Nga Linda S. Heard
Nuk kam qenë kurrë ithtare e dënimit me vdekje, derisa kulti i vdekjes pushtoi Lindjen e Mesme duke kërcënuar botën me ideologjinë e vet të vdekjes nën petkun e Islamit.
Kjo sëmundje e pashërueshme që ka infektuar dhjetëra e mijëra njerëz kërkon shpjegim, pasi shkon ndesh me parimet themelore të njeriut duke çmuar vdekjen mbi jetën. Është një ideologji pa ndjeshmëri, e ndërtuar mbi dëshirën për pushtet dhe ambicie territoriale. Ata që kanë dëshiruar dënimin me vdekje të dhjetëra e mijëra burrave, grave e fëmijëve – duke i djegur për së gjalli, duke i hedhur nga shkëmbinjtë, duke i mbytur në kafaze e duke i ekzekutuar të shtrirë për tokë – meritojnë të njëjtën gjë.
Njerëzimi nuk ka zgjidhje tjetër veçse ta zhdukë këtë entitet të deformuar për hir të vetëmbrojtjes. Sidomos kur ata indoktrinojnë fëmijë të vegjël me kulturën e urrejtjes. U mësojnë “kënaqësinë” e prerjes së kokës duke përdorur arushat e pellushit, siç e kemi parë në shkollat e Rakka, kryeqytetit të tyre de facto.
Nuk ka asnjë kurë për këto krijesa të tërbuara, të cilat i kanë duart e lyera me gjak e që mburren për krimet e tyre të shëmtuara në rrjetet sociale. Nuk mund të ketë rehabilitim për ta. Nëse i fut në burg, ata do të rekrutojnë të tjerë për kauzën e tyre shkatërrimtare, ashtu siç bëri kalifi i rremë Al-Bagdadi në Kampin Bukka të kontrolluar nga amerikanët, aty ku u poll edhe ISIS-i.
Nëse i fut në izolim, institucionet e të majtës ekstreme do të bërtasin për abuzimin me të drejtat e njeriut; paçka se këta djaj i kanë humbur të drejtat e tyre kur e zgjodhën rrugën për në Ferr. Kemi arritur në pikën ku bëhet fjalë; ose ne ose ata.
Megjithatë, pavarësisht sulmeve të 11 Shtatorit që morën jetën e gati 3 mijë civilëve të pafajshëm dhe bënë që Shtetet e Bashkuara të angazhoheshin në dy luftëra si kundërpërgjigje, pa përmendur vrasjet në Paris dhe San Bernardino, Amerika dhe Kombet e Bashkuara kanë guximin të dënojnë politikën e Arabisë Saudite për “zero tolerancë” ndaj terrorizmit.
Në përgjigje të ekzekutimit të 45 qytetarëve saudit, një egjiptiani dhe një qytetari me kombësi nga Çadi, Departamenti Amerikan i Shtetit lëshoi një deklaratë ku i bënte thirrje Arabisë Saudite që të mundësonte një “proces gjyqësor të drejtë” dhe të lejonte “shprehjen e lirë të disidentëve.” Së pari, format “paqësore” të shprehjes të disidentëve janë të pakta në botë sot. Egjipti dhe Bahreini janë shembujt më të mirë për këtë: vende ku organizatat e të drejtave të njeriut duan të na bëjnë të besojmë se “protestuesit paqësorë” janë shtypur me dhunë nga shteti, ndërkohë që në të dyja rastet protestuesit kanë dalë në rrugë me armë dhe bomba molotov me të cilat kanë sulmuar forcat e sigurisë dhe institucionet publike.
Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara në mënyrë të veçantë për ekzekutimin e një kleriku shiit, pasi kjo po “përkeqëson tensionet sektare.” E kjo vjen nga një vend i cili e ka shkelur Konventën e Gjenevës me ekstradimet, rrëmbimet, torturat dhe kampet ku mban me qindra të “ndaluar”, pothuajse të gjithë të pafajshëm.
Dua t’i kujtoj administratës Obama se nëse ka ndonjë vend fajtor për nxitjen e tensioneve sektare, ajo është Amerika, ndërhyrjet e të cilës vendosën përballë irakenët suni kundër shiitëve, duke lënë një boshllëk i cili i mbush nga emisarët e Iranit dhe ISIS-it. Të mos harrojmë se presidenti Obama praktikon politikën e shenjëstrimit dhe të drejtën – të paktën kështu e quajnë – për të vrarë pa gjyq qytetarët amerikanë si Anuar Al-Aulaki, i cili i vra nga një dron amerikan.
Nëse përfundimi është se veprimet e Saudisë kanë rritur tensionet me Iranin, atëherë Uashingtoni duhet të kritikojë Teheranin e t’i vërë më shumë sanksione për shkak të testimeve me raketat balistike, të cilat po e vënë në rrezik marrëveshjen bërthamore.
Gjithashtu, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuar Ban-Ki Moon tha se ndihet “thellësisht i tmerruar” nga ekzekutimet, kur në fakt çdo njeri normal duhet të ishte mirënjohës për ndalimin e këtyre komploteve terroriste. A u “tmerruar” ai kur sulmuesit e Parisit dhe të San Bernardino-s u ekzekutuan nga policia pa pasur mundësinë të shihnin me sy sallën e një gjyqi?
Si parim, çdo komb ka të drejtë të nxjerrë ligjet e veta. U takon qytetarëve dhe vizitorëve të atij vendi t’i respektojnë këto ligje ose t’i shkelin duke marrë parasysh pasojat. Vendet e tjera bëjnë mirë t’i mbajnë mendimet e tyre për vete për sa i përket çështjeve gjyqësore, me përjashtim të rasteve kur qytetarët e tyre janë të përfshirë. E këtu futet edhe Irani, i cili po kërcënon Arabinë Saudite me “hakmarrje” për ekzekutimin e klerikut shiit, me nënshtetësi saudite.
Ish-kryeministri iraken Nuri Al-Maliki i është bashkuar korit, duke e akuzuar Saudinë për “praktika të neveritshme sektare”. Shaka është kjo?! Mbrojtja e një shiiti , ndërkohë që në të njëjtën ditë u ekzekutuan edhe terroristë të tjerë suni, tregon paragjykimet e tij sektare, e cila është arsyeja kryesore pse u hoq nga SHBA-të dhe u detyrua të japë dorëheqjen si kryeministër.
Në këtë botë gjithnjë e më të rrezikshme, i takon secilit shtet që të kujdeset për sigurinë e qytetarëve të vet, në çdo formë që e sheh të arsyeshme.
Në një rajon të shndërruar në një fuçi baruti, me celula terroriste, milici, nxitës të urrejtjes dhe spiunë, kush mund të fajësojë autoritetet (saudite) për mbajtjen e një qëndrimi kaq të ashpër? Një përgjigje më e butë do të hapte Kutinë e Pandorës, duke përhapur vdekje dhe shkatërrim ta pa imagjinueshëm.