enbija, 107). Këtë e vërteton Ibn Abbasi r.a., i cili thotë: “Muhamedi a.s. është mëshirë për të gjithë njerëzit, kush i besoi atij, ai është udhëzuar, e kush nuk i besoi, mbase është kursyer (për hirë të pejgamberisë së tij) prej dënimit me zhdukje të tërësishme të një populli, nëpërmjet shembjes së tokës dhe përmbytjeve, sikurse janë goditur ymetet e kaluara”( كان محمد صلى الله عليه وسلم رحمة لجميع الناس فمن آمن به وصدّق به سعد، ومن لم يؤمن به سلِم مما لحق الأمم من الخسف والغرق).[11] Sikundër kësaj, Allahu, do ta ndëshkojë një popull me shkatërrim të pjesshëm, por nuk do ta zhdukë në tërësi; dhe

b) Ndëshkimi i ashpër (العذاب الشديد), i cili e përfshin individin dhe shoqërinë, por nuk çon në zhdukjen e tërësishme të një populli. Ky lloj i ndëshkimit nga Allahu mjaftë frekuentues, dhe manifestohet në forma të ndryshme, siç janë tërmetet, përmbytjet, thatësirat, humbja e pasurisë, humbja e anëtarit të familjes, sëmundja, mosqetësia shpirtërore, etj. (shih: El-Bekare, 155; En-Nahl, 112; Taha, 124), ndaj të gjithë atyre që e lëshojnë rrugën e Zotit, dhe konvergjon me shkallën e kryeneçësisë dhe të keqës së njerëzve.[12]

6.2. Tërmeti si ndëshkim prej Allahut

Më lartë, kemi argumentuar se tërmeti nuk ndodh rastësisht, por sipas vullnetit të Allahut, dhe në këtë nuk kemi asnjë dyshim. Mirëpo, cili është realiteti i tij? A është tërmeti formë e ndëshkimit prej Allahut për shoqërinë njerëzore, apo nuk është!? Në këtë aspekt, pikëpamjet e njerëzve variojnë. E, argumentet fetare nuk e përjashtojnë këtë mundësi, përkundrazi, e mbështesin, edhe për faktin se ndëshkimi i Allahut ndaj të këqinjëve, është një e vërtetë që ndodhë në vazhdimësi, sot e më ditë, në forma të ndryshme.

Pavarësisht nga të gjitha, tërmeti, në parim është një fenomen natyror që ndodh sipas caktimit të Allahut. Se, cili është qëllimi i tij, këtë më së miri e di vetëm Allahu. Njerëzit, kanë të drejtë të japin mendimet e tyre, por çdo veprim i Allahut bartë një urtësi, që njerëzit, mbase nuk mund ta kuptojnë. Në këtë aspekt, nuk mund ta vendosim pikën e fundit edhe për tërmetin. Fundja, ku ta dijmë, ndoshta dridhja e tokës është një reflektim i natyrshëm i gjallërisë së saj, e që është programuar prej Allahut kësisoji!? Apo, mos është shenjë e frikërespektit ndaj Krijuesit!? Sikurse njeriu, që i ka veçoritë, njësoj edhe planetet e tjera përfshirë edhe tokën i kanë specifikat. Këto dilema (hipotetike) janë të hapura për njohje, e mendja njerëzore akoma është larg. Çështja, bëhet akoma më misterioze, kur e dijmë se, tërmeti shkaktohet nga thellësia e tokës në mbi 70 kilometër, nga ku njeriu nuk ka qasje. Pastaj, shkenca e sizmologjisë regjistron mbi 80.000 tërmete brenda vitit, një shifër mjaft e madhe apo jo!? Etj.

Në anën tjetër, një gjë është e sigurtë, dhe të cilën nuk mund ta mohojmë, toka është përdorur si mjet dhe tërmeti si formë ndëshkuese prej Allahut. Allahu ka lajmëruar në Kur’an, siç do ta shohim më poshtë, se në të kaluarën para zbritjes së Kur’anit, ka patur raste kur i ka zhdukur shoqëritë jobesimtare nëpërmjet tërmetit shkatërrues dhe sharrimit të tokës (el-hasf). Po ashtu, Allahu ka lajmëruar se një prej ndëshkimeve të Tij për shoqërinë njerëzore deri në ditën e Kijametit, përveç tjerash, janë edhe fenomenet natyrore, e tërmeti pa dyshim është prej tyre (Shih: El-Isra, 58; El-Ankebut, 40). Pastaj, pjesë e ndëshkimeve nga toka, në momente të caktuara janë thatësirat e ndryshme, humbja e rendimenteve, e kështu me radhë.

Duke u bazuar në këto argumente, obligohemi të besojmë se tërmeti, potencialisht vazhdon të jetë njëri prej mjeteve ndëshkuese të Allahut për shoqërinë njerëzore. Ky është pragu besimor ndaj çështjes së tërmetit. Me këtë nuk dëshiroj të them se çdo tërmet është ndëshkim, sepse, ne, këtë, sikurse thashë më lartë, nuk mund ta dijmë me siguri, porse ai është formë legale dhe konsistente e ndëshkimit të Allahut. Ne, kemi raste kur një fenomen, që është i dobishëm, ndonjëherë është edhe i dëmshëm, kështu është me shiun, dëborën, nxehtin, ftohtin, etj. Fundja, sa herë që ndodhë tërmeti, njeriut duhet t’i shkojë ndërmend se, mbase është ndëshkim prej Allahut.[13] Me një rast, Pejgamberi a.s. ishte shqetësuar kur e kishte pa një re, ndërsa Aisheja r.a. i thotë: “O i Dërguar i Allahut, unë i shoh njerëzit se gëzohen kur shohin ndonjë re, duke shpresuar se ajo do të lëshojë shi, ndërsa te ti vërej të kundërtën, kur e paje atë re, në fytyrën tënde u vërejt pakënaqësia.(Pejgamberi a.s.) Tha:

فَقَالَ يَا عَائِشَةُ مَا يُؤَمِّنُنِي أَنْ يَكُونَ فِيهِ عَذَابٌ قَدْ عُذِّبَ قَوْمٌ بِالرِّيحِ وَقَدْ رَأَى قَوْمٌ الْعَذَابَ فَقَالُوا هَذَا عَارِضٌ مُمْطِرُنَا

      “Oj Aishe, kush më siguron mua që në të nuk ka dënim? Një popull është dënuar me erë dhe kur e panë dënimin thanë: kjo re do të na sjellë shi”[14]

6.2.1. Tërmeti dhe shkatërrimi i popullit të Salihut a.s.

Në vazhdim, do të bëjmë përpjekje që të sjellim argumente nga Kur’ani, që vërtetojnë se tërmeti ka ndodhur si formë ndëshkimi prej Allahut. Në ajetin, që e kemi përmendur në fillim të këtij punimi (El-A’raf, 78), Allahu i Lartësuar, e sjellë ngjarjen, që i pati ndodhur popullit të Salihut a.s., i cili tregoi kryelartësi refuzuese ndaj shpalljes së Allahut dhe ndaj të Dërguarit të Allahut: “Krerët kryelartë nga populli i tij u thanë atyre që ishin më të dobët e që kishin besuar: “A e dini se me të vërtetë Salihu është i dërguar nga Zoti i tij?” Ata thanë: “Vërtet, ne jemi besimtarë të asaj me çka është dërguar. Ata kryelartit thanë: “Ne jemi mohues (jobesimtarë) të asaj që ju i besuat”” (El-A’raf, 75-76). Por, e keqja e tyre nuk ndalet këtu. Për më keq, ata e therrën deven e Allahut, e cila kishte dalur nga shkëmbi, si një mrekulli nga Allahu për të vërtetuar pejgamberinë e Salihut a.s. Por, ç’e do që kryelartit përsëri nuk i besuan Salihut a.s. për pejgamber. Me këtë krim makabër, i shpallën luftë edhe Allahut, sepse i Lartëmadhërishmi ua mundësoi që t’i shohin drejtpërdrejt shenjat e madhërisë së Tij, gjersa në mënyrë jo të zakonshme, prej një shkëmbi doli deveja. Subhanallah – i Lartëmadhëruar është Allahu. Përveç që bën krimin me deven dhe e shkelën dispozitën e Zotit, në vazhdim po i drejtohen Salihut a.s. me ironi dhe kërcënim, duke i thënë:

يَا صَالِحُ ائْتِنَا بِمَا تَعِدُنَا إِن كُنتَ مِنَ الْمُرْسَلِينَ

      “O Salih, sillna atë (dënimin e Zotit) me çka na u kërcënove, nëse je prej të dërguarëve.” (El-A’raf, 77). Normalisht, Salihu a.s. i kishte sinjalizuar se nëse vazhdojnë me ritmin e kundërshtimit, atëherë, dënimi është i pashmangshëm. Pas kërcënimit të tyre, Allahu i ndëshkoi ashpër nëpërmejt tërmetit, duke i shkatërruar ata dhe shtëpitë e tyre:

فَأَخَذَتْهُمُ الرَّجْفَةُ فَأَصْبَحُوا فِي دَارِهِمْ جَاثِمِينَ

      “Andaj, ata përjetuan tërmetin dhe u gdhinë në shtëpitë e tyre kufoma të ngrira.” (El-A’raf, 78). Komentatorët e Kur’anit, thonë se ky tërmet është shoqëruar me një zë tmerrues, i cili i ka trishtuar zemrat e atyre që kanë vdekur nga tërmeti, po edhe të atyre që kanë mbetur të gjallë.

Lidhëza “ f ” e gjuhës arabe, që ka ardhur në fillim të ajetit, dhe që e kemi përkthyer në gjuhën shqipe në kuptim të lidhëzës “andaj”, përveç funksioneve të saj lidhëze në fjali, vjen edhe në kuptim të “përgjigjes ndaj urdhërit” (جواب الأمر).[15] Ky aspekt gjuhësor, është edhe një argument shtesë, se tërmeti, që goditi njerëzit kryelartë nga populli i Salihut a.s., ka ardhur si një përgjigje në urdhërin e Allahut për ta dënuar atë popull, po edhe si një konvergjencë ndaj kërkesës së njerëzve jobesimtarë, të cilët, në mënyrë urdhërore kërkuan prej Salihut, duke i thënë: “O Salih, sillna atë (dënimin e Zotit) me çka na u kërcënove, nëse je prej të dërguarëve!” (El-A’raf, 77).

Prandaj, kjo vërteton se tërmeti ka ndodhur prej Allahut me qëllim të ndëshkimit ndaj kryelartëve. Këtë, e bën edhe më të qartë, ajeti në vijim, që pasqyron fjalën e pejgamberit Salih a.s., menjëherë pas ndodhies së tërmetit, kur iu drejtua popullit të vet: “O populli im, unë ju komunikova dërgesën e Zotit tim, ju këshillova sa munda, por ju nuk i përfillni këshilluesit” (El-A’raf, 78).

Me këto fjalë, Salihu a.s. u distancua nga populli kundërshtarë, duke i lajmëruar, se tërmeti që i kishte goditur, ishte një dënim prej Allahut.

6.2.2. Tërmeti dhe shkatërrimi i popullit të Shuajbit a.s.

Ngjashmërisht me popullin e Salihut a.s., Allahu i Lartësuar e ka shkatërruar me tërmet edhe popullin “as’habur-rres-si”. Ky popull, për të cilin Ibën Abasi r.a. thotë se ka jetuar në pjesën e Azerbejxhanit, apo sipas një mendimi tjetër në Entakije, pasiqë aty gjendet pusi Er-Ress, ka qenë jashtëzakonisht arrogantë, madje kanë vrarë disa pejgamberë. Po ashtu kanë qenë idhujtarë dhe me degradim të rëndë moral.[16] Allahu ua dërgoi Shuajbin a.s., të cilin e përgënjeshtruan. Për shkak të këqijave të mëdha, Allahu e dënoi këtë popull me tërmet, më se u shemb toka dhe u përmbys i tërë vendi:

فَكَذَّبُوهُ فَأَخَذَتْهُمُ الرَّجْفَةُ فَأَصْبَحُوا فِي دَارِهِمْ جَاثِمِينَ

      “Por, ata e përgenjështruan atë (pejgamberin), andaj i përfshiu tërmeti dhe aguan të shtangur (të ftohur e të vdekur) në shtëpitë e tyre.” (El-Ankebut, 37).

      7. Tërmeti si ndëshkim i përfshinë edhe njerëzit e pafajshëm

      Dikush mund të shtrojë pyetjen, nëse tërmetin e konsiderojmë si ndëshkim prej Allahut, atëherë, si është e mundur që shkatërrimi i tij t’i përfshijë edhe njerëzit e pafajshëm?

Është e vërtetë, se tërmeti e godet një territor të caktuar, dhe normalisht, aty, mund të ketë njerzë të mirë, besimtarë, fëmijë, të paaftë psiqikisht, etj, që mbase nuk e meritojnë dënimin e Allahut, së paku në këtë formë. Por, ndëshkimi i Allahut, ndonjëherë i përfshinë edhe të tjerët. I Lartëmadhërishmi, në Kur’an thotë:

وَٱتَّقُواْ فِتْنَةً لاَّ تُصِيبَنَّ ٱلَّذِينَ ظَلَمُواْ مِنكُمْ خَآصَّةً وَٱعْلَمُوۤاْ أَنَّ ٱللَّهَ شَدِيدُ ٱلْعِقَابِ

      “Ruajuni nga e keqja (nga dënimi) që nuk i godet vetëm ata që bënë mizori prej jush, (por edhe të mirët), dhe ta dini se All-llahu është ndëshkues i rreptë”. (El-Enfal, 25). Imam Bejdaviu r.h., thotë se fjala e Allahut: “… që nuk i godet vetëm ata që bën mizori prej jush” do të thotë: “ju godet të gjithë juve pa dallim (بل تعمكم).”[17]

Në Kur’an, në suren “El-A’raf, 155-156”, ka ardhur rasti i tërmetit në kohën e Musait a.s., i cili (Musa a.s.), sapo e pranoi shpalljen nga Allahu, pas katërdhjetë ditësh u kthye te populli i vet, të cilin e gjeti, duke adhuruar një viç prej arit, që vetë e kishin ndërtuar. Kjo, e irritoi pa masë. Për shkak të kësaj idhujtarie dhe të tjerave, Allahu i goditi me tërmet, e Musa a.s. iu drejtua Allahut: “Zoti im!, sikur të kishe dashur Ti, i kishe zhdukur më parë ata dhe mua. A po na zhduk për atë që bënë të marrët nga ne?” (El-A’raf, 155-156). Domethënë, tërmeti, ndonëse kishte ardhur për shkak të atyre që e adhuruan viçin[18], megjithatë ai e përfshiu edhe Musain a.s. dhe besimtarët, pasiqë tha: “A po na zhduk për atë që bënë të marrët nga ne?”

Edhe Pejgamberi a.s., në shumë hadithe e konsideron të mundshme ndodhien e ndëshkimit shkatërrues ndaj njerëzve, edhe duke pasur burra të mirë në mesin e tyre. Zejnebe binti Xhahsh r.a., kur e kishte pyetur se a është e mundur kjo, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. i tha:

، فَقُلْتُ : يَا رَسُولَ اللَّهِ ، أَنَهْلِكُ وَفِينَا الصَالِحونَ ؟ قَالَ : ” نَعَمْ  إِذَا كَثُرَ الْخَبَثُ 

      “Po, nëse është shtuar shumë e keqeja”.[19]

Nga një aspekt tjetër, ndëshkimi kolektiv, e ka arsyen e vet. Muslimanët duhet të distancohen nga e keqja, nuk duhet të bëhen pjesë e saj. Pastaj, duhet ta luftojnë atë, duke urdhëruar në të mirë dhe duke ndaluar nga e keqja, nëse këto nuk i ndërmarrin, sikur bëhen bashkëudhëtar në të keqën ekzistuese. Ebu Bekri r.a. me një rast, duke ia tërhequr vërejtjen njerëzve, iu thotë: Ju po e lexoni ajetin: “O ju që besuat, ruane veten tuaj! Ai që ka humbur, nuk ju dëmton juve kur jeni në rrugë të drejtë.” (El-Maide, 105), por, unë, e kam dëgjuar Pejgamberin a.s., duke thënë:

إِنَّ النَّاسَ إِذَا رَأَوْا ظَالِمًا فَلَمْ يَأْخُذُوا عَلَى يَدَيْهِ أَوْشَكَ أَنْ يَعُمَّهُمُ اللَّهُ بِعِقَابٍ مِنْهُ

      “Me të vërtetë, kur njerëzit e shohin zullumqarin dhe nuk e ndalojnë nga zullumi, frikësohem se Allahu do t’i dënojë të gjithë.”[20]Kuptohet, kur njerëzit kanë mundësi që ta ndalojnë, por nuk e bëjnë. Edhe më tej, Pejgamberi a.s. e qartëson këtë çështje:

إنَّ اللَّهَ لا يُعَذِّبُ الْعَامَّةَ بِعَمَلِ الْخَاصَّةِ ، حَتَّى تَعْمَلَ الْخَاصَّةُ بِعَمَلٍ تَقْدِرُ الْعَامَّةُ أَنْ تُغَيِّرَهُ وَلا تُغَيِّرُهُ ، فَذَاكَ حِينَ يَأْذَنُ اللَّهُ فِي هَلاكِ الْعَامَّةِ وَالْخَاصَّةِ

      “Në parim, Allahu nuk e dënon një popull, për shkak të veprës së keqe të personit të veçantë. Mirëpo, nëse shumica kanë mundësi që ta ndryshojnë gjendjen, duke e penguar të keqen, por nuk ndërmarrin asgjë, atëherë, Allahu e lejon shkatërrimin e të gjithëve, pa dallim.”[21]

Si kundër kësaj, dënimi kolektiv në këtë botë nuk domethënë se të gjithë janë të barabartë, apo se do të dënohen njësojë dhe bashkërisht edhe në ahiret. Atje secili llogaritet për veprat e veta. Ummu Selemeja r.a., gruaja e Pejgamberit a.s., thotë se e kam dëgjuar Pejgamberin a.s. duke thënë:

 إِذَا ظَهَرَتْ الْمَعَاصِي فِي أُمَّتِي ، عَمَّهُمْ اللَّهُ عَزَّ وَجَلَّ بِعَذَابٍ مِنْ عِنْدِهِ ” , فَقُلْتُ : يَا رَسُولَ اللَّهِ ، أَمَا فِيهِمْ يَوْمَئِذٍ أُنَاسٌ صَالِحُونَ ؟ ! قَالَ : ” بَلَى ” , قَالَتْ : فَكَيْفَ يَصْنَعُ أُولَئِكَ ؟ قَالَ : ” يُصِيبُهُمْ مَا أَصَابَ النَّاسَ ، ثُمَّ يَصِيرُونَ إِلَى مَغْفِرَةٍ مِنَ اللَّهِ وَرِضْوَانٍ

      “Nëse përhapen mëkatet në ummetin tim, All-llahu të gjithë i kaplon me dënim prej Tij. I thashë: O i Dërguar i All-llahut, po a do të ketë njerëz të mirë në mesin e tyre? Tha: Po, gjithësesi! E, si do të veprohet me këta? Tha: I kaplon ajo që i kaplon njerëzit e tjerë, e pastaj, me drejtësinë e Allahut, e përjetojnë faljen e Allahut dhe kënaqësinë e Tij.”[22]

Imam Kurtubiu, thotë: “Nëse thuhet: si ka mundësi që All-llahu t’i kaplojë me dënim të Vetin që të gjithë, pasiqë në mesin e tyre ka edhe besimtarë që nuk janë zullumqarë. U thuhet: shkatërrimin e zullumqarit e bën për hakmarrje dhe dënim (انتقاما وجزاءا), kurse shkatërrimin e besimtarit me kompenzim në ahiret (معوضاً بثواب الآخرة),[23] dhe e citon hadithin, të cilin e transmeton  Imam Buhariu nga Abdull-llah ibn Omeri r.a., se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë:

إِذَا أَنْزَلَ اللَّهُ بِقَوْمٍ عَذَابًا أَصَابَ الْعَذَابُ مَنْ كَانَ فِيهِمْ ، ثُمَّ بُعِثُوا عَلَى أَعْمَالِهِمْ

      “Kur All-llahu e dënon një popull, dënimi i kaplon të gjithë ata që gjenden aty, e pastaj ringjallën sipas veprave të tyre”.[24]

Fundja, kjo është drejtësi e Allahut dhe favor për “njerëzit e mirë”, që janë goditur me dënim, sepse shpërblimi i Allahut në Ditën e Kijametit ndaj tyre është i atillë, sa këta nuk do të mund ta arrinin, edhe sikur të ishin vepërmirë gjatë gjithë jetës së tyre. Pastaj, aktin e vdekjes, vetë njeriu e konsideron si diç të veçantë, përndryshe ai është një proces i natyrshën. Allahu nuk po i dënon njerëzit e mirë, por po i përfshinë në dënim, dhe kjo ka dallim. Sepse, njeriu i mirë, në bazë të haditheve të Pejgamberit a.s. kursehet prej tmerreve të vdekjes, e ky parim vlen për çdo rrethanë. Për njeriun, është më e rëndësishme ta fitojë kënaqësinë e Allahut, e kjo mbase po i mundësohet në këta rast.

Në këtë aspekt duhet kuptuar të gjitha ato hadithe të Pejgamberit a.s., që flasin rreth ‘shehidëve’, sipas të cilëve, ai që vdes nën gërmadha është shehid, ai që vdes në ujë, etj. Në parim, këto hadithe, nuk mund të përgjithësohen, sepse, për shembull jobesimtarët, nuk mund të cilësohen si shehid, pavarësisht se janë viktimë e tërmetit. Në fakt, këto hadithe flasin për besimtarët e sinqertë, që kanë vdekur pa fajin e tyre.[25]

8. Tërmeti – masë edukative për të gjithë njerëzit

      Tërmeti, pavarësisht se si perceptohet nga njerëzit, nëse është apo nuk është ndëshkim prej Allahut, ai ka edhe aspekte pozitive me diskurs edukativ, sepse Allahu thotë: “… E mrekullitë (ose fenomenet natyrore që shkatërrojnë), Ne nuk i dërgojmë për tjetër vetëm për frikësim.” (El-Isra’, 59). Me vetë faktin, që toka po lëkundet, objektet po shkatërrohen, njerëzit po mbesin të vdekur, dhe atë brenda disa sekondave, është arsye e madhe për frikësim. Pas tërmetit, mbretëron panikë e thellë dhe një tmerr që depërton në palcë. Kjo gjendje, gjithësesi lë gjurmë vetëdijësuese si për jobesimtarin dhe për besimtarin.

1) Ai, që nuk beson në Krijuesin, dhe që tërmetin e sheh si një veprim i natyrshëm i tokës, i bëhet e qartë se njeriu përballë madhështisë së gjithësisë është hiç gjë, dhe sikur i thuhet: O ti njeri mendjemadh, kush je ti që e mohon Krijuesin tënd!? Kush je ti, që dikur fare nuk ke ekzistuar si diçka i përmendur, dhe tani tallesh me fjalën e Allahut? Kush je ti, që vetëm një moment nuk mund të qëndrosh pa air e pa mirësitë e të Lartëmadhërishmit? Në të vërtetë, ti je asgjë! Ti je vetëm një thërmi në këtë gjithësi. Ti je i dobët!? Këtë frymë e kanë patur tërmetet shkatërruse, që Allahu i ka përmendur në Kur’an, kundër popujve jobesimtarë.

2) E, ai që beson në Allahun, tërmetin, mbase e shikon si një ndëshkim të mundshëm prej të Lartëmadhërishmit, dhe shenjë se shoqëria në fjalë ka devijuar dhe e ka lëshuar rrugën e Allahut. Allahu ka lajmëruar se “Çfarëdo e keqe që mund t’ju godasë, ajo është pasojë e veprave tuaja (të këqia)…” (Esh-Shura, 30). Po ashtu, ka thënë: “Për shkak të veprave (të këqia) të njerëzve, janë shaqur në tokë e në det të zeza (bela, skamje, katastrofa, humbje e bereqetit etj.), e për ta përjetuar ata një pjesë të kësaj të keqeje që e bënë, ashtu që tërhiqen (nga të këqijat).” (Er-Rrum, 41).

Në këto ajete dhe të tjera, Allahu po vërteton se, në të gjitha rastet ndëshkimi i Tij, ka ardhur dhe vazhdon të vijë për shkak të devijimit të njerëzve dhe kryeneçësisë së tyre. Në këtë aspekt, sa herë që njerëzit i vërejnë fenomenet natyrore, duhet të vetëdijësohen, sepse janë shenja, që Allahu i dërgon te njerëzit në formë të vërejtjes. Transmeton Ibën Ebud-Dunja, se në kohën e Omerit r.a. kur ndodhi një tërmet në Medinë, ai e mblodhi popullin dhe u tha:

يا أيها الناس ما كانت هذه الزلزلة إلا عن شيء أحدثتموه والذي نفسي بيده لإن عادت لا أساكنكم فيها ابدا

      “O njerëz, ky tërmet nuk ka ndodhë, veçse për shkak të ndonjë të keqeje që e keni bërë. Pasha Allahun, nëse ai përsëritet edhe një herë, unë, përgjithmonë, nuk do të banoj me ju këtu,!”[26] Kjo vërejtje e Omerit r.a. përveçse tërmetin e kualifikon si ndëshkim, është edhe leksion për besimtarët, që të largohen prej të këqijave.

9. Konkludimi i çështjes

      Në bazë të asaj që u tha më lartë, mund të konkludojmë si në vijim:

1) Tërmeti si fenomen natyror, nuk është i rastësishëm. Allahu i Madhëruar e krijon tërmetin dhe është i Gjithëdijshëm për çdo hollësi të tij;

2) Në periudhën para shpalljes së Kur’anit, toka është përdorur si mjet dhe tërmeti si formë e ndëshkimit prej Allahut ndaj shoqërive të ndryshme, që e kanë kundërshtuar shpalljen;

3) Allahu i Lartësuar i ndëshkon njerëzit sot e më ditë, pra, para ditës së Kijametit, në forma të ndryshme, edhe nëpërmjet fenomeneve natyrore. Në këtë kontekst, tërmeti, potencialisht vazhdon të jetë si një prej formave ndëshkuese të Allahut për një shoqëri, që ka devijuar nga udhëzimi i Allahut dhe e ka tepruar në të këqija;

4) Tërmeti, në parim i përfshinë edhe njerëzit e pafajshëm. Për shkak të pafajësisë së tyre, ata, do të kompenzohen me faljen e Allahut dhe kënaqësinë e Tij në botën tjetër, dhe mbase mund të arrijnë gradën e shehidit;

5) Tërmeti është masë edukative për besimtarin dhe jobesimtarin. I pari, vetëdijësohet për largim nga e keqja dhe kthim kah ruga e Allahut, ndërsa i dyti, deshti apo nuk deshti, arrinë ta kuptojë vogëlsinë e tij përball madhështisë së gjithësisë, respektivisht Krijuesit.

________________________________________________

[1] FJALOR i shqipes së sotme, Akademia e Shkencave e Shqipërisë – Instituti igjuhësisë dhe letërsisë, botimet toena, Tiranë, 2002, fq.1342.

[2] Shih: http://sq.wikipedia.org/wiki/Tërmeti, (cituar më: 15.09.2014)

[3] Shih ajetet: El-Ankebut, 37; El-Muzem-mil, 14; El-A’araf, 155.

[4] Imam Kurtubiu, El-Xhamiu Li ahkami’l Kur’an, komentimi i ajetit El-A’raf, 155. Po ashtu, shih: El-Mu’xhemu’l-Vesit’– ½, (grup autorësh) boton Darud-da’veti, Stamboll, Turqi, 1989/1410, fq. 332; Esh-Shevkaniu, Fethu’l Kadir, komentimi i ajetit El-Araf, 78.

[5] El-Mu’xhemu’l-Vesit’– ½, (grup autorësh), po aty, fq. 397; Shih: Sureja Ez-zilzal.

[6] Tërmeti më shkatërrues që ka ndodhur në histori, konsiderohet ai në krahinën Shanxi të Kinës, më 23 janar 1556, nga i cili humbën jetën 830 mijë njerëz. Tërmeti ra në mbrëmje vonë dhe goditjet vazhduan deri në mëngjes. Nga studimet e mëvonshme të shkencëtarëve, mendohet se amplituda e tërmetit ishte përafërsisht 8 – 8.3 ballë. Nga ana tjetër, tërmeti dhe tcunami që goditi Indonezinë në vitin 2004, mbase janë katastrofa e dytë më e madhe në histori, pasi kanë vrarë rreth 230 mijë njerëz. Më gjerësisht për “50 tërmetet më vdekjeprurëse në histori”, shih: http://www.shqiperiaonline.tv/kuriozitete/50-termetet-me-vdekjeprurese-ne-histori/;

[7] Shih: http://sq.wikipedia.org/wiki/T%C3%ABrmeti#T.C3.ABrmetet_vullkanike,

[8] Taha Abdur-Reuf Sa’d, Sherhu Esmai’l-Lahi’l husna Li’r-Rrazi, el-mektebetu’l ez’herijjetu li’t-turath, pa vend të botimit, 1420/2000, fq. 216.

[9] “Levhi Mahfudhi” – është Pllaka e Ruajtur, e cila mban të regjistruar çdo gjë që do të ekzistojë në këtë gjithësi, prej fillimit dhe deri në Ditën e Kijametit, me detajet më të hollësishme të tyre, dhe është reflektim i drejtpërdrejtë i gjithëdijës së Allahut për ekzistimin e gjërave. Të vërtetën dhe përmbajtjen e “Levhi Mahfudhit” nuk e di askush përveç Allahut. (Shih: Ebu Abdilah Amir Abdilah Falih, Mu’xhemu elfadhi’l akideti,  botimi i dytë, Rijad, 1420 h /2000, fq. 363 – 364.)

[10] Er-Rrazi, Mefatihu’l gajbi, et-tefsirul kebir, komentimi i ajetit El-Isra, 58.

[11] Imam Kurtubiu, El-Xhamiu Li ahkami’l Kur’an, komentimi i ajetit El-Enbija, 107. Dr. Munkidh bin Mahmud Es-Sekkar, El-I’tibaru bi’l-mesari’il-umem, sipas: http://www.saaid.net/Doat/mongiz/10.htm, (data e citimit: 06.10.2014).

[12] Shih dhe krahaso: Dr. Munkidh bin Mahmud Es-Sekkar, po aty. Përveç dy llojeve të përmendura, ekziston edhe ndëshkimi gradual (ألإستدراج), sipas të cilit, Allahu e lë në humbje (dalalet) një njeri të caktuar, dhe krahas kësaj i dhuron mirësi në këtë botë, e të cilat e trimërojnë në rrugën e mëkateve. Ky, vazhdon me kryeneçësi kundër rrugës së Allahut për kohë të gjatë, duke e ngarkuar veten e tij me shumë të këqija, e të cilat janë arsye për ndëshkimin e tij (shih: El-A’raf, 182).

[13] Në nëntor të vitit 1985, në Kajro, është mbajtur një simpozium fetaro-shkencor lidhur me tërmetet dhe vullkanet, e mendimi i përgjithshëm i dijetarëve islamë ishte se: “Tërmetet dhe vullkanet janë paralajmërime dhe tërheqje e vërejtjes për mbarë njerëzimin nga ana e Allahut xh.sh., që të mos jenë mendjemëdhenj dhe arrogantë sa që ta mohojnë edhe vetë ekzistimin e Fuqisë Absolute”. (Shih: “Livaul Islam” – Kajro (revistë fetare javore), nr – 200 – viti 1985, cituar nga: Sabri Bajgora, Kur’ani dhe Gjithësia, sipas: http://www.bajgora.com/kurani/gjithesia.html, data e citimit, 10.10.2014).

[14] “Sahihu’l Muslim”, Kitabu: Salatu’l istiskai, Babu: Et-teav-vedhu inde ru’jetir-rrihi vel gajmi vel ferhi bil metar, nr. 1497. (Po ashtu shih: kaptina El-Ahkaf, 21-28).

[15] Ebu Bekër Muhamed bin Et-Tajjib El-Bakilanij (v.403 h), Et-Takrib ve’l-Irshad, Mues-sesetur-Rrisaleh, botimi i dytë, Bejrut, 1998, vëll. I, fq. 416.

[16] Shih: El-Kurtubiu, Xhamiu li ahkami kur’an, komentimi i ajetit El-Furkan, 38.

[17] El-Bejdavi, Envarut-tenzil ve esrarut-te’vil, komentimi i ajetit: El-Enfal, 25.

[18] Er-Rrazi, po aty, komentimi i ajetit El-A’raf, 155.

[19] En-Nesaij në Sunen, Kitab: Et-Tefsir, suretu’l enbijai, hadithi nr.10820.

[20] Xhamiu Termidhij, Kitabu’l fiten, babu:ma xha fi nuzuli’l adhabi idha lem jugaj-jer, hadithi, nr.2094.

[21] Et-Taberanij, El-Muxhemu’l Kebir, babu “t”, hadithi nr.13804. Ibën Haxheri thotë se senedi i hadithit është ‘hasen’, sipas: Dr. Munkidh bin Mahmud Es-Sekkar, po aty.

[22] Ahmed bin Hanbel, El-Musned, musnedu’l ashereti’l mubesh-sherine bi’l xhenneti, nr.25995.

[23] Kurtubiu, 10/12, sipas: Dr. Munkidh bin Mahmud Es-Sekkar, po aty.

[24] Sahihul Buhari, Kitabu’l-fiten, bab: Idha enzela-Llahu bikavmin adhaben, nr.6602.

[25] Transmeton Ebu Hurejre se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: الشُّهَدَاءُ خَمْسَةٌ الْمَطْعُونُ ، وَالْمَبْطُونُ ، وَالْغَرِقُ ، وَصَاحِبُ الْهَدْمِ ، وَالشَّهِيدُ فِي سَبِيلِ اللَّهِ – Dëshmorët janë pesë llojesh: Ai, i cili vdes prej kolerës, ai i cili vdes prej sëmundjeve të barkut, i përmbyturi në ujë, i përmbyturi prej gërmadhave, dëshmori, i cili bie në rrugë të Allahut të Lartmadhëruar” (Sahihu’l-Buhari, Kitabul xhihadi ves-sijer, hadithi, nr.2630).

[26] Transmeton Ebu Shejbe në “El-Musan-nif” (2/473); Bejhekiu në Sunen (3/342), transmetimi është i vërtetë, cituar sipas: Eshref Abdu’l Maksud, Ma kanet hadhihiz-zelzeletu il-la an shejin ahdethtumuhu!?, sipas: http://www.alukah.net/sharia/0/55070/, data e citimit (20.09.2014).

(Islampress)

Artikulli paraprakNjë xhamisë në Florida i vihet zjarri për festën e Bajramit
Artikulli vijuesTurqia i dërgon SHBA-ve kërkesë për arrestimin e kreut të FETO-s, Gylen