Tmerr në Sierra Leona: Fëmijët humbën prindërit, po vdesin urie, me seks paguajnë ushqimin…

0
183
Jetimët që mbijetuan nga sëmundja e Ebolës në Sierra Leone, detyrohen të jenë pjesë e industrisë së seksit, pasi që në këtë formë sigurojnë të ardhurat për të paguar ushqimin, shkruan Daily Mail.
Korrjet kanë dështuar, ndërsa studiuesit britanikë paralajmërojnë se kjo situatë do të përkeqësohet edhe më keq nëse nuk ka ndihma me miell për këta njerëz.
 
Raportohet se fëmijët në zonat rurale po vdesin nga mungesa e ushqimit, ndërsa llogaritet se vetëm në Sierra Leone janë rreth 12 mijë jetimë, ku shumë prej tyre janë të detyruar të kujdesen për vetveten, transmeton Telegrafi.
 
Disa nga fëmijët, të cilët po refuzohen nga miqtë e tyre për shkak të sëmundjes së Ebolës, u përpoqën të kryenin vetëvrasje, ndërsa vajzat po detyrohen të merren me prostitucion për të blerë ushqim.
 
Të uritur janë edhe Ibrahimi (13) dhe Aminata (10). Ata kanë humbur të dy prindërit, ndërsa vetë qëndruan në karantinë. Xhaxhai i tyre, Mohammed Lamin, është një nga ata që ka humbur të korrat e tyre gjersa ishte në karantinë. Për një muaj e gjysmë u përpoq që të ushqejë dy fëmijët, por ata refuzuan ushqimin.
 
“Ata ishin të traumatizuar, ndërsa ushqimin që iu kam ofruar nuk ishte edhe aq i mirë. Kam humbur fermën gjatë karantinës, kështu që nuk kam mundësi t’ju ofrojë më shumë. Unë u detyrova ta ndajë ushqimin mes tyre dhe fëmijëve të mi”, tha ai.
 
Ibrahimi dhe Aminata u dobësuan gjithnjë e më tepër, e kur kërkonin ushqim duke qarë, atyre u thoshin që të jenë të durueshëm. Në muajin shkurt të këtij viti Ibrahimi vdiq, ndërsa një javë më vonë vdiq dhe Aminata. Ata janë bërë viktima të urisë dhe traumave, të cilat u shkaktuan si pasojë e Ebolës.
 
Motrat e tyre, Jane (8) dhe Fatamata (3) vazhdojnë të vuajnë nga kequshqyerja. Ato hanë vetëm një vakt në ditë.
 
“Unë e di se vëllai dhe motra ime vdiqën nga uria. Kam nevojë për ushqim dhe veshmbathje, por xhaxhai im ka shumë pak”, tha Jane, duke shtuar se po mbijeton në saje të një sasie shumë të vogël të orizit, që nuk është e mjaftueshme.
 
Vlen të theksohet se organizata “Street Child” ka bërë apel për ndihmë, pasi që situata në vend është tepër shqetësuese. /Telegrafi/