Bashkimi Evropian nuk ka asnjë argument që t’i mbajë të izoluar qytetarët e Kosovës, ka deklaruar presidenti Hashim Thaçi. Këto komente, ai i ka bërë gjatë takimit të Këshillit Kombëtar për Integrim Evropian.
“Procesi i integrimit është i vështirë, por ne jemi të vendosur të arrijmë qëllimin tonë. Të trajtohemi si popujt tjerë të BE-së, pasi që shtetet anëtare nuk kanë asnjë argument t’i mbajnë të izoluar qytetarët e Kosovës”, ka thënë Thaçi.
Ky izolim, sipas tij, në vend që të merr fund, po bëhet edhe me i vështirë.
“E konsideroj jo të drejtë këtë qasje të BE-së ndaj Kosovës sa i përket liberalizimit të vizave. Pengesa që po ndodhin në këtë proces janë politike”, ka deklaruar Thaçi.
Ratifikimi i marrëveshjes për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, mbetet kushti i fundit dhe kryesori që Brukseli i ka vënë Kosovës para se të merren hapat tjerë në lidhje me heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës.
Thaçi ka thënë se këmbëngulja e BE-së, është e padrejtë.
“Për më tepër Mali i Zi dhe Kosova janë vende fqinjë dhe nuk kane asnjë problem mes veti”, ka deklaruar Thaçi, duke konstatuar se është e padrejtë që procesi i liberalizimit të vizave të kushtëzohet me ratifikimin e marrëveshjes me Malin e Zi.