Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, me kërkesë të ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferid Agani, përmes një vendimi të marrë sot, e ka liruar këtë të fundit nga detyra.
Ndërkaq, gatishmërinë e tashmë ish-ministrit Ferid Agani që të lirohet nga detyra, pas aktakuzës së ngritur javën që shkoi, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e ka vlerësuar lart duke thënë se kjo duhet të shërbejë si shembull për qeverisje të mirë.
“Si president i vendit e mirëpres gatishmërinë dhe vendimin e z. Ferid Agani për t’u liruar nga detyra e ministrit, për t’u lënë organeve të drejtësisë që të kryejnë punën e tyre. Le të jetë ky shembull i sjelljes në pajtim me etikën institucionale, dhe i gatishmërisë për qeverisje të mirë. Kosova është në rrugë të mbarë të integrimit evropian dhe jemi në prag të liberalizimit të vizave. Sundimi i ligjit mbetet jetik për të ardhmen euroatlantike të Republikës së Kosovës. Si president i vendit zotohem para qytetarëve se askush me aktakuza apo të dënuar nuk duhet të jenë pjesë e institucioneve të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Thaçi në Facebook.
Ferid Agani, bashkë me 63 persona të tjerë, akuzohet për keqpërdorim në rastin “Stenta” në kohën sa ka qenë ministër i Shëndetësisë. Kundër tyre Prokuroria e shtetit, javën e kaluar ka ngritur aktakuzë.