Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka dalë në konferencë për media me Zëvendëspresidentin e SHBA-ve, Joe Biden.
“20 vite më parë kur përballeshim me shfarosjen nga shteti i Serbisë, senatori i atëhershëm, Joe Biden, u bë zëri ynë”, theksoi presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në konferencën për media me Bidenin.
Ai tha se është nder i madh për të që Biden viziton sërish Kosovën.
“Kosova, tani si shtet i pavarur dhe sovran, e ka forcuar paqen, stabilitetin dhe bashkëpunimin rajonal. Ne kemi shënuar hapa të rëndësishëm në procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”, ka theksuar më tej ai.
“Ne e kemi për detyrë që t’i japim një dinamikë të re dialogut me Serbinë që sa më shpejtë të arrijmë deri te pajtimi mes dy popujve tanë. Jam i sigurt se pajtimi është i mundur dhe do të ndodhë”, shtoi ai.
“Ju siguroj se edhe çështja e demarkacionit do të përmbyllet shpejtë. Marrëveshja e demarkacionit është marrëveshje e drejtë. Ky vendim i parlamentit të Kosovës do ta forcojë shtetësinë tonë, duke i hapur rrugë të sigurt integrimit euro-atlantik dhe lëvizjes pa viza”.
“Pa kalimin e demarkacionit me Malin e Zi, Kosova do të mbetet e vetmuar dhe e izoluar nga bota, apo e lënë anash edhe nga SHBA-të, edhe nga Brukseli, nuk mund të kërkojmë ndihmë nga askush nëse s’i kryejmë detyrat tona”, u shpreh Thaçi në konferencën për media me Bidenin.