Therri politikanin zviceran, 7 vjet burg për shqiptarin

 

Rasim R, shqiptari i cili ka therë me thikë mundësin zviceran Kari Zingrich, është dënuar sot me 7 vjet heqje lirie.

Duke shqiptuar këtë dënim, gjykata regjionale e Thunit ka ndjekur plotësisht palën paditëse, e cila kishte kërkuar po ashtu 7 vjet burg për tentim vrasjeje të qëllimtë, me ç`rast të dëmtuarit i janë shkaktuar plagë të rrezikshme për jetë. Rasti i plagosjes së ish sportistit dhe politikanit lokal të SVP-UDC-së kishte ndodhur më 15 gusht të vitit të kaluar. Ai i kishte shërbyer pastaj kësaj partie për të zhvilluar një fushatë, ku kishte rënë në sy veçanërisht afishja me tekstin “Kosovarët therin zviceranët”.

Duke u përgjigjur para trupit gjykues, Rasim R. ka theksuar se i vjen keq për ngjarjen. Sipas tij, ditën kur ka ndodhur krimi ai dhe vëllai kishin pasur një shkëmbim fjalësh me dy zviceranë në kopshtin e një restoranti në Interlaken. Kur mundësi Zingrich ishte ngritur, ky kishte pasur frikë se po ia sulmonte vëllanë dhe kishte bërë përpjekje ta mbronte atë.

Si shkruan portali Albinfo, pas shqiptimit të këtij dënimi mbetet të shihet nëse Rasim R. Do të dëbohet nga Zvicra, pasi për këtë pritet të vendosë më vonë Zyra për Migracion./koha/kohaislame

 

 

Artikulli paraprakKosovarët ndihmojnë refugjatët sirianë në Turqi
Artikulli vijuesMyftiu Tërnava në bisedë me nuncin apostolik Juliuzs Januzs