Thaçi, ministrave: Përvishuni punës

0
157

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi kërkoi të hënën nga të gjithë ministrat plotësimin e kritereve që dalin nga raporti i Studimit të Fizibilitetit.

Thaçi këtë kërkesë e shtroi në takimin e trembëdhjetë të Këshillit Ministror për Integrim Evropian

“Politika evropiane e Qeverisë së Kosovës do të bazohet në tri shtylla kryesore: Plotësimi në afat rekord i kritereve teknike për fillimin e negociatave për Marrëveshjen Stabilizim- Asociimit; Vazhdimi i reformave kyçe evropiane të parapara me Studimin e Fizibilitetit, gjegjësisht përgatitja e Planit të Veprimit për Studimin e Fizibilitetit 2012; dhe themelimi i strukturave negociuese dhe ekipeve teknike negociatore me Bashkimin Evropian”, tha Thaçi.

Shefi i Qeverisë ka kërkuar nga Ministria e Drejtësisë që të bëjë gjithçka që është e mundur për miratimin sa më të shpejt të ligjit për konfiskimit të pasurisë, luftimin e krimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Ftoj organet e policisë, prokurorisë dhe gjyqësorit të demonstrojnë përkushtim të qartë në arritjen e rezultateve konkrete për të vazhduar luftën e pa kompromis kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Në këtë drejtim, ju ofroj mbështetjen time të plotë me gjithë autoritetin tim kushtetues dhe ligjor”, u shpreh kryeministri.

Ndërkaq ministrja e Integrimit, Vlora Çitaku tha se publikimi i Studimit të Fizibilitetit dhe propozimi për fillimin e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asocimi shënon një moment të ri në diagramin e konsolidimit dhe faktorizimit të pozitës ndërkombëtarë të Kosovës, por edhe fillimin zyrtar të një rrugëtimi të gjatë për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

“Ky momentum i ri ka imponuar ri-dizajnimin e platformës së re të Qeverisë në fushën e integrimit evropian”, tha ministrja e Integrimit, duke shtuar se MIE tani më ka filluar monitorimin e përmbushjes së kritereve për fillimin e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asocimi.

Ajo njoftoi se në bashkëpunim me Komisionin Evropian janë duke shqyrtuar mundësinë e themelimit të një trupi koordinues të përbashkët për monitorimin strikt të përmbushjes së kritereve.

Po ashtu njoftoi se Ministria që ajo drejton ka filluar përgatitjen e Planit të Veprimit për Studimin e Fizibilitetit 2013.

“Deri më 17 tetor, Ministria e Integrimit Evropian bazuar në rekomandimet e Studimit të Fizibilitetit do të formulon objektivat e Planit të Veprimit për Studimin e Fizibilitetit. Të gjitha institucionet shtetërore do të kanë tre javë kohë deri më 9 nëntor për formulimin e veprimeve dhe indikatorëve të ri për adresimin e rekomandimeve të Studimit të Fizibilitetit. Deri në fund të muajit nëntor do të përgatitet pjesa narrative e Planit të Veprimit dhe përllogaritja e kostos financiare të zbatimit”, u shpreh Çitaku.

Ndërkaq, gjatë muajit dhjetor u tha se do të finalizohen të gjitha çështjet teknike të unifikimit të dokumentit final dhe përkthimit, me qëllim që në javën e fundit të dhjetorit të miratohet Plani i Veprimit për Studimin e Fizibilitetit.

MIE ka filluar përgatitjet për strukturat e nevojshme institucionale për negocimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimi.

“Marrëveshja Stabilizim Asocimi do të përbëhet nga dhjetë (10) tituj dhe përafërsisht 140 artikuj që do të rregullojnë çështjen e dialogut politik, lëvizjen e lirë të njerëzve, bashkëpunimin rajonal, bashkëpunimin financiar, etj. Poashtu, pjesë përbërëse të marrëveshjes do të janë edhe një numër të anekseve dhe protokolleve që do të specifikojnë periudhat transitore dhe koncesionet në sektorë të ndryshëm të industrisë, mbrojtjes së produkteve të caktuara bujqësore, industrisë, etj”, tha ministrja.kohaislame